E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rikujtimi” i një baritoni të madh

05/10/2011  Lukë Kaçaj

Cili ishte fati tragjik dhe pse u arrestua dhe u burgos artisti Lukë Kaçaj. Jeta përkrah Anës së bukur dhe shkollimi në Moskë e kthimi në atdhe.

Të rremë, pa asnjë të vërtetë dhe denigruese i cilëson Zhani Ciko akuzat e bëra në emër të tij, të cilat e lidhin emrin e Cikos me internimin dhe burgimin e artistit shqiptar Lukë Kaçaj.

E gjithë kjo është bërë publike në një mbledhje të para pak kohësh ku është kërkuar që shkollës së mesme të Patosit, që mban emrin e tij ti hiqet emri për këtë arsye.

“Nuk e di cili është ai Këshill, i cili ditën e dytë të fillimit të punës ka sajuar një çështje të tillë të ulët dhe pa asnjë të vërtetë, a të thuash se ska çtë bëjë pasi i ka zgjidhur më së miri gjithë problemet e rajonit. Mendjelehtësi apo manipulim?! Shkolla e mesme e Patosit me unanimitetin e të gjitha forcave politike prej rreth 5 vitesh mban emrin tim duke më bërë një nder që konsiderohet si plotësisht i merituar nga i gjithë komuniteti, kjo si rezultat i qëndrimit tim në periudhën e të ashtuquajturit riedukim mbas Pleniumit të IV-të famëkeq në atë qytet dhe më pas. Me përgjegjësi juridike ju konfirmoj se asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk kam marrë pjesë në ndonjë proces gjyqësor politik dhe as kam dëshmuar ndonjëherë për dikë që ka qenë në ato pozita të vështira”, shprehet Ciko.

“Mendoj se persona që hiqen si familjarë të të persekutuarve dhe dëshirojnë prej vitesh të përfitojnë postin tim të punës, post të cilin e kam siguruar përmes meritokracisë dhe i kam shërbyer me devocion, me rezultate të shkëlqyera të njohura brenda dhe jashtë vendit, si dhe elementë të tjerë të pacipë dhe moralprishur rreth tyre kanë sajuar këtë shpifje të ulët, të cilën e përbuz me neveri”, vazhdon Ciko, ndërsa shpreh keqardhjen për gjithë ata, të cilët i janë bashkuar kësaj farse duke rënë viktimë, “farsë e cila edhe politikisht është tërësisht e pajustifikuar dhe nuk e nderon forcën që e ka sajuar apo mbështetur”.

Po kush është baritoni Lukë Kaçaj, i cilësuar shpesh si njeriu dhe artisti me fat tragjik, i cili në rrethana të tjera do të kishte përjetuar një jetë dhe karrierë të mrekullueshme?!

Baritoni i famshëm që rusët e kishin lutur të qëndronte gjithmonë në Moskë dhe që kishte zgjedhur të kthehej në atdhe si dishepull i Françeskut të Asizit e që nuk i ndahej shpirti nga Shkodra, kishte kënduar që i ri në korin e kapeles Halelujën e Hendellit.

I lindur në vitin 1924, Lukë Kaçaj studioi operistikë në konservatorin rus “Çajkovski”. Mori prej andej të gjitha lavdet që mund të ketë marrë çdo këngëtar i madh i operave klasike. E quajtën mjeshtër, bariton me vlera universale. Këndoi në teatrot operistike ruse. U kthye në atdhe me një opinion të papërsëritshëm për askënd tjetër. Këndoi në operën shqiptare. Disa studentë të kantos patën fatin ta kishin pedagog. Në vitin 1965 e ftuan të këndonte në Balshoj Teatër dhe shteti shqiptar nuk e lejoi. Edhe sot, të gjithë ata që kanë qenë të pranishëm e të rreshtuar në hyrje të Akademisë së Arteve në Tiranë, në vitin 1974 do ta kujtojnë si fatin e tyre të keq, memorizimin e arrestimit të gjigandit të zërit. Ai mbante mbi supe pallton e tij dhe duart para të prangosura si armik i popullit. Ai vuajti mjediset e burgjeve dhe doli prej andej i dërmuar. Vdiq në vitin 2001 dhe dëshiroi të varrosej në varrezat e periferisë së Kurbinit. Luka nuk e ka portretin në mjediset e Teatrit të Operës dhe Baletit, madje asnjë shenjë memoriale, që publiku shqiptar të mund ta kujtojë.

Dritë-Hijet e Një Karriere

- Kushtuar Baritoni Lukë Kaccaj *

Nga mugëtira e kohëve të shkuara, si një rezonancë e jehonës dikur triumfatore, ndihet akoma zëri aq i thellë e i ngrohtë i njërit prej këngëtarëve më të shquar shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XХ, baritonit Lukë Kaçaj. Në kujtesën e shumëkujt, emri i tij ka mbetur si i lënë mënjanë, dhe kjo, jo sepse fama e tij nuk la ato gjurmë të pashlyeshme tek çdonjëri që e admiroi dhe е duartrokiti me zjarr në skenat tona dhe ato të huaja, por sepse koha, e mbarsur me paragjykimet e saj, u mundua ta shuante këtë emër nga kujtesa njerëzore: Luk Kaçaj!

Sa vite kanë kaluar!... Çudi, vijnë momente që të rifreskojnë kujtesën në skutat më të fjetura të saj! Po ku ka qenë gjithë këto vite? - pyesin ata që e kanë njohur. Тë tjerë, që nuk kanë arritur ta shohin në skenën e shfaqjes thonë: - Kush është ky këngëtar që se kemi dëgjuar ndonjëherë as për emër e që se kemi parë ndonjëherë në skenë..?! Jua them unë se kush është: Luk Kaçaj, është interpretuesi i dhjetëra arieve, romancave, këngëve popullore dhe baladave epiko-legjendare. Lukë Kaçaj është ai që tronditi skenat më të mëdha të Bashkimit Sovjetik, Polonisë, Çekosllovakisë, Gjermanisë, Bulgarisë, Hungarisë etj.

Në shtetet e ndryshme ku debutoi, ai u quajt "Shaljapini i ri shqiptar".

Në vitin 1953, në festivalin е Dytë të Rinisë që u mbajt në Bukuresht, me interpretimin e aries së Filipit nga opera “Don Karlos” e Verdit, zëri i tij dhe fama u përhapën në të gjithë Evropën - këtu Kaçaj fitoi dhe çmimin e dytë ndërkombëtar të festivalit. Më pas, në vitin 1955, në konkurrimin e Balshoj Teatrit të Moskës, Luka, ndërmjet 170 këngëtarëve konkurrues, arriti të fitojë vendin e katërt, duke lënë pas vetes këngëtarë me përvojë të gjatë skenike e me emër. Në nëntor të vitit 1958, me rastin e afrimit të festës së çlirimit, dega e Balshoj Teatrit të Moskës dha operën “Berberi i Seviljes” të Mozartit me pjesëmarrjen e artistëve shqiptarë dhe rusë. Ndërmjet të tjerash, redaktori i gazetës së këtij teatri shkruante kështu për Lukën në rolin më të preferuar të tij, atë të Don Ваzilios: “Tek ai, ne раmë baritonin e mrekullueshëm dhe artistin e shkëlqyeshëm”. Lukë Kaçaj në filmin “Dasma”. Pas tre vjetësh, рër merita të veçanta në fushën e interpretimit dhe të propagandimit të artit shqiptar, Luk Каçаj, 36-vjeçar, nderohej me titullin «Artist i Merituar». Në turnetë e shumta që bëri jashtë shtetit, Luken e lakmuan dhe u munduan ta blejnë tri herë, por ai nuk pranoi. «Nuk ka artist në botë që mos dojë vendin e vet», - na thotë Luka. Gjithmonë indiferent ndaj ofertave, ndaj jetës aventureske е ndaj раrasë që i ofronin, ai adhuronte çdo pëllëmbë të vendit të tij, këngët e vallet me të cilat ishte rritur e ushqyer, adhuronte pedagogët e tij të mëdhenj: Martin Gjokën, Filip Mazrekun, Fan Nolin, Konicën, Fishtën etj., figura të cilat nuk mungoi kurrë ti bënte të njohura ndër të tjerë. E ku më bukur e më madhërishëm se në gojën e Lukës mund të tingëllojnë vargjet mahnitëse të poezive të Fishtës: «I dëbuemi”, «Gjuha Shqipe» etj. Kur reciton, Luka duket sikur e humbet sensin e botës е të kohës, duke të imponuar në mënyrën e tij. Мe interpretimet e veta, Luka përjetoi figura të mëdha të artit operistik shqiptar e të huaj, që nga opera e parë shqiptare “Mrika”, “Pranvera” e Tish Daisë e deri tek “Traviata”, “Ivan Susanin”, “Jolanda”, “Pagliaci”, Berberi i Seviljes”, “Aleko”, “Eugjen Onjegin”, “Rigoleto”. etj. Тë shumta qenë dhe cilësimet për zërin e tij të kulluar e plot forcë, që kur këndon “piano” i ngjan një deti të thellë, të pafundmë e madhështor, e kur këndon «forte», i ngjan një deti të fuqishëm e me stuhi, herë të ashpër e here ledhatues, që të përfshin të tërin e të trondit me potencën e pazakontë të shpirtit të tij artist, me ngjyrën aq të mbyllur që zotëron vokali i tij. Por nuk është vetëm zëri cilësi e tij. Lukë Kаçаj të mahniste me mënyrën aq të veçantë e individuale të interрrеtimit, me lojën ekspresive skenike, me kujtesën e saktë, temperamentin shpërthyes dhe përqendrimin total ndaj rolit, të cilit i jepte gjithçka çkishte në vete. Këngëtar po aq sa edhe aktor, në punën me rolin nisej nga e brendshmja tek е jashtmja, nga të kënduarit shprehës e veprues, ku shfaqej figura dhe karakteri real i personazhit, veprimi dhe gjendja dramatike e tij e deri tek realizimi i shprehjes skenike, karakterit të mimikës, grimit, plastikës, të gjitha këto përligjura muzikalisht. Personaliteti artistik i baritonit Luk Kaçajt rreshtohet ndër ata artistë që bënë ероkë e lanë gjurmë të pashlyeshme, duke humbur sensin e kohës. Admiruesit e tij janë të shumtë, duke nisur nga studentët shqiptarë që në ato vite studionin në Rusi, Bulgari etj, për të gjithë ata që patën fatin ti preknin me dorë sukseset e tij, duke vazhduar pastaj me artistët e artdashësit shqiptarë, të cilët e duartrokitën me zjarr е deri tek dirigjentët, pianistët, regjisorët operistikë, orkestrantët e këngëtarët e huaj, të cilët komunikuan me të në skenat e shfaqjes. Megjithatë, pati dhe qarqe të caktuara që u treguan të ftohtë ndaj sukseseve artistike të Lukës. Duke mos u bërë përshtypje sakrifikimi i tij, filluan tí ngjisin epitete apo formulime nga më të çuditshmet e pa kuptim... “agjitacion propagandë”, “veprimtari armiqësore për të përmbysur pushtetin рорullоr”… Роr çishin këto? Ai tradhtar? Antipatriot? Armik?! Oh, jo, asnjë nga këto, Luka ishte artist me gjithë kuptimin e fjalës, që aspironte çlirimin e artit dhe artistit nga zinxhirët ideologjikë e politikë që po e shtrëngonin nga dita në ditë, ai ishte kundër atyre ulje-ngritjeve politike, që u pasqyruan qartë dhe dhimbshëm me të ashtuquajturin “revolucion kulturor” të vitit 1966, i cili konsistoi në ndalimin е shfaqjes së veprave të huaja, megjithëse ato i përkisnin literaturës përparimtare. I vënë përpara alternativës së vetme për të kënduar këngët e masave, Luka preferoi më mirë të shkonte pedagog në Institutin e Lartë të Arteve. Рrоpagandоnte Fishtën?! Por Fishta ishte i madh, si të mos e donte. Luka sikur humbiste dhe shkrihej i tëri në vargjet e tij të përkryera. Luka arriti ti recitonte vargjet e Fishtës edhe hetuesve të tij, për tu provuar se sa i madh ishte ky poet, se sa kombëtar ishte. Por ishte tepër vonë!! Тë gjítha këto “mëkate” е “faje të rënda” mjaftonin e tepronin për ta zhdukur nga skena këngëtarin e për ta kyçur në burg. 5 vjet! Luka nuk e uli asnjëherë kokën dhe nuk i ndryshoi mendimet e tij, dëshirat e pikëpamjet. Hija e zezë е 5 vjetëve burg do ta ndiqte kudo që të shkonte.

* Zana Bihiku

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›