“Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova, njësit unik për menaxhimin e krizave dhe emergjencave natyrore
Nënshkruhet marrëveshja rajonale për “Përballimin e Situatave të Emergjencës Civile
Ndërtimi i kapaciteteve rajonale për menaxhimin e krizave, mblodhi në Prishtinë në një konferencë të përbashkët ministri i Mbrojtjes Arben Imami, ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë Fatmir Besimi dhe i FSK Ceku, ministri i Brendshëm i Kosovës Bajram Rexhepi, zëvendësministri i Brendshëm së Shqipërisë Ferdinand Poni, si dhe zëvendësambasadorja amerikane në Kosovë Kelly Degnan dhe Majori i EUCOM Brian Kreitlou. Gjatë punimeve të konferencës u fol për “Kërkimin dhe shpëtimin urban” si dhe për bashkëpunimin e rëndësishëm rajonal në fushën e menaxhimit me kriza dhe situata të jashtëzakonshme.
Qëllimi kryesor i konferencës ishte modernizimi i aftësive të menaxhimit të krizave dhe bashkëpunimit rajonal në Republikat të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Konferenca u hap nga ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës Çeku i cili përshëndeti pjesëmarrësit duke i falënderuar për prezencën e tyre. Konferencën e përshëndetën gjithashtu, zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi, Braian Kreitlow, Major i EUCOM-it, si dhe zëvendësambasadorja amerikane në Kosovë Kelly Degnan. Konferenca u përshëndet edhe nga ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Arben Imami, i cili gjatë fjalës së tij nënvizoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit rajonal për rritjen e kapaciteteve, për përballjen me emergjencat civile si dhe menaxhimin e krizave.
Duke u përballur shpesh me situata të emergjencave civile, u shpreh ministri Imami, Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë përkushtuar me shumë energji, trajnime dhe ushtrime për t’i përballuar ato. Si një shtet tashmë në NATO, Shqipëria është duke marrë pjesë vazhdimisht në stërvitjet e menaxhimit ndaj krizave.
Më tej ka theksuar ministri Imami, për sa i përket emergjencave natyrore, të cilat kërkojnë një përfshirje imediate të operacioneve dhe strukturave, menaxhimi dhe këmbimi i informacionit është shumë i rëndësishëm për rajonin pasi ata marrin përsipër rolin e tyre dhe përgjegjshmërinë e situatës. Vetëm në këtë mënyrë, sipas tij, do të jetë e mundur që tani e tutje strukturat tona të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, përmes qasjeve të përbashkëta në masat parandaluese mbrojtëse si dhe kundërpërgjigja ndaj situatave të hasura.
Nga ana e saj zëvendësambasadorja amerikane në Kosovë Kelly Degnan theksoi faktin se ambasada amerikane inkurajon një nismë të tillë dhe se duhet të jemi të përgatitur për të ndihmuar njerëzit në emergjencat e mëdha ndaj dhe konferenca është hapi i parë në këtë drejtim.
Konferenca u mbyll me nënshkrimin e marrëveshjes rajonale për “Përballimin e Situatave të Emergjencës Civile”, të nënshkruar nga tre ministrat e Mbrojtjes, Arben Imami, Agim Çeku dhe Fatmir Besimi, ministri i Brendshëm Bajram Rexhepi, zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Poni, Kryetari i Grupit Trilateral Urim Vejseli, si dhe drejtori i Qendrës së Menaxhimit të Krizave Zulfi Adili.