Rikthimi i “Hetuesisë”, zbardhet takimi Basha-Rama
Autori i Lajmit: Silvana Balliu
Rikthimi me ligj i Hetuesisë, si strukturë në Ministrinë e Brendshme ka detyruar ministrin e Brendshëm, Lulëzim Basha dhe Kryeprokuroren, Ina Rama të takohen në zyrën e kësaj të fundit. Projektligji më i ri për policinë gjyqësore ka qenë kryefjala e takimit, duke qenë se ditët e fundit specialistët kanë hedhur dyshime se me miratimin e tij, Prokuroria do të humbë terren për sa i përket hetimit. Skeptikët kanë hedhur akuza se ligji do ti heqë të drejtën e hetimit prokurorëve, për tia kaluar këtë kompetencë organit të ri të policisë gjyqësore. Por, dy zyrtarët e lartë, ministri Basha dhe kryeprokurorja Rama e kanë pranuar se në qendër të debatit ishte ky ligj, por janë shprehur kundër zërave të tillë. Ministri Basha dhe kryeprokurorja Ina Rama, diskutuan gjithashtu për përcaktimin e detyrave konkrete për strukturat e hetimit të policisë dhe prokurorisë për zbatimin e ligjit "Antimafia", një instrument shumë i rëndësishëm ligjor për të goditur krimin e organizuar dhe asetet e tij ekonomiko-financiare.
Ligji Antimafia
Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha deklaroi se gjatë takimit të tij me Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama, kanë diskutuar mes tyre kryesisht për ligjin Antimafia. Ky i fundit hyri vetëm para pak ditësh në fuqi, ndërsa Parlamenti e ka kaluar atë me kundërshtimin e opozitës për nenet e tij, jashtë dyerve të legjislativit. Gjatë takimit mes Prokurores së Përgjithshme Rama dhe Ministrit të Brendshëm Basha u ra dakord edhe mbi procesin e trajnimeve të përbashkëta të prokurorëve dhe të oficerëve të policisë gjyqësore. Prokurorja e Përgjithshme Rama tha se së bashku me Ministrin e Brendshëm Basha shprehën “angazhimin e plotë për të nxitur dhe inkurajuar një bashkëpunim sa më intensiv polici-prokurori në luftën kundër krimit të organizuar”. Në takim u diskutua si një çështje e veçantë edhe projektligji i ri i përgatitur për Policinë Gjyqësore dhe modalitetet përkatëse të tij. Rama në një komunikatë për medien vuri në dukje se me Basha diskutuan gjithashtu për përcaktimin e detyrave konkrete për strukturat e hetimit të policisë dhe prokurorisë për zbatimin e ligjit ”Antimafia”, një instrument shumë i rëndësishëm ligjor për të goditur krimin e organizuar dhe asetet e tij ekonomiko-financiare. Krahas luftës së vazhdueshme kundër kriminalitetit, trafiqeve të paligjshme dhe trafikut të qenieve njerëzore, Rama ka theksuar se strukturat hetimore të policisë dhe prokurorisë do të thellojnë bashkëpunimin edhe për hetimin dhe zbulimin e krimeve të vjetra.
Kriza politike
Duket se këto takime po realizohen edhe në kuadrin e një situate të rënduar politike, teksa pritet ulja në një tryezë të përbashkët mes liderëve politikë Rama dhe Berisha për zgjidhjen e krizës së krijuar muajt e fundit. Në takimin e djeshëm, ishin të pranishëm edhe zv.ministri i Brendshëm Avenir Peka, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj dhe zv.drejtori i Përgjithshëm për Hetimin e Krimit të Organizuar, Agron Kuliçaj, Drejtori i Hetimit të Prokurorisë së Përgjithshme, Sokol Stojani dhe Drejtori i Inspektimit Arben Dollapaj.
Ky lajm është publikuar: 05/02/2010