Rikthehet terrori i maskave në Bulqizë, i grabiten 3 mln Lekë një kambisti
Bulqizë- Rikthehen maskat në rrugët e Shqipërisë. Vetëm pak ditë pas disa rastesh të grabitjes me armë emaska në muajin korrik, një tjetër ngjarje u regjistrua pasditen e së enjtes në qytetin e Bulqizës.
Sipas burimeve të policisë, një kambist është grabitur nga dy persona të maskuar e me armë të cilët i kanë marrë atij shumën prej tre milionë lekësh të vjetra.
Mësohet se dy grabitësit kanë ndaluar një kamionçinë në rrugën Ura e Çereneçit-Ostren në të cilën udhëtonin kambisti Ulmi Tomja dhe shoferi Astrit Koleci.
Falë ndërhyrjes së shpejtë të policisë është bërë i mudnur kapja e njërit prej autorëve, 20-vjeçarit Shefki Muka. Ndërsa është bërë identifikimi edhe i autorit të dytë dhe ka nisur puna për kapjen e tij.
Në korrik, katër anëtarë të një familje u plagosën nga tre grabitës të armatosur në dalje të qytetit të Pukës, pasi nuk pranuan të ndalonin në pritë, vetëm një ditë pasi një familje kosovare ishte grabitur në Rrugën e Kombit.