E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet Çifti Martin

Katër vjet pas premierës, shfaqja ‘Çifti Martin’, vazhdon të zgjojë interesimin e artdashësve kosovarë. Regjisori Bekim Lumi nuk e fsheh kënaqësinë që ndien lidhur me shikueshmërinë dhe suksesin që ka arritur kjo shfaqje.

Megjithëse ka hyrë në vitin e saj të katërt prej kur është shfaqur premiera e saj, shfaqja ‘Çifti Martin’ vazhdon të zgjojë interesimin e adhuruesve të teatrit. Repriza e kësaj shfaqjeje do të jepet javën e ardhshme në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ndërsa regjisori i saj Bekim Lumi thotë se fakti që kjo shfaqje ende vazhdon ta magnetizojë publikun dëshmon se publiku ynë i do, i çmon dhe i respekton vlerat e mirëfillta artistike.

Kur bëhet fjalë për interesimin e publikut rreth shfaqjes, Lumi nuk gjen shpjegim tjetër përpos vlerave dhe standardit artistik me të cilin identifikohet kjo shfaqje. Ai shprehet se publiku e ka vlerësuar me praninë e tij të vazhdueshme në reprizat e saj që prej më shumë se tre vjetësh. “Fakti që ajo tashmë e ka nisur vitin e katërt të reprizave të saj dhe, si e tillë, ende vazhdon ta magnetizojë publikun dëshmon se publiku ynë i do, i çmon dhe i respekton vlerat e mirëfillta artistike.

Sigurisht, këtë shfaqje e ka bërë tërheqëse edhe loja e mrekullueshme e dy aktorëve Astrit Kabashi e Gresa Pallaska, falë gatishmërisë, talentit, energjisë, pasionit dhe përkushtimit të të cilëve, kjo shfaqje vazhdon të jetojë dhe të komunikojë kaq gjatë dhe kaq ngrohtë me publikun”, u shpreh regjisori Lumi.

‘Çifti Martin’ është një krijim artistik eksperimental i ndërtuar mbi një skenë të vetme (me një tekst prej tri faqesh) të antikomedisë ‘Këngëtarja tullace’ të Eugene Ionesco-s. E sajuar në formën e një parodie mbi motivin e ‘rinjohjes’ burrë e grua, përmes aventurës triviale të një çifti fiktiv, kjo shfaqje parodizon konvencionalitetin, falsitetin dhe ‘shkëlqimin’ e marrëdhënieve bukur shpesh të rrejshme bashkëshortore.

Në të vërtetë, shfaqja ‘Çifti Martin’ nuk është as më shumë e as më pak se veç një përrallë e përbotshme njerëzore, e cila, me ekspresivitetin e saj skenik, emotiv dhe artistik, synon ta rrëmbejë dhe ta fisnikërojë publikun, ta mallëngjejë, ta gëzojë, ta bëjë atë të qeshë dhe, njëkohësisht, të qajë me lot ironie, pikëllimi, dëshpërimi e gëzimi.

Lumi thotë se ‘Çifti Martin’ përkon shumë me realitetin në Kosovë dhe ndoshta ky mund të jetë çelësi i suksesit të kësaj shfaqjeje.

“Duke qenë një shfaqje e krijuar mbi histori dhe sekuenca të vërteta njerëzore, disa nga të cilat (siç është bie fjala me skenat e luftës) i kam krijuar duke marrë shkas nga përjetimet e prindërve të mi dhe historia e shpëtimit të tyre nga plumbat e policëve dhe paramilitarëve serbë, ajo gjithsesi përkon edhe më shumë nga historitë dramatike e tragjike të çifteve bashkëshortore në Kosovë.

Sidoqoftë, më shumë se vetëm me realitetin kosovar, kjo shfaqje, të cilën unë e quaj përrallë e përbotshme njerëzore, përkon me jetën, shpesh të çuditshme, të çifteve bashkëshortore në çdo kohë dhe në çdo hapësirë dhe, si e tillë, ajo, në paraqitjet e saj nëpër festivale të ndryshme ndërkombëtare, brenda dhe jashtë Kosovës, me ekspresivitetin e saj skenik, emotiv dhe artistik, ka prekur thellë në sensibilitetin e publikut. Zaten, kjo e bën këtë shfaqje të jetë sa e afërt dhe e rrokshme për sensibilitetin e publikut kosovar, po aq ngazëlluese, e rrokshme dhe komunikative edhe me publikun e huaj”, shprehet Lumi.

E kur bëhet fjalë për suksesin e shfaqjes jashtë Kosovës nuk duhet harruar paraqitjet dhe shpërblimet që i ka fituar nëpër festivale të ndryshme europiane. Gjatë viteve 2009 dhe 2010, ‘Çifti Martin’ e ka përfaqësuar Kosovën nëpër disa festivale teatrore ndërkombëtare si: Festivali Ndërkombëtar Teatror ‘Incontri Teatrali’ në Lugano (Zvicër), Festivali Teatror Kamertal ‘Risto Shishkov’ në Strumicë (Maqedoni), Festivali i Teatrit Kontemporan Europian ‘Euro-Scene’ në Leipzig (Gjermani) dhe në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Kamertal në Vratza (Bullgari).

Kjo shfaqje është nderuar me dy çmime ndërkombëtare: 'Shfaqja më e Mirë Muzikale' dhe 'Aktorja më e Mirë Femër'.

Lumi thotë se vlerësimi që shfaqjes ‘Çifti Martin’ i është bërë nga kritika teatrore në Kosovë, në Shqipëri, në Gjermani, në Zvicër, në Francë, në Bullgari apo në Maqedoni, është një ndjenjë jashtëzakonisht e mirë. “Sidomos kur këtë e bëjnë njerëzit që nuk të njohin dhe që, jashtë falsitetit, hipokrizisë apo meskinitetit ‘kolegial’, i shprehin hapur përshtypjet, admirimin dhe vlerësimet e tyre për shfaqjen.

Ndërkaq, ndjehem jashtëzakonisht i nderuar kur, mbas reprizave, spektatorët vijnë dhe më përgëzojnë për lojën e mrekullueshme të aktorëve dhe për vetë shfaqjen”, shprehet Lumi. Ai shton se i ndodh vazhdimisht, mbas çdo reprize, kur njerëz të ngazëllyer apo të prekur, me buzëqeshje apo me lot në sy, vijnë dhe ia shtrëngojnë dorën duke e përgëzuar dhe duke e falënderuar që, në këtë shfaqje, ka treguar diçka edhe nga historia e tyre bashkëshortore, apo sepse thjesht ajo i ka prekur, i ka mallëngjyer, i ka bërë të qajnë apo të qeshin.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›