E Diel, 1 Nëntor 2026

Kolonjë, nuk duhet të dhunonte gruan deri në 2010, ndalohet 53 vjeçari

Dhuna nuk mund të largohet lehtë nga familjet shqiptare, teksa një grua megjithëse në mbrojtje të policisë, nuk ka shmangur një rrahje barbare nga i shoqi. Një 53 vjeçar është kthyer në protagonist të një ngjarje të  rëndë, ndërsa është shoqëruar në polici dhe pritet të ndiqet penalisht në gjendje të lirë. Albert Halili, banor i fshatit Boshanj në rrethin e Kolonjës ka rrahur, fyer dhe dhunuar gruan e tij, e cila disa kohë më parë ka ngritur edhe padi ndaj bashkëshortit të dhunshëm. Në fakt Adivije Halili ka tentuar të divorcohet nga i shoqi, por gjendja e vështirë ekonomike e saj dhe pamundësia për të rritur djalin 15 vjeçar e ka detyruar atë, të vazhdojë të qëndrojë në shtëpinë e dhunuesit të saj. Gjatë vitit  të kaluar gruaja ka bërë një padi për dhunën në organet e drejtësisë, teksa në janar të këtij viti bashkëshorti agresor është vënë në survejimin e organeve kompetente duke shpallur në mbrojtje gruan e vetme 42 vjeçaren Adivie Halili si dhe djalin e tyre Marjo 15 vjeç, i cili gjithashtu keqtrajtohej në mënyrë sistematike nga babai. Kështu gjykata ka shpallur me një vendim të posaçëm të saj mbrojtjen nga dhuna e bashkëshortit gruan si dhe djalin e saj, vendim i cili ka fuqi ligjore vepruese deri në janar të vitit 2010. Por duket se nuk ka qenë aspak i këtij mendimi Albert Haliti, i cili gjatë mbrëmjes së premte ka shkuar në shtëpi dhe në gjendje të dehur ka nisur të keqtrajtojë të shoqen, ndërsa ka shpëtuar për fat të mirë nga dhuna djali i tij. Menjëherë gruaja ashtu si dhe disa muaj më parë ka kërkuar ndihmën e policisë së komisariatit Ersekë. Forcat policore të kësaj të fundit kanë shoqëruar për disa orë 53 vjeçarin, duke e marrë në pyetje për ngjarjen e fundit. Burimet e policisë bëjnë të ditur se ai do të ndiqet në gjendje të lirë për pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›