Bujar Nishani “Përjashtimi i Prokurorisë, shkelje e Kushtetutës”
Autori i Lajmit: Redaksia
Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani ka hedhur poshtë zërat se do të anashkalohet Prokuroria në hetime, në rast të miratimit të ligjit për policinë gjyqësore. Nishani tha se, projektligji Për policinë gjyqësore, nuk i heq të drejtën e hetimit Prokurorisë. Sipas Nishanit, kjo e drejtë është e përcaktuar në Kushtetutë. “Këto ndërhyrje nuk mund të prekin të drejtën e hetimit që Kushtetuta ia jep organit të Prokurorisë, pasi një ndërhyrje e tillë do të thotë ndryshim në Kushtetutë”, u shpreh Nishani. Numri një i Drejtësisë nuk ka pranuar faktin se prokurorët nuk do të mund të ndërhyjnë në hetime, ai thotë se po punohet në bazë të një urdhri të përbashkët midis Ministrit të Brendshëm dhe Prokurorit të Përgjithshëm dy vjet më parë. “Baza mbi të cilën po punohet është një udhëzim i përbashkët i firmosur para dy vitesh nga Ministria e Brendshme dhe Prokurorja e Përgjithshme”, u shpreh Nishani. Pas daljes nga Prokuroria e Përgjithshme ku takoi Ina Ramën, edhe ministri i Brendshëm, Basha ka këmbëngulur në të njëjtin qëndrim. Megjithatë, e reja e këtij ligji është se prokurorët do të drejtojnë hetimet dhe do të japin urdhra konkretë për oficerët e policisë gjyqësore, por pa ndërhyrë në hetime. E drejta ligjore për të bërë hetime është e hetuesve, ndërsa prokurorët do të përfaqësojnë organin e akuzës në gjykatë. Ligji i ri që po hartohet në Ministrinë e Drejtësisë do të përcaktojë marrëdhëniet midis policisë gjyqësore dhe prokurorëve, ndërsa do të përcaktohen qartë edhe uljet e ngritjet në detyrë. Pas fillimit të hartimit të këtij ligji, organi i Prokurorisë së Përgjithshme ka shprehur gatishmërinë që të asistojë në grupin e ekspertëve, për të shfaqur mendimet për ndryshimet që do të realizohen. Një nga “përplasjet” e vazhdueshme midis policisë dhe prokurorisë ka qenë vartësia ndaj policisë gjyqësore, ndërsa ndër vite është diskutuar se kush mund të kryesojë hetimet në një procedim penal.
Ky lajm është publikuar: 05/02/2010