Sarandë, vuante nga depresioni, dhunon prindërit 40 vjeçari
Një telefonatë në orët e vona të natës së mërkurë, për një ngjarje të ndodhur në fshatin Borsh të Sarandës, ka vënë në gjendje alarmi grupin e gatshëm të komisariatit të Sarandës. Burime nga grupi i gatshëm, të cilët janë nisur në mesnatë për në familjen Hajdini në këtë fshat, bëjnë të ditur se djali 40- vjeçar i kësaj familjeje Almir Hajdini, i pamartuar, në gjendje kronike depresive i stimuluar edhe nga një dozë jo e vogël alkooli pirë në lokalet e fshatit, ka ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të tjerë të familjes.
I ati i agresorit, rreth 80 vjeç në fillim ka kërkuar ta zbuste të birin, që herë pas here kalonte në gjendje të rënduar psikike, por nuk ka mundur. Për këtë shkak, Almiri ka filluar ta dhunojë të atin me forcën e tij të papërmbajtshme. Edhe ndihma e komshinjve dhe te afërmve të tjerë nuk e ka stabilizuar situatën dhe nuk ka mundur ta zbusë tërbimin e të sëmurit të pirë. Me mbërritjen e furgonit të policisë dhe ndërhyrjen e grupit të gatshëm, situata është vënë nën kontroll, duke e shoqëruar agresorin për në komisariatin e Sarandës, rreth 35 km larg banesës, ku ndodhi dhunimi i pjesëtarëve të familjes Hajdini në Borsh. Sipas familjarëve, 40- vjeçari manifeston here pas here shenja të agresivitetit për shkak të sëmundjes mendore, por rrallë ka ndodhur një tërbim i tillë shtazarak. Dje në mëngjes, i ndodhur në mjediset e Komisariatit, i shoqëruar nga policë të shërbimit dhe disa të afërm ai është çuar për ekzaminim shëndetësor tek mjeku ligjor. Në vartësi të diagnozës që do të përcaktojnë mjekët, do të gjykohet dhe mbajtja më tej e rij në mjediset e komisariatit apo izolimi në spitalin psikiatrik. Dhuna e përhershme dhe sherri në familjen Hajdini e ka detyruar nënën e tij të braktisë ngrohtësinë e familjes dhe të shkojë në Tiranë pranë njerëzve të saj për të jetuar larg djalit agresiv, për shkak të sëmundjes kronike psikike.