E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: Shpenzoni pa ngurrim

29/12/2011  E ardhmja, sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë është e pasigurt

Ulja e normës bazë të lekut do të sjellë kushte më të mira kreditimi në 2012

Zhvillimi i ekonomisë do të varet nga kërkesa e sektorit privat, investimet dhe konsumi i familjeve shqiptare. Duke theksuar prirjen dhe orientimin e vënë re të bizneseve dhe konsumatorëve drejt kursimit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, nënvizoi faktin se ecuria e këtyre dy treguesve do të kushtëzojë rritjen ekonomike. “Investimet në ekonomi kufizohen nga ecuria e kërkesës finale, nga ekzistenca e kapaciteteve të pashfrytëzuara të prodhimit, si dhe nga kujdesi i shtuar i bankave në kredidhënie. Në këtë kontekst, lehtësimi i vazhdueshëm i politikës monetare gjatë gjysmës së dytë të vitit 2011, pritet të reflektohet në kushte më të mira financimi për bizneset dhe familjet shqiptare, në mbështetje të konsumit dhe investimeve të tyre. Ecuria e këtyre të fundit do të kushtëzojë rritjen ekonomike në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme”,- tha Fullani, në daljen e fundit publike për vitin 2011.

Tendenca

Konsumi dhe investimet private vlerësohen nga Banka e Shqipërisë me ecuri të ngadaltë. Kjo për shkak se edhe të ardhurat e familjeve shqiptare nuk kanë pasur ritme të larta rritjeje. “Ecuria e ngadaltë e konsumit shqiptar ka reflektuar më së shumti orientimin e rritur të familjeve drejt kursimit. Konsumi privat ka gjetur një mbështetje më të lartë nga kredia konsumatore gjatë vitit 2011. Megjithatë, bankat raportojnë një kërkesë të zbehtë për kredi konsumatore, ndërkohë që konsumatorët kanë vijuar të hezitojnë në kryerjen e blerjeve të mëdha gjatë vitit 2011”, - nënvizoi Fullani. Muajt e fundit, kërkesa e sektorit publik është ngadalësuar, ndërkohë që kërkesa për mjete monetare e sektorit privat të ekonomisë ka shënuar rritje. Ritmet e rritjes së kredisë për sektorin privat kanë ndjekur trend rritës dhe qëndrojnë në nivelin 14.0% në muajin tetor. Kërkesa për kredi është shtuar, si nga bizneset, ashtu edhe nga individët, por ajo vazhdon të rritet ngadalë. Guvernatori përsëriti se sektori bankar është plotësisht në gjendje për të mbështetur një kërkesë më të lartë për financim. Zoti Fullani parashikoi kushte më të mira kreditimi nga bankat gjatë vitit të ardhshëm, edhe si reflektim i uljes së normës bazë të interesit. “Kushtet e financimit të ofruara nga sistemi bankar dhe parametrat e kapitalizmit, të likuiditetit dhe të shëndetit të tij, janë të përshtatshme për financimin e një kërkese të shtuar për konsum apo investime private në të ardhmen. Reduktimet e normës bazë të interesit duket se janë përcjellë menjëherë në tregun e parasë. Yield-et e letrave me vlerë të qeverisë në tregun primar kanë rënë. Tejçimi i uljes së normës bazë tek normat e interesit të depozitave dhe kredive pritet të ndodhë në të ardhmen, në përputhje me kohëvonesat e mekanizmit të transmisionit të politikës monetare”, - tha Fullani. Banka e Shqipërisë parashikon që për periudhën afatshkurtër dhe afatmesme presioni inflacionist në ekonominë shqiptare do të ngelet i dobët, veçanërisht në krahun e kërkesës, si rrjedhojë e ecurisë së ngadaltë të konsumit dhe investimeve.

Rreziqet

Sipas Guvernatorit, e ardhmja mbetet e pasigurt, për shkak të situatës në tregjet e huaja dhe sidomos në vendet partnere me Shqipërinë. “Projeksionet për ecurinë e pritur të ekonomisë në të ardhmen mbeten subjekt i një shkalle të lartë pasigurie, të diktuar kryesisht nga zhvillimet në ekonominë botërore. Analizat dhe vlerësimet tona sugjerojnë vazhdimësinë e normave të moderuara të rritjes së aktivitetit ekonomik në pjesën e mbetur të këtij viti dhe në vitin e ardhshëm. Ngadalësimi ekonomik në vendet partnere mund të reflektohet në një kërkesë të huaj më të dobët dhe në ngadalësim të mëtejshëm të eksporteve shqiptare”, - nënvizoi Fullani. Sipas tij, qeveria nuk ka hapësira për stimuj fiskalë, pasi është e detyruar të ruajë qëndrueshmërinë fiskale dhe kontrollin e treguesve të deficitit dhe të borxhit publik. Kjo do të sjellë kontribut në rënie të sektorit publik për rritjen e kërkesës agregate gjatë vitit 2012.

Norma bazë

Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 4.75%. Një vendim i tillë përputhet me përmbushjen e objektivit afatmesëm për inflacionin, duke mundësuar kushte monetare të përshtatshme për zhvillimin e aktivitetit ekonomik në vend. Banka e Shqipërisë mbetet e vëmendshme ndaj zhvillimeve të ardhshme ekonomike dhe financiare, brenda dhe jashtë vendit dhe vigjilente në përmbushjen e mandatit të saj.

Vlerësimi

Një zhvillim pozitiv për tregjet financiare në vend është rikonfirmimi i primit të vlerësuar të rrezikut për borxhin e qeverisë, nga agjencitë Moody’s dhe Standard & Poor, si dhe parashikimi për qëndrueshmëri të tij në të ardhmen. Dy agjencitë ndërkombëtare pak ditë më parë ruajtën nivelin e vlerësimit të borxhit sovran për Shqipërinë, përkatësisht në nivelet B1 dhe B+, duke e quajtur të qëndrueshme ekonominë shqiptare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›