E Diel, 1 Nëntor 2026

"Me zjarr ju flas, me zjarr..", veprimtari kulturore me lirikat e poetit

Viti 2009 është quajtur dhe si viti i Lasgush Poradecit, për nder të 110-vjetorit të lindjes të tij. Për këtë qëllim në Ditën Ndërkombëtare të Librit Ministria e Kulturës organizoi dje aktivitetin "Me zjarr ju flas, me zjarr.." sipas vargjeve të poetit të madh shqiptar Lasgush Poradeci, i cili u shndërrua në simbolin e kësaj dite. Zv/ministrja Suzana Turku, në përshëndetjen e saj u shpreh se në historinë e letërsisë shqiptare të paktë janë ata autorë që me veprën e tyre përvijojnë profilin e kulturës së shkruar shqipe, e në këtë oaz ndriçues, Lasgush Poradeci me veprën e tij zë një vend të merituar. Duke vlerësuar veprat e poetit romantik ajo theksoi se: arti poetik i Lasgush Poradecit vjen përkrah emrave më të shquar të simbolizmit evropian si Sharl Bodler dhe Pol Verlen, duke shpalosur forcën shpirtërore dhe një origjinalitet të spikatur të poezisë shqipe në sinkron me zhvillimet letrare në Evropë. Gjatë këtij takimi u prezantua dhe një vepër studimore e poetit, kushtuar një tjetër poeti të madh me kombësi rumune, Mihal Emineskut. Në këtë botim të ri, të mundësuar nga familja Poradeci, është interesant këndvështrimi i interpretimit të një poeti për një poet tjetër, që gjithashtu i përcjell shoqërisë së të gjitha kohëve humanizmin. Lasgush Poradeci u lind më 27 dhjetor 1899 në Pogradec, në një familje me tradita atdhetare. Në moshën 10-vjeçare e dërguan për të vazhduar studimet në Manastir dhe më vonë në Athinë, ku mbaroi liceun. Më 1921 ai shkoi në Rumani për të ndjekur studimet e larta. Duke qenë pa bursë dhe pa asnjë ndihmë, ai u detyrua të punonte dhe njëkohësisht të studionte. Në Bukuresht u lidh me lëvizjen atdhetare të kolonisë shqiptare, u miqësua me Asdrenin e atdhetarë të tjerë shqiptarë dhe u zgjodh edhe sekretar i përgjithshëm i kolonisë. Në verën e vitit 1924 Qeveria e Fan Nolit i dha bursë dhe kështu arriti t'i përfundojë studimet e larta në Grac (Austri) në Fakultetin e Filologjisë Romano-Gjermane. Lasgush Poradeci është nga lirikët tanë më të mëdhenj, i cili u shqua për sensibilitetin dhe ëmbëlsinë poetike me të cilën i këndoi Shqipërisë dhe dashurisë. Ai u nda nga jeta më 12 nëntor të vitit 1987, duke lënë pas një krijimtari të bukur, e cila kishte fituar zemrën e lexuesit dhe kishte tërhequr vëmendjen e disa studiuesve të shquar të kulturës sonë si Eqrem Çabej, Skënder Luarasi, Mitrush Kuteli, Sabri Hamiti, Ismail Kadare, Rexhep Ismajli, etj. Lasgush Poradeci e jetoi Rilindjen ne periudhën e shpërthimit të kryengritjeve të mëdha për liri. Në veprën e këtij romantiku të fundit të letërsisë sonë jetoi shqetësimi atdhetar i mbrojtjes së kombit dhe të traditës së Rilindjes, ashtu sikurse edhe dëshira për triumfin e pikëpamjeve demokratike, shqetësimi për një emancipim të përgjithshëm kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare. Ai është nga lirikët tanë më të mëdhenj, i cili u shqua për sensibilitetin dhe ëmbëlsinë poetike me të cilën i këndoi Shqipërisë dhe dashurisë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›