E Diel, 1 Nëntor 2026

Çonte pistoletë dhe fishekë drejt Greqisë me autobusin e linjës, arrestohet

Autori i Lajmit: Redaksia
Një person është arrestuar në flagrancë ndërsa po trafikonte një armë zjarri dhe municion luftarak drejt tokës greke duke udhëtuar me një autobus të linjës Shqipëri-Greqi. Lajmi konfirmohet nga burime policore të Gjirokastrës, sipas të cilave i ndaluari është Sotir Zako, 19-vjeç, lindur dhe banues në Skrapar. Bëhet me dijeni se policët kishin marrë informacion në rrugë operative se në autobusin e linjës Tiranë-Athinë udhëtonte një person, i cili donte të trafikonte për në shtetin grek armë zjarri dhe municion. Prandaj ata e kanë ndjekur autobusin gjatë gjithë rrugës derisa ai mbërriti në pikën kufitare të Kakavijës, ku kanë bërë edhe bllokimin e tij. Nga kontrolli i imtësishëm i këtij mjeti ka rezultuar se i ndaluari Zako kishte një pistoletë model “54” prodhim kinez si dhe 7 fishekë, të fshehur në një çantë shpine të cilën e kishte vendosur në bagazhin e autobusit, me qëllim trafikimin e tyre drejt Greqisë.
Ky lajm është publikuar: 05/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›