E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikualifikim Urban tek ish-pista e aviacioneve, Basha: Do mbajmë premtimet e bëra

TIRANË- Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ishte i pranishëm sot në nisjen e punimeve për rikualifikimin urban të zonës tek ish-pista e aviacioneve, Tiranë.

Në një prononcim për mediat, kryebashkiaku Basha u shpreh i lumtur që kthehej në zonën ku ai ka qenë deputet, për të përmbushur një pjesë të ndërtimeve të cilat nuk i kreu për shkak të pengesës që hasi në kohën kur socialistët drejtonin Bashkinë e Tiranës.

“Ndaj qytetarëve të Tiranës kam detyrim të veçantë, së pari si kryetar bashkie dhe një detyrim të hershëm si ish-deputet i zonës, dhe kam kënaqësinë e veçantë të kthehem për të mbushur një pjesë të nevojave dhe premtimeve që nuk i realizuam dot pasi i përkisnin Bashkisë së Tiranës, por sot jemi kthyer për t'i dhënë kësaj zone parametrat evropianë. Jemi këtu për të filluar punimet për një bllok prej 14 hektarësh projektin e të cilit e punuam bashkë dhe bëmë tenderin e zbatimit  dhe që kontraktori premtoi se do përfundojë punimet brenda 6 muajve të ardhshëm. Ndërtimi i këtij blloku është një provë tjetër për Njësinë 7 se ne jemi të dedikuar ndaj qytetarëve pavarësisht se ku jetojnë dhe bindjeve politike, pasi për ne qytetari është i pari”, u shpreh Basha. 

“Mesazhi im është që brenda gushtit do të mbyllim projektet teknike, kanalizim, gjelbërim, sheshe për fëmijë etj, për Njësinë Bashkiake Nr 7, në bashkëpunim me qeverinë që financon pjesën më të madhe të projekteve me qytetarët e Tiranës”, përfundoi Basha.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›