Furgonët e Korçës në protestë: Do rrisim çmimin e biletës
Korçë- Mbi 100 taksistë furgonësh të linjës interurbane me kryeqytetin kanë protestuar gjatë të mërkurës, ndërsa do të përshkallëzojnë protestën e tyre deri në bllokim të rrugës nacionale. Shkak bëhet moslejimi i mbushjes së tyre me pasagjerë edhe në kthim. Ata kanë deklaruar se prej disa ditësh janë penguar të mbushen me udhëtarë në kthim, ndërsa i njëjti fenomen ndodh dhe për drejtuesit e këtyre furgonëve që vijnë nga Tirana me destinacion Korçën. Policitë rrugore respektive i kanë ndaluar mjetet në fjalë, duke i detyruar ata të kthehen bosh në destinacionin e tyre të fillimit, ndërsa ky rregull i ri nuk është pritur mirë nga ata. Lorenc Koçibelli, njëri prej shoferëve të kësaj linje të përditshme me kryeqytetin tregon për gazetën se të gjithë njerëzit që punojnë në këtë linjë janë të rregullt dhe derdhin detyrimet ndaj shtetit, ndërkohë që kjo do të thotë të rritet çmimi i biletësgjë që do të ndikojë direkt në xhepat e qytetarëve. "Kemi zgjedhur këtë mënyrë, e cila është dhe ligjore, për të kërkuar të drejtën tonë. Nuk është aspak i drejtë ky veprim i ndërmarrë ditët e fundit nga policia",-pohon për gazetën Koçibelli, taksist fugoni, prej 10 vitesh. Sipas tij, kthimi bosh ul në minimum fitimin, ndërsa do të ndikojë në rritjen e çmimit të biletës për udhëtarët. Taksistët kanë kërkuar shpjegime në bashkinë e qytetit, pa marrë ndonjë përgjigje të prerë për çështjen e tyre. Dy ditët e fundit në Korçë të udhëtosh drejt Tiranës është një stërmundim i vërtetë pasi numri i furgonëve që vetë taksistët kanë lejuar të lëvizin është shumë i vogël, ndërsa kërkesat e udhëtarëve janë të shumta. Ndërkaq taksistët kanë shprehur edhe njëherë shqetësimin e tyre për furgonët që lëviznin me targa të bardha të palicencuar të cilët janë një tjetër shqetësim i tyre për të cilët shteti nuk e ka vënë ujin në zjarr.