E Diel, 1 Nëntor 2026

Bilanci i amnistisë, biznesit i falen 100 mln euro

Shuma e falur ndaj biznesit nga aplikimi i amnistisë fiskale gjatë këtij viti pritet të përmbyllet me një bilanc prej 15-20 miliardë lekësh. Zyrtarët e tatimeve pohuan se interesi për të aplikuar amnistinë është rritur

Biznesi ndërgjegjësohet për amnistinë fiskale. Zyrtarët e tatimeve kanë pohuar dje për mediat se muajin e fundit sportelet e tatimeve janë përballur me një fluks të madh nga ana e bizneseve, të cilët duan të deklarohen për të zeruar borxhet. “Ka një fluks të jashtëzakonshëm. Të gjitha bizneset e kanë kuptuar që kjo është në ndihmën e tyre. Deri tani falja është rreth 5 miliardë. Këto janë shifrat e fundit të nëntorit, deri në fund të vitit besoj se do të shkojmë rreth 15 miliardë, ose 20 miliardë”, - deklaroi nëndrejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Bujar Nuredini. Qeveria një ditë më parë e shtyu afatin për amnistinë fiskale edhe për tre muaj të tjerë, për shkak se ligji parashikonte përmbyllje të saj deri nesër. “Si pjesë e amnistisë është kryesisht falja e detyrimeve të prapambetura. Kemi shumë pak deklarime të mjeteve kryesore, të cilat duhet të ishin deklaruar. Amnisti pa kushte nuk ka. Në qoftë se një biznes deklaron se ka nevojë të bëjë amnisti për veten e vet për një shumë të caktuar dhe nesër nuk del kjo por del një shifër tjetër, atëherë do të zbatohet udhëzimi i Ministrisë së Financave”, - deklaroi Nuredini.

Drejtuesit e administratës tatimore bëjnë të ditur se gjatë këtij viti janë grumbulluar 3.4% më shumë të ardhura se në 2010-ën, një shifër që ata e konsiderojnë si e ardhur reale, pasi për shkak të amnistisë në të nuk janë përfshirë borxhet e vjetra të biznesit. Ligji për amnistinë e fiskale u miratua në maj të këtij viti dhe përfshin legalizimin e kapitalit, faljen e pasurive të paluajtshme, të pahipotekuara deri tani, dhe faljen e detyrimeve dhe taksave doganore. Gjithashtu, të gjitha bizneseve, të cilat deri më tani nuk janë pajisur me kasa fiskale, sipas ligjit në fuqi dhe janë penalizuar me gjobë, do t’iu falen gjobat sipas këtij ligji. Gjithashtu nga kjo shtyrje do të përfitojnë edhe emigrantët, të cilët në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit nuk ishin të pranishëm në vend. Sipas udhëzimeve të ligjit për faljen fiskale, ata do të vazhdojnë të ndjekin të njëjtat procedura të deritanishme deri më 31 mars 2012. Të gjitha kategoritë që mbulohen nga ligji do t’i nënshtrohen fillimisht plotësimit të formularit. Individi, personi fizik tregtar apo përfaqësuesi i tij që ka për të legalizuar kapital, plotëson në dy kopje formularin e aplikimit për depozitim shumash në të holla në një numër llogarie bankare të hapur prej tyre për këtë qëllim. Formulari i aplikimit vihet në dispozicion të aplikuesit nga të gjitha bankat e licencuara nga Banka e Shqipërisë. Aplikuesi do t’i paraqesë punonjësit të bankës dokumentin e identifikimit së bashku me formularin e aplikimit të plotësuar, duke i bashkëlidhur edhe fotokopjen e noterizuar të dokumentit të identifikimit. Ndërsa në rastin e rivlerësimit të pasurisë, individi do të procedojë duke paraqitur kërkesën për rivlerësim të pasurisë pranë zyrës vendore të regjistrimit të pasurive ku është regjistruar pasuria në pronësi të tij, duke plotësuar formularin e aplikimit. Ai mund të zgjedhë vullnetarisht nëse rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë ZVRPP-ja apo një ekspert i vlerësimit të pasurive i licencuar nga institucionet përkatëse. Deri më tani nga ligji i faljes fiskale, vetëm banesa janë rivlerësuar në një shumë prej rreth 700 milionë dollarësh dhe kanë përfituar mbi 14 mijë familje.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›