Kultura franceze vjen në Shqipëri

Një gjallërim të jetës kulturore dhe artistike do të sjellin edhe në këtë sezon aktivitetet e larmishme, që do të zhvillohen në kuadër të asaj që quhet "Pranvera e Frankofonisë". Kështu, në skenën teatrore shqiptare do të ngjiten vepra të autorëve të njohur, do të jepen koncerte, filma dhe dokumentarë frankofonë, ekspozita fotografike, piktura, konferenca dhe debate rreth letërsisë frankofone, të kulturës frankofonë, aktivitete të cilat do të zhvillohen deri në datën 31 Mars, kur edhe mendohet të mbyllet sezoni i këtij viti, i “Pranverës Frankofone”. Kjo e fundit është një aktivitet, i cili mbështetet jo vetëm nga Ambasada Franceze, në Tiranë, e cila i inicion këto aktivitete, në kuadër të kësaj stine në vendin tonë, por edhe nga ambasada të vendeve të tjera. Eloizë lë Pëti, koordinatore ne Aleancën Franceze shprehet se atmosfera e ditëve franceze këtë vit do të sjellë risi në konceptim dhe përmbajtje. Tirana, Korça, Shkodra dhe Elbasani do të jenë qytetet kryesore në të cilat do të përcillet më shumë kultura dhe atmosfera franceze. Edhe këtë vit, ashtu si e përmendëm edhe më sipër do të ketë shumë manifestime në shumë qytete të Shqipërisë dhe sigurisht edhe në Tiranë, në të cilat përfshihen teatër, kërcime, koncerte, filma dhe dokumentarë frankofon, ekspozita fotografike, piktura, konferenca dhe debate rreth letërsisë frankofone, të kulturës frankofonë, me autorë të ndryshëm shqiptarë si Fatos Kongoli, Edmond Tupja, Maks Velo etj. Por të veçanta gjithashtu do të jenë edhe spektaklet e organizuara nga institucionet shkollore dhe Aleancat Franceze, të cilat do të vijnë edhe në formën e konkurseve për gjimnazistët. Kështu, në vazhdimësi të këtyre aktiviteteve të shumta Ambasada Franceze organizon pjesë në leximin dy gjuhësh të veprës “Lëkura e Qenit”, e Fatos Kongolit, si dhe me pjesëmarrjen e Edmod Tupes dhe aktorit dhe regjisorit francez Frantz Helmer. Më tej ky lexim do të pasohet nga një tavolinë e rrumbullakët mbi përkthimin dhe interkulturalitetin e animuar nga Fatos Kongoli, Edmond Tupja dhe Diana Çuli. Gjithçka sa u tha më sipër do të shfaqet për gjithë të interesuarit në ambientet e Aleancës Franceze, të mërkurën më 25 mars. Ndërkohë që, dy ditë më pas ditën e premte më 27 mars, në orën 10, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë, aktivitetet do t`i vazhdojë shkrimtari Maqedonas lindur në Pogradec, Luan Starova, i cili do të mbajë një konferencë mbi jetën dhe veprën e tij. Gjithashtu, duhet theksuar fakti që shumë prej veprave që do të vihen në skenën e teatrove shqiptare, janë dhe pjesë e këtyre aktiveve, pasi ato janë realizuar në sajë të ndihmës së artistëve francezë. Kështu premiera e baletit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” bazuar mbi romanin e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare po shfaqet me sukses, në kuadër të këtyre veprimtarive. Kjo shfaqje baleti vjen me një vizion të ri hapësinor dhe trajtim skenik nga skenografi Valerio Ferrari (Francë), ndërkohë kostumet janë realizuar nga Anne Brault. Bashkëpunëtor dhe konsulente e koreografit është Laura Frigato. Por e veçanta e në këtë vepër është performanca e paharrueshme e të madhit Agron Aliaj në rolin e autorit. “George Danden”, ose “Bashkëshorti konfuz” një nga komeditë më të veçanta të Molierit do të vijë në skenë në datën 28 dhe 29 mars. Teatri i Metropolit si pjesë e Qendrës Kulturore “Tirana” do të nisë sezonin e tij artistik me këtë kryevepër të Molierit. Në këtë kuadër ky institucion është në fazën e fundit të përgatitjeve teatrale që do të celebrojnë ditën ndërkombëtare të frankofonisë. Regjisori i njohur francez Franc Helmer, i cili është regjisori i kësaj shfaqjeje ka disa ditë që po zhvillon provat me aktorët shqiptarë, por dhe ato francezë. Shfaqja teatrore do të vijë për publikun në një mënyrë ndryshe nga ajo që ndiqet në skenën teatrore në vendin tonë. E veçanta kësaj radhe është se vepra e Molierit “George Danden” do të vijë për publikun si një teatër bilingual (dygjuhësh) në gjuhën shqipe dhe atë franceze. Kasta e aktorëve përbëhet nga tetë emra të rinj të teatrit si: Adelina Muça e cila do të interpretojë Anzhelikën, Alert Çeloaliaj do të jetë personazhi Dandin,etj. Ndërkohë që, vetë regjisori francez Helmer është shprehur për mediat se, pjesa do të vijë në një mënyrë shumë interesante. Ajo do të përmbajë brenda saj dhe folklorin shqiptar, pasi në vitin 1668 kur u shkrua nga Molieri vepra kishte dhe muzikën franceze. “Teatri do të jetë i ndërthurur me muzikë. Do të ketë pjesë nga folklori shqiptar, i cili do t’i japë dhe më shumë atmosferën e fshatit në këtë vepër të Molierit, i cili është dhe shpikësi i komedisë muzikore, dhe prandaj dhe në këtë vepër ne do të kemi dhe muzikë shqiptare. Meqë pjesa zhvillohet në fshat folklori shqiptar e evokon dhe më shumë atmosferën e fshatit”,u shpreh regjisori francez. I pyetur për shfaqjen që do të jetë në dy gjuhë ai u përgjigj se me anë të kësaj takohen dy kultura të ndryshme. “Unë kam mbi 30 vjet që punoj dhe kam qenë në shumë vende të botës. Teatri bilingual është i rëndësishëm sepse me anë të tij bëhet dhe shkëmbimi mes kulturave të ndryshme. Shfaqja do të jetë në dy gjuhë dhe shpresoj që ajo të lërë shije tek publiku”, cilësoi ndër të tjera francezi Helmer. Disa nga vështirësitë e veprës sipas tij janë: “ Jemi të detyruar që të kemi një përkthyes dhe të përpiqemi që të bëjmë gjëra të ndryshme dhe të kuptohen”. Sipas regjisorit francez aktorët shqiptarë janë shumë të mirë. Ata punojnë me pasion dhe janë të aftë. “Aktorët janë shumë të mirë, janë shumë të këndshëm dhe ky projekt i argëton”, shprehet regjisori francez. Më tej gjatë prononcimit të tij ai u shpreh se nuk dinte shumë për teatrin shqiptar, por këtë vepër në skenën shqiptare ai shikonte si një sfidë. “Unë kam shumë vite që punoj, por nuk jam njohur me teatrin shqiptar. Unë shikoj që aktorët janë të mirë dhe se këtë vepër të Molierit unë e shikoj si një sfidë në skenën teatrore”, theksoi Helmer. Por janë të shumtë personalitete e artit dhe kulturës në vendin tonë që me veprat e tyre janë bërë pjesë e rëndësishme e shkëmbimeve kulturore. Kështu disa personalitete shqiptare si shkrimtari i njohur Ismail Kadare, shkrimtari Fatos Kongoli, shkrimtari dhe ish-Ministri i Punëve të Jashtme, Besnik Mustafaj, përmes veprës së tyre të përkthyer në Francë apo dhe në vende të tjera, kanë ngritur ura të vërteta komunikimi ndërmjet kulturave. Ndërkohë që aktivitete të tjera të larmishme, si muzikë, balet, teatër, cirk, ekspozitë pikturash e kështu me radhë, do të jenë pjesë e këtij sezoni, jo vetëm në Tiranë por dhe për publikun në qytete të tjera të vendit. Shqipëria u pranua në vitin 2006 si anëtare me të drejta të plota e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë.
...