Auleda financon zhvillimin e fermave në Vlorë

Agjensia e Zhvillimit Ekonomik Lokal (AULEDA), me mbështetjen e OXFAM GB, për të stimuluar fermerët në rrethin e Vlorës, po financon një projekt me vlerë 80 mijë euro. Arjana Bubeqi, drejtoreshë ekzekutive e kësaj agjensie, tha se, përmes këtij projekti, synohet mbështetja e fermerëve për të dalë cilësisht dhe me produkte të sigurta në treg. Ajo shprehet se, në bashkëpunim me specialistë të Drejtorisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe të Qendrës së Transferimit të Teknologjive, ofrohet asistenca e nevojshme teknike për fermerët e disa zonave, ndërkohë që, është në fazën përfundimtare, procesi i ndarjes së vaksinave për sëmundjet zonore(enderotoksemia, agalaksia, fashioloza), tek bagëtitë e imta dhe gjedhët. Krahas kësaj, brenda pak javësh, do të nisë edhe shpërndarja e rreth 60 mijë fidanave perimorë me proces inkubacioni. Bubeqi sqaron se, nga ky projekt, deri në fund të muajit prill, do të përfitojnë rreth 1000 fermerë, të fshatrave të komunave Qendër, Brataj, Shushicë, Horë Vranisht. Në harkun e dy vjetëve të fundit, ky është projekti i 5-të, që aplikon AULEDA, në ndihmë të fermerëve, ndërkohë, që, krahas kësaj, ka zbatuar edhe 15 të tjerë, për zhvillimin e turizmit etj. Pjesë e tyre, ka qenë ndërtimi i strukturave turistike “bed&breakfast”(B&B), në disa fshatra të rrethit të Vlorës, si në Vranisht, aplikimi me sukses, i përdorimit të ushqimit të balancuar tek gjedhët, në dy ferma eksperimentale, gjë që u shoqërua me një rritje mesatare prej 8-10 litra qumësht në 24 orë, organizimi i panaireve të ndryshme lokale të bujqësisë e blegtorisë, pjesëmarrja në panaire rajonale, në Itali, me prodhime tipike vendase të blegtorisë etj.
...