E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthimi i Kaka tek Milani? Galiani: Disa dashuri nuk përfundojnë kurrë

Disa dashuri nuk përfundojnë kurrë. Ndahen e më pas rikthehen sërish. Kjo ishte fjalia që administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galiano zgjodhi për tiu përgjigjur zërave për një rikthim të mundshëm të Kaka tek kuqezinjtë. Kaq mjafton për të kuptuar se rikthimi i asit brazilian në San Siro për Milanin nuk është veç një ide, por po hidhen edhe hapa konkretë. Mbrëmjen e së martës, Galliani ka patur një takim në një restorant të Milanos me agjentin e Kakaku sigurisht që nuk është folur vetëm për kuzhinën. Tifozët milanistë janë nostalgjikë për kohët e arta kur vallëzimet e Kaka në fushë u siguronin trofe. Por veç kësaj, tek drejtuesit kuqezinj kjo shihet edhe si mundësia më e mirë për tu pajtuar me ta, pas largimit drejt PSG-së të Thiago Silva dhe Ibrahimoviç. Tek Reali nuk pëlqehet nga Mourinho, ndërsa vetë madrilenët kërkojnë ta shesin sa më parë për tu liruar nga barra e një page të majme, që për më tepër nuk aktivizohet, shto këtu edhe marrëdhëniet e mira mes Milanit dhe kampionëve të Spanjës, marrëveshja mund të arrihet shpejt.
Sa i dobishëm është Kaka?
Por sa i dobishëm është Kaka për kuqezinjtë? Analistët italianë të futbollit thonë se Milani nuk duhet të hedhë sytë nga e kaluara, por të shohë të ardhmen. Askush të mos presë një rikthim në ditë më të mira të Kaka, thonë ata, duke u risjellë në kujtesë tifozëve milanistë rikthimin e Shevchenko në sezonin 2008-2009një dështim total.
E ardhmja në 72 orë
Rikardo Kaka ka 72 orë kohë për të vendosur të ardhmen e tij, para se këtë vendim ta marrë Real Madrid. Klubi madrilen i ka bërë të qartë lojtarit se nuk bën pjesë në planet e të ardhmes dhe do të bënte mirë të gjente shumë shpejt një ekip. Atij i është thënë se në skuadër nuk ka më hapësira dhe për këtë arsye, i janë dhënë 72 orë kohë për të menduar se çfarë të bëjë. Këto tre ditë përkojnë me udhëtimin e skuadrës madrilene drejt Portugalisë e më pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas asaj që raporton Marca, Kaka duhet të gjejë një sistemim vetë para të shtunës, në mënyrë që të evitojë një figurë të keqe, pasi Murinjo nuk dëshiron ta ketë me vete atë si në ndeshjen kundër Benfikës, ashtu edhe në turneun amerikan. Si Reali, ashtu edhe futbollisti, kanë rënë dakord se nuk do të ishte në të mirën e të dy palëve që futbollisti të përfundonte duke u stërvitur i vetmuar në ambientet e klubit ndërsa pjesa tjetër e ekipit do të luante futboll në anën tjetër të Atlantikut.

—————–
Henri kërkon të kthehet te Arsenali
Tierri Henri ka zbuluar se është gati të zhvillojë bisedime të tjera me trajnerin Arsen Venger me synimin për tu kthyer në radhët e Arsenalit. Legjenda e topçinjve mendon që të bëjë një tjetër kthim triumfal në radhët e skuadrës ku u bë i famshëm, ashtu siç ndodhi në sezonin e kaluar. Sigurisht që do të dëshiroja të kthehesha te Arsenali, tha Henri. Në sezonin e kaluar nuk e kisha planifikuar të shkoja atje, ndodhi vetëm sepse Gervinjo dhe Ccamak shkuan në Kupën e Afrikës. Gjendesha atje për stërvitje dhe më pyetën nëse dëshiroja të luaja. Por tani kush di të thotë se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen? Nuk kam folur ende me Arsen (Venger) rreth kësaj çështje ndaj nuk e di se në çfarë rrethanash mund të kthehem në këtë klub. Trajnimi më intereson, por nuk di të them me saktësi nëse kjo është rruga që do të ndjek pasi të braktis futbollin e luajtur. Por të jeni të sigurt se do të kthehem te Arsenali, ishin fjalët e 34 vjeçarit. Futbollisti francez ka edhe 18 muaj të mbetura në kontratën e tij me Nju Jork Red Bulls në kampionatin amerikan të futbollit.

——–
Plani B i Juves është Dzeko, Inter Lukasin
Juventusi vazhdon të mbajë të hapura bisedimet me dy alternativat e sulmit, Jovetiç dhe Van Persi, që dy dyja mjaft të vështira për tu arritur, e për këtë, bardhezinjtë kanë një plan B; Dzeko. Juventus kërkon ta marrë boshnjakun në formë huazimi nga Manchester City me të drejtë blerjeje në fund të sezonit, por kjo ofertë as që është marrë në konsideratë nga kampionët e Anglisë. Alternativa tjetër e bardhezinjve mbetet Pazzini që mund të mbërrijë në Torino falë një shkëmbimi kokë për kokë me Fabio Quagliarella. Por gjithsesi mediat italiane theksojnë se Juventusi një top-player do ta blejë me çdo kusht. Ndërkohë, Interi vijon pazarin në Brazil ku objektivi numër një mbetet Lukas, i kërkuar me ngulm edhe nga Ferguson. Inter ka paraqitur ofertën e tij, edhe United gjithashtu dhe në Milano flasin për një rritje artificiale të vlerës së kartonit të lojtarit nga skuadra braziliane e Sao Paolos, ndërsa në Angli flasin për një transferim të brazilianit tek Djajtë e kuq.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›