E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rilindja e Edit!

Kryesocialisti shqiptar, Edi Rama, ka zgjedhur ditën e diel që ta vizitojë Prishtinën dhe t’ua prezantojë kosovarëve “planin e tij qeverisës” për Kosovën. Edhe pse ka qëndruar shumë shkurt në Prishtinë, ai ka gjetur kohë që t’ia japë një intervistë ekskluzive gazetës “Zëri”. Derisa filloi të përgjigjej në pyetjet e gazetës, kreut të PS-së i duhej ta lidhte edhe kravatën dhe të përgatitej për takimin që e kishte pas 20 minutash në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, me temën: “Shqipëria, Kosova dhe rajoni pas 23 qershorit”.

Në këtë intervistë, Edi Rama thotë se ka ardhur koha për bashkimin “real” të shqiptarëve këndej dhe andej kufirit. Rama premton që kufirin Kosovë-Shqipëri ta shndërrojë në një kufi inekzistent. Ai flet për bashkim doganor, për krijimin e një hapësire të përbashkët të energjisë, të edukimit, kulturës...

Koalicionin me LSI-në e Ilir Metës, Rama e quan të “natyrshëm”. Ai thotë se ndarja e së majtës më 2003, i ka kushtuar shumë jo vetëm PS-së e LSI-së, por gjithë Shqipërisë. Sipas tij, bashkimi i PS-së me LSI-në është koalicioni i së ardhmes, i cili “do ta rilindë Shqipërinë”. Rama është i bindur se nga 23 qershori, Shqipëria do të ndryshojë.

Thotë se ndihet shumë mirë kur viziton Kosovën, derisa nuk preferon të flasë shumë nëse ka arritur që me vizitat e shpeshtuara në Prishtinë ta “rrëzojë” mitin e quajtur “Berisha”. Rama ka ironizuar kur është pyetur në lidhje me bojkotin e Lëvizjes “Vetëvendosje”, duke thënë se “jam shumë i vogël të ankohem përse më kanë bojkotuar”. Kryesocialisti shqiptar, Edi Rama, ka edhe një vlerësim interesant për liderin e VV-së, Albin Kurti. “...Albini është një intelektual i admirueshëm, por që politikisht bën gabime mbresëlënëse dhe nuk di të bëjë gabime të vogla”, ka thënë Rama. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›