E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthehet dollari, shënon rritjen më të madhe në tetë vjet

Dollari amerikan shënoi rritjen më të madhe në tetë vjet kundrejt monedhave kryesore të botës gjatë ditës së premte, duke shkaktuar rënie po aq të fortë të çmimeve të naftës dhe mallrave të tjera të rëndësishme, njoftuan agjencitë e lajmeve. Rritja e fortë e dollarit erdhi si pasojë e lajmeve se ekonomia europiane po bie në recesion shumë më shpejt sesa ajo amerikane. Në Tiranë, dollari u këmbye dje me 79.98 lekë, ose dy lekë më shumë sesa kursi i ditës së enjte. Kjo është vlera më e lartë e dollarit e regjistruar që nga 13 marsi i këtij viti. Euro ra në 1.5 dollarë, duke shënuar nivelin më të lartë që nga shkurti i këtij viti dhe duke humbur 3.2% vetëm brenda një jave.

Shkaku i rritjes së fortë të dollarit dhe rënies së euros qe deklarata e presidentit të Bankës Qendrore Europiane, Jean-Claude Trichet, i cili deklaroi se nuk kishte ndër mend të rriste normën e interesit për të ndalur inflacionin, për shkak se ekonomia e Eurozonës është dobësuar shumë.

----------------------------------------------------Javë e këndshme për bursat amerikane

Bursa e Nju Jorkut përjetoi një ditë shumë të mirë të premten si dhe regjistroi javën e parë me fitime që nga maji, kur çmimet e naftës ranë duke nxitur blerjet e aksioneve të kompanive të ndryshme. Aksionet e kompanive të lidhura ngushtë me naftën, përjetuan një ditë akoma më të mirë sesa pjesa tjetër e kompanive. General Motors u rrit me 2.9% në 10.03 dollarë për aksion, ndërsa Fordi u rrit me 7.6%. Kompanitë e supermarketeve si Macy’s dhe JC Penney u rritën përkatësisht 9.5% dhe 6.6%. Kompanitë e fluturimeve ajrore panë vlerën e aksioneve të veta të rritura me 8.2%. Kompania e restoranteve McDonald’s përjetoi një rritje prej 6.2% në vlerën e aksioneve duke u shkëmbyer për 65.67 dollarë, pas lajmeve se shitjet e saj në Europë kanë ecur mirë. Kjo është vlera më e lartë e aksioneve të kësaj kompanie e regjistruar prej 43 vjetësh. Sektori industrial u udhëhoq nga UPS që fitoi 3.8% dhe General Electric që u rrit me po kaq. Vlera e aksioneve të kompanive financiare shënoi si rritje ashtu edhe ulje. Aksionet e Fannie ranë me 9.1%. Banka amerikane është prej kohësh në vështirësi shumë të mëdha. Rritje pësuan edhe aksionet e kompanive të teknologjisë së lartë. Cisco, e njohur për prodhimin e pajisjeve për lidhje me internetin, u rrit me 10.3% duke u shitur me 24 dollarë për aksion. Intel u rrit me 8.4%. Lojërat olimpike pritet të favorizojnë NIKE në bursë. Nga eksperienca e Lojërave Olimpike Athinë 2004, aksionet e NIKE qenë rritur me 8.7%.

----------------------------------------------Olimpiada nuk ndihmon bursat kineze

Aksionet e bursave aziatike e mbyllën ditën e premte përgjithësisht në rënie, por kompanitë e makinave dhe ato të teknologjisë së lartë pësuan rritje. Megjithëse lojërat olimpike pritej të rrisnin optimizmin mes investitorëve, frika ndaj akteve terroriste bëri që bursat e tokës kineze të mbyllin javën më të keqe të të gjithë vitit. Bursa e Shangait ka rënë me 57%, që nga fillimi i vitit. Të premten Shangai humbi edhe 4.5% të tjera. Gjithsesi, prodhuesi i kompjuterëve Lenovo, që është edhe një nga sponsorizuesit e lojërave, fitoi 4.4%.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›