E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet sifilizi, të prekur dhuruesit e gjakut

 9 raste me sifiliz dhe 19 me virusin hiv janë shënuar vetëm këtë pjesë të parë të vitit në Tiranë. Autoriteti Shëndetësor Rajonal shpreh shqetësimin se të gjitha rastet janë diagnostikuar rastësisht dhe janë konstatuar nga Qendra Kombëtare e Gjakut.

Këta janë përjashtuar si dhurues dhe po kështu dhe mbi 240 persona të tjerë të diagnostikuar me hepatit B dhe C.

"Në Tiranë nga analizat që kryen Qendra Kombëtare e Gjakut dhe që konfirmohen nga Instituti i Shëndetit Publik rezultojnë që për këtë janë përjashtuar 211 raste sepse kanë rezultuar të infektuar me hepatitin B. Po kështu 42 raste të infektuar me virusin e hepatiti C. Janë deklaruar dhe 9 raste me sifiliz", deklaron epidemiologu Halil Stana.

Për këtë arsye specialistët e shëndetit në këtë sezon veror tërheqin vëmendje, që aktiviteti seksual të kryehet i mbrojtur dhe jo me persona të rastësishëm. Epidemiologu Stana apelon që emigrantët që kthehen për pushime dhe të rinjtë janë kontigjenti më në rrezik, ndaj ata duhet të jenë sa më të vëmendshëm kundrejt shëndetit të tyre.

"Këto janë nga depistimi pasiv. Nëse do të futemi për të bërë një depistim më të madh, sigurisht që do të jetë më e madhe. Përpara se të kryejmë marrëdhënie seksuale duhet që detyrimisht të mbrohemi ", shprehet epidemiologu, cituar nga AS.

Mjekët apelojnë, që çdo person i diagnostikuar të mjekohet në kohë nëse është i prekur nga sëmundje seksualisht të transmetueshme si sifilizi, herpesi apo gonoreja, pasi në të kundërt, riskohen me 10 herë për marrjen dhe transmetimin e virusit hiv. Po kështu, çdo person i dyshuar i drejtohet testimeve falas pranë ASHR-së, ku me anë të kiteve të shpejta diagnostikohen sëmundjet seksualisht të transmetueshme.  /Start/

                                                                                             2012-07-30 15:49
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›