Debitorët dhe defektet në tubacione lënë pa ujë disa lagje në Vlorë
Çdo verë, problemi i ujit të pijshëm bëhet shumë shqetësues në qytetin e Vlorës, pasi janë një sërë faktorësh që lënë lagje të tëra pa ujë. Defektet e shumta në rrjetin ekzistues të ujësjellësit dhe prerja e ujit për debitorët në qytetin e Vlorës ka bërë që gjatë ditës së djeshme, lagje të tëra të këtij qyteti të mos kenë ujë të pijshëm në rubinetet e tyre. Lagja 24 Maji, ajo 11 Janari dhe Partizani nuk kanë pasur ujë në pjesën më të madhe të banesave të tyre sepse ka qenë ndërhyrja e ndërmarrjes ekzistuese të ujësjellësit që ua ka ndërprerë ujin për arsye se në këto lagje kishte shumë debitorë.
Sipas V. Hysit, drejtorit të kësaj ndërmarrjeje, ndërhyrja dhe ndërprerja në ujësjellës e ujit për familjet debitore është bërë me urdhër të tij. Kjo për faktin se në këto lagje janë pagues të saktë të faturave të kësaj ndërmarrjeje vetëm 20 % e familjeve që marrin ujë prej saj. Në këtë mënyrë familjeve debitore u është ndërprerë uji dhe furnizimi i tyre do të bëhet vetëm kur këto familje të shlyejnë detyrimin që kanë ndaj kësaj ndërmarrje. Po sipas Hysit, kjo praktikë pune do të ndiqet edhe në lagjet e tjera dhe kjo do të bëhet me aksion që tashmë ka nisur dhe nuk do të ketë tolerim edhe pse po vjen vera dhe familjet e kanë të domosdoshëm ujin nëpër shtëpi. Ndërkohë që lagje të tjera nuk kanë ujë përkohësisht sepse kanë defekte të shpeshta në rrjetin e ujësjellësit. Këto defekte shkaktohen nga vetë kjo ndërmarrje që po punon për vendosjen e tubacionit të madh të ujësjellësit të ri. Sidomos lagja Kushtrim dy ditët e fundit ka njohur mungesën e ujit. Kjo për arsyen e thjeshtë se pas defektit në rrjetin kryesor, familje të tëra janë munduar që të marrin ujë në mënyrë private, duke shtrirë tubacione me dimensione të vogla dhe të vendosura direkt mbi tokë, ato bien preh e kalimit të makinave të ndryshme duke i dëmtuar ato dhe gjithë uji vërshon nëpër rrugët e lagjes. Banorë të kësaj lagjeje tregojnë se kanë marrë kontakt jo vetëm me firmën që punon në këtë lagje këto ditë, por edhe me rajonin dhe ndërmarrjen e ujësjellësit, por askush nuk ka ardhur të rregullojë defektin. Dhe duket se kështu do të qëndrojë defekti derisa të mbulohet kanali i tubacionit kryesor të ujësjellësit, ku për muaj të tërë që vetëm në rrugët kryesore nuk po mbyllen kanalet e hapura dhe sjellin shqetësim jo vetëm për mungesën e ujit të pijshëm por edhe në kalimin e makinave dhe të njerëzve.