Rilindja, si një kontratë me ndërgjegjen
Panajot Barka/Publicist
-Normaliteti i procesit paszgjedhor, duhet vlerësuar seriozisht si hap i parë për t’i dhenë fund procesit të stërzgjatur të tranzicionit. Sigurisht që meritën kryesore e ka vota e popullit, i cili këto 20 vjet ka dërguar deri në sfilitje të njëjtat mesazhe të qarta. Ishin politikanët ata që i rrëzonin popullit gurin e Sizifit nga maja e malit dhe e ftonin ta ngjiste sërish. Këtë herë populli foli më qartë. Si lumë i heshtur dhe në kufijtë e një zemërate ia arriti të çmitizojë edhe mitin e Berishës. Kësaj here politika duket se ndoqi mesazhin popullor. Hodhi armët nga përfitonte edhe fuqinë politike, edhe fshehjen e zullumeve. U fut në shina civile e mirëkuptimi. Krijoi një klimë të shtensionuar e paqeje. Fjala e Edi Ramës, i pari si kryeministër, 2 ditë pas zgjedhjeve, ishte katalizatori. Bëri më të domosdoshme, por edhe me të lehtë aktin tjetër, atë të dorëheqjes së Sali Berishës. Në fakt, situata duhet vlerësuar si fillim i një momenti kalimtar. Sipas Ramës, “nuk është mbërritja, por vetëm nisja jonë”. Në aspektin filozofik e praktik, momentet kalimtare nuk janë vetëm delikate.
Në rastin e vendit tonë, me një stërzgjatje në zgrip të proceseve demokratike e civilizuese, përveç se delikat mbart edhe rreziqe. Kalimi i suksesshëm i këtij momenti, kërkon mohimin e së kaluarës së rëndë dhe afirmimin e së ardhmes, nëpërmjet ngritjes së sistemit dhe jo vullnetit të politikës. Si pikë referimi për instalimin e sistemit transformues duhet marrë fjala e Edi Ramës më 25 qershor 2013. Unë besoj se ajo fjalë nuk ishte emocion. Emocioni i skajshëm tregoi se 50-vjeçari Edi Rama u ndërgjegjësua më shumë për përgjegjësinë që populli i besoi. Tregoi se Ai kuptoi në ekstrem se ëndrrën e tij për të rilindur vërtet vendin, nuk mund ta arrijë i vetëm. Nuk mund ta arrijë as vetëm me partnerët strategjikë e jo strategjikë. Nuk mund ta realizojë as vetëm me votuesit fitues.
Rëndësi ka që vizioni i tij për sistemin që do të realizojë, “Rilindjen”, është i qartë: “Një demokraci të rivendosur në themelin e bashkëjetesës mes nesh si shqiptarë, pavarësisht përkatësive partiake e krahinore”. Dhe më tutje “Pa harruar në asnjë hap se duhet të jetë gjithë-përfshirja, jo përjashtimi i pakicës, virtyti i dialogut me tjetrin, jo vesi i monologut kundër tjetrit, shpirti i kompromisit, jo tradita e vetëpëlqimit...” . Edi Rama kërkon me ngulm realizimin e kësaj ëndrre nga ne të gjithë, duke na krijuar bindjen se duhet punuar e sakrifikuar fort për të arritur këtë objektiv-ëndërr, duke premtuar solemnisht, ose duke bërë një kontratë shoqërore publike se Ai për vete, do të jetë kryeministri dhe kryeshërbëtori i secilit shqiptar, ku detyra e drejtimit do të jetë e Tij, ndërsa pushteti do të jetë i secilit nga ne... Kjo do të thotë se “Kontrata shoqërore për Rilindje e Demokraci”, e Edi Ramës është e detyrueshme të bëhet pronë e çdo shqiptari. Në radhë të parë, të bëhet pjesë kryesore e angazhimeve të elitës intelektuale shqiptare.
Madje do të ishte mirë që para se t’i lexohej anonimatit të ardhur rishtazi nga beteja elektorale, (dhe s’kishte asnjë dëshirë për të menduar gjë tjetër veçse fitores), të proklamohej para kësaj elite si ftesë ndaj shtresës civile të vendit për bashkëpërgjegjësi. Kjo, klasa e intelektualëve, duhet të përbëjë bazat e konstruksionit të sistemit që propozon Edi Rama, që nesër as vetë ai, Edi Rama, të mos mund ta deformojë edhe sikur të dojë. Intelektualin e karakterizon virtyti i përkushtimit deri në sakrificë sublime të asaj që aspiron. Dhe në krye të çdo gjëje është dashuria për Atdheun e tij. Në rastin konkret duhet çliruar ky virtyt nga ngarkesa e mentalitetit se intelektualizmi barazohet me aftësinë për të përfituar nga pushteti sa më shumë për vete e për familje. Është domosdoshmëri për të gjithë, madje më shumë për ata që nuk kanë besim tek Rama, apo e konsiderojnë veten kundërshtarë të tij, të angazhohen maksimalisht për projektin e Tij. Ta bëjmë pjesë të ndërgjegjes e të angazhimeve tona, me qëllim që të fitojë, jo Rama, por sistemi dhe platforma që ai propozon, të fitojë, jo Ai personalisht, por të gjithë ne. Por ditët që po kalojnë, vërtetojnë se në vendin tonë, ky projekt, sistemi i vlerave që ai gjeneron si dhe nevoja për implementimin e tij po “harrohet”. Madje, po kalon si pa u vënë re. Në vend të diskursit për këtë projekt dëgjon rëndom si “like” ndaj Ramës se “Ai është kokëshkretë dhe do t’i bëjë ato që thotë”. Harrohet se filozofia e Niçes për Mbinjeriun, në rastin më të mirë shpreh një mënyrë për të shprehur vullnetin e shumicës nga njëshi, kur kjo shumicë është ngjizur deri në mosdukje me njëshin.
Kjo e bën më të domosdoshme shndërrimin e tezave të Ramës nga strukturat civile të shoqërisë, në platformë reale dhe funksionale. Por, në vend që këto teza të ishin shndërruar në një debat masiv dhe konstruktiv, po lihen mënjanë dhe harrohen. Qëllimisht?! Ndoshta! Kjo do të thotë se “Kontrata shoqërore, “Për Rilindje e Demokraci”, e Edi Ramës do të lejohet që maksimalisht të kthehet në sfidë personale të tij. Që do të thotë dramë personale për një udhëheqës politik dhe tragjedi për një shoqëri, që aspiron, por nuk sakrifikon. Shenjat janë pesimiste kur përfaqësues të kampit fitues, po ngjeshin radhët e me durim e këmbëngulje po pretendojnë për vete një copë sa më të madhe pushteti. Motoja e devotshmërisë së tyre të re është ndjenja e hakmarrjes ndaj “të mundurve”. Këtë klimë do ta rëndojë në të ardhmen e afërt fakti se të vegjlit e shumtë, në aleancën fituese do të kërkojnë shumicën e pushtetit. Në konsideratë duhet marrë fakti se një pjesë e madhe e votuesve për aleancën e Rilindjes zgjodhën atë parti që deri dje ishte pjesë e qeverisjes së mohuar prej tyre.
E keqja është se kjo interpretohet si politikë pragmatiste. Në thelb përbën një hap më shumë në konsolidimin e marrëdhënieve klienteliste të politikës me zgjedhësit dhe që përbën një fund të parathënie për rrënimin total të shtetit. Klasa intelektuale, në vend të inspirimit të debateve publike, është venë në pritje duke i lënë fushë të lirë veprimi klanit të opinionistëve, të cilët ose presin të katapultohen në makinën e pushtetit, ose të ruajnë fort monopolin e pushtetit të medias. Ndaj dhe ata nuk duan të hapin debate të qenësishme publike në frymën e zhvillimeve që imponojnë zgjedhësit e politika, dhe merren me mënyrën se si do të ndahet pushteti, me numra, kalkulime, emra, poste, thashetheme të rëndomta. Klimën e rëndon më shumë fakti që korrupsionistët në të gjitha hallkat e shtetit, të ngritura në sistem nga toleranca e popullit dhe të kthyer në vlerë e meritë për përfaqësuesin e shtetit, krimi i organizuar, kanalet e parave të pista po lobojnë fort, si për të sofistikuar veprimtarinë e tyre, ashtu edhe për të gjetur nëpërmjet korruptimit, linja kontakti me pushtetin e ri.
E rëndon më shumë toka e djegur e lënë pas nga qeverisja e mëparshme e shprehur më shumë në arkën bosh të shtetit... E rëndon akoma... mungesa e opozitës. Dhe në këtë klimë të rrish duarkryq e të presësh Ramën, ngjason me sehirxhiun që pret kryqëzimin e tij, pa kuptuar se me parë vjen vetëeliminimi. E konsideroj padrejtësinë time pjesë të atij sistemi që duhet zëvendësuar dhe një përvojë të vyer për të parë llumin e zi ku përfunduan vlerat njerëzore e humane, të shumëzuara me zero nga vlera e parasë. Personalisht nuk pres të më thërrasë Edi Rama, apo ndonjë përfaqësues i tij për të lidhur ndonjë kontratë. Çdo njeri lidh, po të dojë kontratë me ndërgjegjen e tij me sistem referimi “Kontrata shoqërore për Rilindje e Demokraci” të ofruar nga Rama.