E Diel, 1 Nëntor 2026

Teliti: Askush nuk mund të falsifikojë dokumentet e identifikimit

04/10/2011  Kuvendi miraton projektligjin “Për Regjistrin Themeltar të Gjendjes Civile”, opozita abstenon

PS: Regjistri i Gjendjes Civile është keqpërdorur nga politika në fushata zgjedhore

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Komisioni për Sigurinë Kombëtare kanë shqyrtuar dhe më pas miratuar projektligjin “Për Regjistrin Themeltar të Gjendjes Civile në Shqipëri”. I pranishëm në mbledhjen e djeshme të Komisionit parlamentar të Sigurisë ishte drejtori i përgjithshëm i Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme Armand Teliti. Në prezantimin e projektligjit Teliti theksoi se “sistemi i ndërtuar bazohet tërësisht në sistemin austriak të regjistrit civil dhe mishëron një sistem të plotë on-line, funksional dhe operacional të regjistrit të gjendjes civile.” Ai shtoi se ky sistem u përshtat nga ekspertët e Ministrisë së Brendshme të Austrisë për të realizuar sistemin shqiptar të regjistrit civil. Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile është burimi i vetëm zyrtar i informacionit të identitetit të shtetasve dhe, si i tillë, ai do t’u ofrojë këtë informacion dhe palëve të treta.

Gjatë diskutimit të djeshëm anëtarët e opozitës në këtë komision ngritën shqetësimet e tyre mbi garancinë e këtij sistemi. Për deputetin socialist Paulin Stërkaj sistemi i ofruar nga mazhoranca nuk e pengon aspak falsifikimin e dokumenteve të identifikimit nga ana e falsifikuesve. “Ne kemi informacion se janë me shumicë rastet e falsifikimit të pasaportave dhe kartave të identitetit, ku kemi konstatuar madje edhe pasaporta të dala nga sistemi me fytyrë tjetër dhe të dhëna të tjera. Ka shumë emigrantë që janë jashtë dhe kanë marrë shtetësinë atje dhe nuk janë të interesuar për shtetësinë këtu këto mund të jenë raste për abuzime”, – tha Stërkaj. Shqetësimit të ngritur nga deputeti i PS-së drejtori i Gjendjes Civile Armando Teliti iu përgjigj: “Është e vërtetë se në disa raste ka pasur aplikime nga njerëz të tjerë, siç thoi ju. Natyrisht që këto janë raste kriminale të abuzimit, kanë të bëjnë me abuzimin si nga punonjësit e gjendjes e civile, kur kanë dijeni, janë raste investigimi. Por një gjë është e sigurt: askurrkush me të njëjtat shenja gishtash nuk mund të marrë dy dokumente. Në rast se është aplikuar nga një person në emër të një tjetri dhe personi i dytë paraqitet, sistemi bllokon gjithçka”, - shpreh dje Teliti përpara deputetëve në Komisionin e Sigurisë. Ndërsa socialisti tjetër Gazmend Bizhga theksoi se “sistemi ynë i gjendjes civile sot më shumë se çdo gjë vuan nga keqpërdorimi i politikë. E them këtë fakt sepse zgjedhjet e fundit treguan se sado i sigurt të jetë sistemi për sa i përket ruajtës së informacionit nga shtetas apo kriminal ordiner, ky sistem mbetet i pambrojtur nga politika. Ato të dhëna kanë dalë nga Regjistri Kombëtar. Se vërtet kompanitë mund të kenë numrat dhe emrat, por nuk kanë datëlindjet e shtetasve, që është e dhënë që ruhet në regjistrat e gjendjes civile. Ne mund të luftojmë një kriminel, por jo politikën”, - tha Bizhga.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›