E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet thatësira, bien prurjet në HEC-e

Rikthimi i motit të thatë pa reshje ka sjellë sërish rënie të prurjeve në HEC-et e kaskadës së lumit Drin. Sipas të dhënave nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, rreth 17 milionë kilovat/orë në ditë është importi i energjisë elektrike. Gjatë kësaj jave, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka importuar rreth 12 milionë kilovat/orë, ndërsa importi i kompanisë CEZ varion nga 4 në 5 milionë kilovat/orë në ditë. Situata jo e mirë hidrike kushtëzon këto sasi të larta të importit të energjisë. Të dhënat që vijnë nga sallat e komandave në tri hidrocentralet e lumit Drin tregojnë se ende ka probleme me mundësitë e prodhimit të energjisë. Një ditë më parë, liqeni i Fierzës ishte në kuotën 268.6 metra, rreth 28 metra nën nivelin maksimal që lejohet për periudhën e dimrit. Ndërsa prurjet në këtë basen ujor janë 170 metër kub, shifër kjo e ulët për periudhën, pasi gjatë dhjetorit mesatarisht prurjet variojnë nga 600 deri në 1 mijë metër kub në sekondë. Liqeni prej nga furnizohet hidrocentrali i Komanit, është në nivelin 171.3 metra, rreth 4 metra nën nivelin maksimal. Prurjet janë të ulëta edhe në këtë liqen, ku gjatë së mërkurës ishin 65 metër kub në sekondë. Vau i Dejës që është dhe liqeni i fundit në kaskadën e Drinit, është 73.3 metra. Derisa të nisin reshjet e bollshme, sistemi energjetik do të vijojë të importojë sasi të mëdha. Importi me sasi të mëdha i energjisë elektrike pritet t’i kushtojë mjaft shtrenjtë qeverisë shqiptare, sidomos në kushtet e një krize ekonomike në të cilën ndodhet vendi. Për shkak të mungesës së reshjeve dhe rritjes së kërkesës për energji, edhe në rajon çmimi po rritet me shpejtësi, duke e rritur çdo ditë e më shumë faturën. Por nga ana tjetër, prodhimi nga hidrocentralet është në kuota minimale, për shkak të mungesës së reshjeve, ndërkohë që kanë shteruar fondet edhe për import. Pak ditë më parë qeveria ka hyrë garant për marrjen e një kredie prej 40 milionë eurosh nga KESH, e cila do të përdoret për shlyerjen e faturave të importit të energjisë të këtij muaji.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›