Rikthimi i Hernandezit

Javier Hernandez është rikthyer furishëm duke shënuar dy gola për Manchester United, duke i ndihmuar ‘Djajtë e Kuq’ të rikthehen nga disavantazhi prej 2:0 në 3:2 ndaj Bragas në Ligën e Kampionëve.
“Po mendoja, ne na duhen tri gola tjerë dhe më pas i rrëmbyem tri pikë. E nisëm keq ndeshjen, por për fat të mirë i realizuam tri gola dhe tash duhet të shikojmë përpara”, theksoi ‘Chicharito’ pas ndeshjes për ITV1.
“Këtu kam mësuar shumë dhe kur të më jepet rasti, duhet ta jap më të mirën”, vazhdoi meksikani.
Paraqitja e tij e mirë e ka vënë në siklet edhe menaxherin Sir Alex Ferguson, i cili është në hamendje se kë ta vendosë në formacionin bazë.
“Ai stërvit në mënyrë mahnitëse, po përmirësohet në çdo moment dhe po më bën të mendoj seriozisht. Me të, Van Persien, Rooneyn e Welbeckun nuk e di se çka të bëj me ta, të jem i sinqertë”, ka deklaruar trajneri skocez, i cili e duartrokiti ekipin e tij për reagimin që bëri në pjesën e dytë.