Rikthehet fluksi i emigrantëve në Kapshticë
Pas qetësisë së 24 orëve më parë në Kapshticë është rikthyer fluksi i emigrantëve që kthehen në shtetin fqinj. Gjatë ditës së djeshme janë vënë re sërish dyndje në kufi, ndërsa janë rikthyer për disa orë dhe radhët, megjithëse aspak të ngjashme me ato të fillimjavës. Pavarësisht kësaj, pala shqiptare vazhdon të punojë me 7 sportele për daljet nga Shqipëria, teksa pala greke me 5 të tillë për hyrjet në territorin e saj.
Duke iu referuar burimeve zyrtare nga pika kufitare e Kapshticës mësohet se në 24 orët e fundit kanë dalë nëpërmjet këtij vendkalimi 3 mijë shtetas shqiptarë me 1200 automjete si dhe 15 autobusë të linjave të përditshme me Greqinë. Duke iu referuar të njëjtave burime mësohet gjithashtu se festa e Pashkëve ka sjellë në atdhe rreth 50 mijë emigrantë shqiptarë, 20 mijë më shumë se vitin e shkuar për të njëjtën festë. Policia shqiptare ka përballuar situatën duke evituar çdo problem të mundshëm, ndërsa ka shtuar numrin e efektivave gati 10 ditë më parë për të parandaluar dhe depërtimin e trafiqeve të ndryshme në ditët tejet të populluara të Kapshticës. Gjatë paradites së djeshme radhët janë shfaqur përsëri, por pritja e udhëtarëve që synonin shtetin fqinj Greqi, ka kaluar rreth tre orë. Pala shqiptare përfundon shumë më shpejt procedurat e saj dalëse, ndërsa vonesa më e gjatë ndodh në anën greke të kufirit, ku dhe kontrolli i të dhënave individuale të çdo emigranti zgjat të paktën 15 minuta. Pritet që radhët e fundit të emigrantëve që kanë mbetur në vend të rikthehen edhe gjatë kësaj fundjave, bëjnë të ditura autoritetet shqiptare të policisë në Kapshticë.