E Diel, 1 Nëntor 2026

Organizata ILO, rezolutë për shfrytëzimin e fëmijëve në punë

Rezoluta më e fundit e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, ILO, kërkon nga të gjitha vendet që të luftojnë fenomenin e punës së fëmijëve. Kjo rezolutë u miratua pas një konference disa ditore, me përfaqësues nga të gjitha vendet, pasi situata është tepër

shqetësuese, edhe si pasojë e krizës financiare. Të dhënat më të fundit tregojnë se aktualisht në botë ka rreth 215 milionë fëmijë që punojnë e nga të cilët 115 milionë janë të përfshirë në punë të rrezikshme për jetën. "215 milionë fëmijë nga të cilët, 115 milionë janë të përfshirë në punë të rrezikshme. Fëmijë që punojnë në kushte të papërshtatshme dhe të rrezikshme për shëndetin e tyre. Fëmijë që përfshihen në procese trafikimi, prostitucioni, por dhe për qëllime të tjera ka shumë praktika ku fëmijët shiten apo jepen borxh, për të shlyer borxhet e familjes", thotë Etleva Vertopi, menaxhere e programit kombëtar të punës. Vendi ynë thotë specialistja, nuk ka patur shifra zyrtare për punën e fëmijëve, por në fillim të kësaj vjeshte do të jetë gati studimi i parë, që do të japë të dhëna për punën e fëmijëve në Shqipëri.  "Nuk ka patur der më sot të dhëna për përfshirjen e fëmijëve në bujqësi, apo në sektorë të rëndësishëm dhe të vështirë siç janë minierat, industria, shërbimet", vijon ajo. Aktualisht studimi është në fazën e mbledhjes së të dhënave të cilat pritet të jenë gati në fund të muajit dhe janë marrë në pyetje mbi 8000 familje të zonave të ndryshme të vendit.

Last Updated on Saturday, 15 May 2010 20:38

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›