E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja Gërdeci, dëshmon gjenerali i shkarkuar

Ish-komandanti i Komandës Mbështetëse, Zija Bahja, u pyet nga prokurorët për transportin e municionit nga depot në fabrikën e çmontimit. Nën hetim dhe urdhrat e Mediut për kalimin e tre mijë predhave të kalibrit 107 mm

TIRANË -  Zija Bahja, gjenerali i shkarkuar me dekret të Presidentit, është ushtaraku i fundit që dha dëshminë e tij rreth transportit të municioneve nga depot e ushtrisë drejt punishtes së Gërdecit. Ish-komandanti i Komandës Mbështetëse, Gjeneral Brigade Bahja u thirr gjatë fundjavës së kaluar nga hetuesit e dosjes “Gërdeci”, për të dhënë shpjegime rreth daljes së municioneve nga depot e ushtrisë dhe transportin e tyre me automjetet e ushtrisë në punishten e Delijorgjit.

Dëshmia e gjeneralit

Rreth mesditës së të premtes, gjenerali tashmë i shkarkuar u paraqit për herë të parë Prokurorinë e Përgjithshme, pasi që nga 15 marsi kur ndodhi dhe tragjedia në Gërdec, grupi hetimor nuk ka marrë asnjëherë dëshminë e gjeneralit, duke u bërë i vetmi ushtarak i lartë që nuk është thirrur nga organet hetimore. Burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme thanë se ish-komandanti i Komandës Mbështetëse u thirr për herë të parë në prokurori, për të dhënë shpjegime rreth detyrave dhe rolit që kishte komanda e drejtuar nga Bahja në çështjen “Gërdeci”. Mësohet se dëshmia e gjeneralit, i cili aktualisht është në gjyq me Presidentin e Republikës për shkarkimin e tij nga detyra, është përqendruar rreth sasisë së municioneve të dala nga depot e ushtrisë. Sipas burimeve, bëhet me dije se në gjithë dëshminë e tij, Gjeneral Brigade Zija Bahja i është referuar hierarkisë ushtarake dhe zbatimit të urdhrave, ashtu siç ka bërë edhe me municionet që kishin si destinacion Gërdecin. Bëhet fjalë për zbatimin e dy urdhrave të ministrit të Mbrojtjes, përkatësisht atë me nr. 550, datë 25 prill 2007 dhe urdhrin nr. 2044, datë 7 dhjetor 2007, që ngarkon Komandën Mbështetëse për kalimin e municioneve ndërmarrjes “Meico”, e cila kishte kontratë demontimi me kompaninë amerikane “SAC”.

Urdhri i Mediut

Burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme bëjnë me dije, se një pikë tjetër në të cilën është përqendruar dëshmia e gjeneral Zija Bahja, është dhe nxjerrja e një sasie municioni që nuk ishte parashikuar në dy kontratat për demontim, që “Meico” kishte me “SAC”. Konfirmohet fakti se, me urdhër të ministrit janë nxjerrë nga depot e ushtrisë një sasi prej rreth tre mijë predhash të kalibrit 107 mm, të cilat do të përdoreshin për eksport. Ky urdhër sipas prokurorisë, tashmë është në dorën e hetuesve, të cilët pritet të sekuestrojnë pranë arkivave të ndërmarrjes “Meico” praktikat e shitjes së këtij municioni, për të parë dhe destinacionin përfundimtar. Gjithashtu, nga sekuestrimi i këtyre praktikave pritet të zbardhet edhe blerësi i këtyre municioneve dhe qëllimet që do përdoreshin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›