“Rilindja” neobllokmene, në gjurmët e manipulimit komunist!
Ka ende njerëz që u besojnë shifjeve të Ramës e neobllokmenëve! Madje, ka dhe që e pranojnë për të vërtetë mohímin, që këta u bëjnë sukseseve të demokracísë. Këta fatkeqë, ndoshta dhe kanë harruar se flamurin e montuesve të djeshëm të akuzave false e ngrenë sot lart pikërisht këta neobllokmenë me Ramën në krye. Mirëpo, ja që të gjithë tashmë e dinë se, kush nuk prodhon vlera, tenton t’ia atribuojë këto vetes duke mohuar ato të kundërshtarit politik. Dhe kjo metodë është një trashëgimi, që vjen nga koha e “qoftëlargut”. Nga ajo kohë, kur funksionarë ordinerë dhe rrugaçë të neveritshëm ishin stërvitur ta degradonin kundërshtarin me akuza false dhe me poshtërime të paqena. Se në diktaturën komuniste u kryen ligësí, që nuk do të guxonte t’i realizonte as një pushtues i huaj. Vetëm xhelatët e asaj diktature arritën që me zell “idealisti” shpifën, thurën intriga dhe montuan gënjeshtra nga më të pabesueshmet. Dhe kjo u bë gati modë, madje u bë gati e zakonshme të dëgjoje akuza të manipuluara edhe ndaj njerëzve më të nderuar të një fshati, apo qyteti. Sepse, sa herë që një personalitet moral, nuk pranoi të bëhej pjesëtar i një aparati dhune, apo spiun i Sigurimit, organet e dhunës shqetësoheshin dhe e piketonin për ta “përpunuar” me anë të torturës. Se, nuk mund të pranonte diktatura njerëz të pavarur dhe të nderuar, të cilët të mos e mbështesnin në poshtërsítë e saj. Ndaj karshi tyre ajo përdori gjithmonë taktika e metoda nga më çnjerëzoret aq sa, në ndonjë rast, edhe arriti ta detyronte viktimën të pranonte mbi vete edhe akuza të ulëta. Prandaj diktatura, për ta “justifikuar” ligësínë e saj, fuste në burgje dhe ndonjë kleptoman, të cilin e dënonte politikisht për t’i treguar opinionit se sa poshtë qëndronin kundërshtarët e saj. A nuk dëgjuam të shpifte kështu para ca ditësh dhe kriminelja ordinere Nexhmije Hoxha !? Por, kur hasnin në njerëz, që nuk e hapnin gojën as po t’ua prisje mishin me gërshërë, xhelatët përdornin të tjera marifete, madje, shumë më të poshtra nga ato që do të guxonte të përdorte dhe një pushtues i huaj. Dhe në rastet, kur xhelatët e diktaturës u ndeshën me të pafajshëm, që nuk pranonin, jo të mos shpifnin kundër vetes, por që kishin dhe karakter aq të fortë, sa të pranonin më mirë t’i ngulnin thikën vetes, sesa të preknin me pupël një tjetër, atëherë “kuçedra” tërbohej, ngaqë shihte se misioni i degradimit të kombit prej saj nuk mund të realizohej. Dhe ajo shndërrohej në bishë! Ndaj, vetëm shpirti ia di se ç’hoqi ai që mundi të krijonte një emër të nderuar, duke mos pranuar të merrte fytyrën prej xhelati, që kërkonte me ngulm diktatura. Dhe të tillë heronj pati me mijëra. Dhe janë ata që sot i sheh të plakur në radhët e shoqatave të të përndjekurve politikë! Ata, për të cilët torturat fizike të tiranisë komuniste nuk kanë qenë asgjë para atyre morale. Se, manipulatorët e akuzave false, për t’i degraduar, u studionin karakteret, prirjet dhe pasionet, dëshirat dhe talentet e tyre. Madje, xhelatët u studionin dhe çdo pikë të tyre delikate dhe përdornin ndaj tyre taktika e metoda torturash, në “grackën” e të cilave u harxhuan energji të mëdha për të mos u rrëzuar! Se, nuk ka qenë gjë as shtrëngimi i hekurave gjermane, as mbërthimi i njeriut në muret e akullta të birucave; as varjet nga krahët me litar në tavanet e qelive të errëta, as sharjet prej rrugaçi dhe shkelmat poshtërues të xhelatëve ordinerë, të veshur me pushtet absolut. Jo! Nuk ka qenë gjë shuarja e cigares në ballë, as kripa në mishin e hapur me bisturi, as netët e tëra pa gjumë. Nuk kanë qënë gjë as zhurmat e llahtarshme, krijuar në tavanet e birucave me zvarritje karrigesh prej hekuri në çimento. Pa harruar këtu minjtë e infektuar, preshi i nxjerrë, servirur në gaveta të ndryshkura. Tmerr i vërtetë ka qenë, kur njeriut dinjitoz i nxirrnin të shihte lakuriq të bijën, të torturuar dhe të “porositur” me daják t’i klithte të atit në sy: “Shpëtomë, babá!”. Atëherë xhelatët ngazëlleheshin, tek e shihnin viktimën të pranonte dhe një akuzë false! Atëherë ndodhi që ndonjëri edhe arriti të rrëzohet, madje dhe të shpifte ndaj vetes, sikur gjoja kish vjedhur diku një kalli misri. Dhe xhelatët lumturoheshin kur arrinin ta katandisnin dinjitetin shqiptar të pranonte shpifjet, vetëm të mos akuzonte dikë tjetër. Këto metoda çnjerëzore janë sot ajo pasurí e ndyrë morale, që neobllokmenët trashëgojnë nga të parët e tyre mizorë. Prandaj, këta dishepuj xhelatësh shpifin sot ndaj kundërshtarit politik, duke mohuar çdo sukses të tij. Pa le sikur të gjejnë edhe ndonjë të metë reale, ndonjë mosmbajtje premtimi, a ndonjë pakënaqësí, që krijohet dhe nga sabotimet që, elementë të inkriminuar, a të korruptuar, infiltruar në radhët e demokracisë, u bëjnë premtimeve të saj serioze. Ndaj po shohim sot që sulmi i neobllokmenëve është përqendruar pikërisht te këto lloj pakënaqësísh. Se, për “aristokracinë e krimit” komunist shpifja dhe trillimi, shfrytëzimi i çdo pakënaqësie janë “alfa” dhe “omaga” e platformës së tyre gënjeshtare. Se ata, me qëllim që të mbijetojnë, përdorin shpifjen dhe manipulimin. Mirpo, meqë populli tashmë i njeh mirë, nuk u beson, as kur për ndonjë rast kanë dhe të drejtë. Se, nuk besohet ordineri, që akuzon si të tillë viktimën. Nuk duartrokitet manipulatori, kur i përgojon kundërshtarët e tij si viktima, që e paskan merituar dënimin komunist (!) Ndoshta prandaj shumë analistë parandjejnë sot edhe humbjen e zgjedhjeve prej këtyre neobllokmenëve shpifës e manipulatorë! Këto i kujtohen çdo shqiptari tek i dëgjon neobllokmenët, me Ramën në krye, të mohojnë se demokracia në tërë këto vite nuk paska ndërtuar as ato rrugë, që kanë mahnitur mbarë botën.
...