E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet rekordmeni Bushi, largohet kapiteni Tare

Nga Franc Hoxha
Albania-sport- Tri ditë pas shpalljes së listës nga ana trajnerit të Sllovenisë, sllovenit Matjazh Kek (për arsye sigurimi), edhe homologu i tij, kroati Otto Baric, shpalli 23 lojtarët që do të grumbullohen në prag të sfidës zyrtare me Slloveninë (më 24 mars 2007, në Shkodër) dhe Bullgarinë (28 mars 2007, në Sofie). Lista është e mbushur plot me surpriza, ku ashtu sic edhe pritej janë emrat e sulmuesit Xhevair Sukaj (Vllaznia, Shqipëri), mesfushorit Jahmir Hyka (Olimpiakos, Greqi), rikthimi i Hamdi Salihit (SV Ried, Austri) dhe thirrja (teorike) për herë të parë e mbrojtësit Blerim Rrustemaj të Borusia Mënshengladbah II. Treshja e portierëve është tashmë një gjë e "vjetër": Arjan Beqaj (Anorthosis, Qipro), Ilion Lika (Dinamo, Shqipëri) dhe Isli Hidi(Tirana, Shqipëri). Mbrojtja përbehet nga Armend Dallku (Vorskla Poltava, Ukrianë), Elvin Beqiri (Metalurg Zaporezhnje, Ukrainë), Nevil Dede (Tirana, Shqipëri), Erjon Xhafa (Dinamo, Shqipëri) dhe Debatik Curri (Vorskla Poltava, Ukrianë). Risia në mbrojtje është rikthimi i Arjan Pishës (Tirana, Shqipëri)i thirrur vetëm për ndeshjen miqësore kundër San Marinos dhe në grumbullimin e fundit në Antalia. Reparti i mesfushës ka emra të njohur: Altin Lala (Hanover 96, Gjermani), Devi Mukaj (Tirana, Shqipëri), Klodian Duro (Tirana, Shqipëri), Lorik Cana (Olimpiku i Marsejës), Ervin Bulku (Tirana, Shqipëri) dhe emrat të rinj: Jahmir Hyka (Olimpiakos, Greqi) dhe Xhevair Sukaj (Vllaznia), i cili te ekipi i tij luan si sulmues i mirëfilltë. Për llogari të mesfushës është edhe sulmuesi i Hamburt (Gjermani) Besart Berisha. Edhe vija e parë ka befasinë e vet: mungesa e ish-kapitenit të Kombëtares, Igli Tare (Lacio, Itali), por edhe rikthimin e një emri tjetër sugjestionues, Alban Bushit (Apollon Kallamarja, Greqi), njëherësh edhe golashënuesi më i mirë i Shqipërisë me 14 gola. Në repartin e avancuar është kthyer edhe Hamdi Salihi (SV Ried, Austri). Dyshja tjetër e linjës sulmuese është Erjon Bogdani (Kievo, Itali) dhe Edmond Kapllani (Karlsruhe, Gjermani). Nga lojtarët e grumbulluar kundër Maqedonisë mungon edhe sulmuesi Migen Memelli (Bran Bergen, Norvegji).

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›