E Shtunë, 31 Tetor 2026

Profesionet e lira, raport i ri mbi pastrimin e parave

05/10/2011  Dy udhëzimet e ministrit të Financave caktojnë mënyrat për raportimin nga subjektet

Ministria e Financave ka ndryshuar rregullat për mënyrën e raportimit të rasteve të dyshimta për pastrim parash. Me anën e dy udhëzimeve të reja, të cilat kanë marrë formën ligjore, pas botimit në Fletoren Zyrtare përcaktohen mënyrat dhe procedurat për raportimin e profesioneve të lira jofinanciare, si dhe procedurat për subjektet raportuese. Në profesionet e lira jofinanciare janë përfshirë në ligjin e ndryshuar, lojërat e fatit, kazinotë dhe hipodromet, të çfarëdo forme, avokatët, noterët dhe përfaqësues të tjerë ligjorë, profesionet e rregulluara, që ofrojnë shërbimet e konsulencës financiare, agjentët e pasurive të paluajtshme kur përfshihen në transaksione për klientët e tyre, që lidhen me blerje ose shitje të pasurive të paluajtshme, si dhe ekspertët kontabël të autorizuar të pavarur, kontabilistët e miratuar të pavarur dhe zyrat e konsulencës financiare.

Profesionet e lira

Sipas udhëzimit, kategoria e profesioneve të lira jofinanciare duhet të përgatisë raportin e aktivitetit të dyshimtë” (RAD) sipas modelit të ri të formularit, me anë të të cilit subjektet raportojnë tek autoriteti përgjegjës për çdo transaksion dhe aktivitet të dyshimtë. Gjithashtu ata do të përgatisin raportin e transaksionit të parasë fizike, (RTPF) sërish mbi formatin e ri, me anë të të cilit subjektet raportojnë tek autoriteti përgjegjës çdo transaksion në para fizike në një vlerë të barabartë ose më të madhe se 1 500 000 lekë ose kundërvlera në monedha të tjera të huaja, të kryer si një transaksion i vetëm ose si transaksione të lidhura me njëra-tjetrën. Formulari tjetër i ri është raporti i vetëkontrollit sipas modelit të ri që plotësohet dhe raportohet nga subjektet me kërkesën e “Autoritetit përgjegjës”, në lidhje me përmbushjen prej tyre të detyrimeve ligjore.

Identifikimi i klientëve

Udhëzimi përcakton se identifikimi i klientëve bëhet gjithnjë nga subjektet dhe mbështetja te palët e tjera për kryerjen e këtij procesi nuk është e pranueshme. Subjektet duhet të identifikojnë dhe të verifikojnë identitetin e pronarit përfitues. Në rastet kur klienti është person juridik, duhet kryer identifikimi dhe verifikimi për zotëruesit përfundimtar të personit juridik duke kërkuar dokumente shtesë, të cilat provojnë identitetin dhe lidhjen e pronarit përfitues apo zotëruesit përfundimtar me personin juridik dhe me atë që kryen transaksionin. Në rastet kur klienti apo pronari përfitues është një kompani aksionare e listuar në një bursë të njohur financiare jashtë vendit dhe është subjekt i detyrimeve për raportim në një autoritet rregullator, nuk është e nevojshme të identifikohet dhe verifikohet identiteti i aksionerëve të kompanisë. Bursë e njohur financiare do të konsiderohen bursat e vendeve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. Subjektet i paraqesin raport autoritetit përgjegjës, në të cilin parashtrojnë dyshimet që kanë për rastet kur e dinë apo dyshojnë se po kryhet, është kryer apo tentohet të kryhet pastrimi i produkteve të veprës penale apo financimi i terrorizmit. Raportimi bëhet me anë të formularit (RAD) menjëherë dhe jo më vonë se 72 orë. Ky raportim kryhet pas shqyrtimit të plotë të elementëve të dyshimtë dhe të dhënave që subjektet kanë në dispozicion për ta arsyetuar atë, pavarësisht shumës së transaksioneve të kryera/ose që janë duke u kryer/ose që do të kryhen. Të dhënat e siguruara për klientët nga subjektet dhe masat e marra prej tyre dokumentohen dhe ruhen për 5 vjet nga data e përfundimit të marrëdhënies së biznesit. Me kërkesën e autoritetit përgjegjës, dokumentacioni ruhet nga subjektet për më shumë se 5 vjet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›