E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthimi i Kubices

Ja ku erdhi kjo ditë për të. E madhe apo e mallkuar, kjo varet sesi e mendon ai vetë. Robert Kubica, rikthehet në timonin e një makine shpejtësie më shumë se 2 vjet pas aksidentit të rëndë në një pistë të Formula 1-it në vitin 2010 në drejtimin e një Renoje.
Polaku 28 vjeçar ende nuk mund të përballojë një makinë të tillë, por e fillon me një makinë DTM. Ndoshta do t’ia dalë që të rikthehet në Formula 1, aty ku vdekja nuk është larg.
 “Ndihem shumë më mirë sesa këta dy vjet, por është e qartë se isha më i fortë para aksidentit. Unë pata dëmtime të rënda ndaj më duhet ende një rrugë e gjatë për të qenë ashtu si më parë. Gjithsesi, dalë nga dalë, po ia dal. Jam duke punuar shumë dhe ja ku ia dola të nis testimet këtu në Valencia, ndonëse ende jo teste të Formula 1”, u shpreh Kubica. 
Për momentin ai duhet të kënaqet me kaq. Trupi i dëmtuar nuk përballon dot më shumë. Por shpresa mbetet gjallë dhe Robert Kubica duket sikur thotë “do të kthehem përsëri tek më të mirët”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›