Rikthehet i ftohti, bora arrin deri në 50 cm në Veri të vendit
Shërbimi meteorologjik njofton për ulje të ndjeshme të temperaturave. Probleme në akset rrugore të vendit. Shi dhe borë edhe për dy ditë
I gjithë vendi është përfshirë nga reshje të dendura dëbore dhe shiu, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin në disa akse rrugore, sidomos në veri të vendit. Ndërkohë që burime nga Instituti i Meteorologjisë raportojnë se moti do të mbetet i përkeqësuar edhe për 38 orët e ardhshme. Burimet zyrtare në qarkun e Kukësit bëjnë të ditur se ka pasur reshje të mëdha dëbore të shoqëruara edhe me erëra të forta gjatë gjithë orëve të para të mëngjesit të djeshëm. Në një pjesë e akseve rrugore është vështirësuar lëvizja e makinave në drejtim të Kosovës. Burimet zyrtare në shërbimin meteorologjik kanë njoftuar uljen e temperaturave, e cila është shoqëruar me reshje bore e shiu, si dhe erëra të forta.
Situata në Kukës
Brenda pak orëve trashësia e dëborës në qytetin e Kukësit ka arritur në rreth 15 centimetra, në zonën e Qafë Shllakut rreth 35 centimetra, ndërsa në zonën e Shishtavecit rreth 50 centimetra. Përgjegjësi i zyrës së Emergjencës Civile në Prefekturën e Kukësit, Azem Tema, tha se në aksin rrugor që lidh Shqipërinë me Kosovën, duke qenë se erërat e fuqishme kanë krijuar edhe grumbuj dëbore, për normalizimin e plotë të situatës janë vënë në punë dy borëpastruese për të hapur rrugët. "Aktualisht situata në të gjitha akset kryesore rrugore paraqitet normale, ndërsa ka vështirësi të lëvizjes së mjeteve në akset që lidhin komunat e thella me qendrat e rretheve si Grykë Çaja, Kalisi, Arrni në rrethin e Kukësit, Lekbibaj e Margegaj në rrethin e Tropojës dhe disa fshatra të veçanta të rrethit të Hasit", - tha Tema. Sipas tij, edhe pse reshjet e dëborës vazhdojnë me një intensitet të dobët, aktualisht lëvizja e mjeteve në akset kryesore rrugore Qafë Mali - Kukës - Morinë dhe Fierzë - Bajram Curri - Qafë Morinë, që lidhin këtë zonë me Kosovën, janë të kalueshme pa zinxhirë. Po ashtu është normalizuar situata e lëvizjes së mjeteve në aksin rrugor Kukës - Krumë, Kukës - Shishtavec dhe Krumë - Bajram Curri. Qarkullimi i mjeteve në akset kryesore të zonës verilindore të vendit u normalizuan ndjeshëm në orët e pasdites. Si rrjedhojë e erërave të fuqishme janë shkaktuar edhe defekte në linjat e energjisë elektrike, gjë që kanë shkaktuar ndërprerjen e energjisë elektrike për disa orë në disa zona të rrethit, si dhe në qytetin e Kukësit.
Ulja e temperaturave
Nga të dhënat e Shërbimit Meteorologjik të Ushtrisë, dita e djeshme ka shënuar ulje të ndjeshme temperaturash. Në rrethet e Peshkopisë dhe Korçës temperaturat shkuan deri në –2 gradë celsius. Në pjesën më të madhe të vendit ka pasur reshje të dendura shiu dhe erëra të forta. Sipas të dhënave zyrtare, “era ka fryrë me shpejtësi 2-14 metra në sekondë në drejtimin juglindje- jugperëndim. Ndërsa valëzimi në bregdet ishte rreth 4-5 ballë. Kjo ka sjellë pengesa në lëvizjen e anijeve të transportit dhe të trageteve në portin më të madh të vendit, në Durrës. Gati e njëjta situatë ka qenë edhe në portet e Vlorës dhe të Shëngjinit. Burimet në shërbimin e meteorologjisë bëjnë të ditur se edhe gjatë ditës së sotme do të ketë ulje të ndjeshme të temperaturave, të shoqëruara edhe me reshje shiu dhe dëbore në një pjesë të madhe të vendit.
Kapet në flagrancë 30-vjeçari për një seri vjedhjesh
ELBASAN - Një 30-vjeçar që u arrestua në flagrancë nga policia e Elbasanit, teksa grabiste në një banesë të qytetit, ka treguar gjatë marrjes në pyetje nga uniformat blu se ka vjedhur edhe tre banesa të tjera gjatë muajit shkurt dhe mars të këtij viti. Lajmin e bënë të ditur burime zyrtare të policisë lokale, të cilat nënvizuan se "30-vjeçari Sami Jugu, lindur në Librazhd e banues në qytetin e Elbasanit, u arrestua në orët e para të mëngjesit të djeshëm teksa po grabiste në banesën e shtetasit F. B., në lagjen “5 Maji”. Gjatë marrjes në pyetje, 30-vjeçari ka deklaruar se është autor i vjedhjes së tre banesave të tjera në këtë qytet, ndërkohë që gjatë kontrollit të ushtruar në shtëpinë e tij policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale sende me vlerë të grabitura në to.
Hyn për të ndarë sherrin, plagoset 47-vjeçari
SHKODËR – Ka ndërhyrë për të shuar konfliktin mes dy personave, por ka mbetur vetë i plagosur një 47-vjeçar nga Shkodra. Burime zyrtare të policisë lokale thanë se Frederik Ndreca, 47 vjeç, mbeti i plagosur rëndë në këmbë teksa po tentonte të shuante një konflikt mes dy të rinjsh, Bajram Bregu dhe Endri Zaganjori, përkatësisht 22 dhe 24 vjeç. Konflikti ndodhi të mërkurën në lagjen “Naim Gjylbegu” të qytetit. Policia, që mbërriti menjëherë në vendngjarje, e transportoi të plagosurin në spital, ndërsa dyshohet se autor i këtij krimi është 22-vjeçari Bajram Bregu, i shpallur tashmë në kërkim.
20 Mars 2008