Rikthimi i hekurudhës, qytetarët shkodranë nostalgjikë për udhëtimet me tren

Linja hekurudhore në Shkodër së shpejti do të ketë një pamje të transformuar.
Hapi u hodh pak ditë më parë, teksa u prezantua studimi i fizibilitetit të linjës hekurudhore Durrës–Prishtinë, e cila do të kalojë përmes Shkodrës.
Nostalgjikë për udhëtimet me tren, qytetarët shkodranë thonë se pas përfundimit të investimit do i rikthehen trenit jo vetëm si pjesë e udhëtimit të sigurt, por edhe më të lirë.
“Gjë më të mirë nuk ka. Të mos funksionojnë më makinat, sepse po ndotin ajrin dhe po qelbet kjo botë. Treni është gjëja më e mirë. Uroj të bëhet sa më shpejt,” shprehet një qytetare.
“Është një mrekulli. Mbas Rrugës së Kombit, kjo është rruga hekurudhore, ndër pasuritë më të mëdha që do të ketë Shqipëria dhe Kosova, sepse na lidhin me detet,” shton një tjetër qytetar.
Hekurudha Durrës–Prishtinë do të ketë si pikë kyçe Shkodrën.
Nga Shkodra në Gjakovë do të ketë 7 stacione dhe një gjatësi prej 100 km.
Ky investim strategjik infrastrukturor do të përfshijë 43 ura dhe 14 tunele me një gjatësi totale tunelesh prej 35,3 km. Përfundimi i kësaj vepre pritet të rikthejë shkëlqimin e munguar drejt hekurudhës.
Gazetare: Merisa Gjoni
/rtsh.al/