Shpërndarja e mandateve, PS-ja Kolegjit: KQZ-ja smerr dot vendim
Tiranë- Partia Socialiste ka depozituar sot në sekretarinë e Kolegjit Zgjedhor kërkesat për shpërndarjen e mandateve nga Kolegji për të gjitha qarqet e vendit.
Në kushtet kur KQZ është në pamundësi ligjore për ta marrë këtë vendim, si dhe afatet ligjore janë ezauruar, në mbështetje të neneve 145, 162 dhe 163 të Kodit Zgjedhor, Kolegji Zgjedhor është organi që duhet të bëjë shpërndarjen e mandateve, mbi bazën e rezultatit të votimit për Zonat Zgjedhore përkatëse, argumenton PS-ja.
Kërkesa e PS-së është ndërtuar mbi bazën e nenit 145/2 të Kodit Zgjedhor, duke konstatuar mosmarrjen e vendimit nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, paraqet kërkesë për shpërndarjen e mandateve. PS-ja i kujton Kolegjit Zgjedhor se Kodi Zgjedhor Neni 162 pika 1 përcakton se:
Jo më vonë se 3 ditë nga përfundimi i procesit të ankimit kundër vendimit për miratimin e rezultateve të zonës zgjedhore apo pavlefshmërisë së zgjedhjeve, sipas këtij Kodi, KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, mbi bazën e numrit të votave të vlefshme që subjektet kanë marrë në nivel zone zgjedhore.