E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthehet “gogoli” Nano në PS, Rama ndërsen Veliajn për ta sulmuar

Koalicioni i drejtuar prej PS-së nuk e fsheh panikun, gati alibia për fajtorët e humbjes

TIRANE - Më i riu në moshë në koalicionin opozitar të drejtuar nga Partia Socialiste që predikon ndryshimin përmes një “politikë të re përtej së majtës dhe të djathtës”, i ka paguar dje haraçin e radhës kryesocialistit Edi Rama për tu bërë deputet por minimumi edhe për të pasur vëmendjen e atyre mediave që kryebashkiaku ka nën kontroll. Nën këtë lojë me “detyrim-përcaktim” ku është futur, kryetari i G99, Erion Veliaj ka kryer dje sulmin e radhës “nga e majta në të djathtë”, ndaj kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të LSI-së, Ilir Meta, duke tentuar që t’i paraqesë këta të fundit si “boshtin e së keqes” së këtij vendi.
Sipas Veliajt, beteja e qershorit nuk është vetëm ndaj Berishës por dhe ndaj Nanos e Metës që si dy ish-kryeministra  që sipas tij janë në një koalicion me qeverinë aktuale.
“Para 48 orësh pamë një tjetër ish-kryeministër zotin Nano, të cilin e pasuan me radhë zoti Berisha dhe pastaj zoti Meta. Janë tre, kryeministra dhe ish-kryeministra që në mënyrë të vazhdueshme sulmojnë opozitën...”, deklaroi kreu i G 99-së.
Sulmet e ashpra ndaj kryeministrit Berisha dhe kreut të LSI-së Ilir Meta nuk janë një gjë e re, po të kihet parasysh se ato kanë qenë një konstante e linguazhit që lidershipi socialist po përdor prej muajsh. Jo pak përshtypje bën fakti që për herë të parë sfida lëshohet edhe ndaj paraardhësit të Ramës në PS, Fatos Nano. Edhe pse pas dështimit të skemave të opozitës për bllokimin e zgjedhjeve presidenciale, Rama nuk ka pranuar që të prononcohet zyrtarisht mbi fatin e ish-liderit historik të socialistëve, lëshimi i sfidës edhe ndaj tij përmes beniaminit Veliaj, është jo thjesht një përgjigje indirekte e akuzave të hedhura një ditë më parë nga Nano në drejtim të mënyrës sesi kryebashkiaku po e drejton partinë kryesore të opozitës por mbi të gjitha fsheh edhe drojën e efektit bumerang dhe forcës që ish-kryeministri ruan jo thjesht në bazën socialiste por mbi elektoratin shqiptar në tërësi.
Në qëndrimin e Ramës përmes gojës së Veliajt ndaj sfidantëve që ai mendon se ka përpara në 28 qershor, nderet dukshëm edhe një tendencë për të ”glorifikuar” misionin e tij në këto zgjedhjeje.
Për me tepër nxjerrja me çdo kusht nga “shishja” e shejtanit-politik Fatos Nano, përbën një dëshmi të pakundërshtueshme se 4 vitet në krye të Partisë Socialiste nuk i kanë mjaftuar Edi Ramës për të njohur realisht këtë forcë politike. Pasiguria që buron natyrshëm nga ekzistenca ende e shumë të panjohurave ka çuar edhe në nxitimin e dukshëm të kryesocialistit për të futur në “aksin e së keqes” edhe paraardhësin e tij.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›