E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rimbursimi, ministria pranon dy lista barnash

• Në listën e rimbursimit të barnave, përfundimisht nuk do të shtohet asnjë ilaç i ri për pacientët.zirina llambroPavarësisht premtimeve të ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka për zgjerim të skemës me barna cilësore, ajo nuk do të pësojë ndryshime. Por ndërkaq dikasteri që ai drejton ka miratuar propozimin e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për ekzistencën e dy listave të rimbursueshme. E reja do të funksionojë me bashkëpagesë mes ISKSH dhe pacientëve me ilaçe të reja për sëmundje të reja, por edhe me ilaçe të tjera për sëmundjet aktuale që trajtohen me një ose disa lloje barnash. Kjo listë bazohet në kërkesat e bëra ndër vite nga grupet e interesit (pacientë, mjekë, grosistë). Një grup pune me specialistë të ISKSH dhe Ministrisë së Shëndetësisë po punon për të përzgjedhur medikamentet që do të jenë pjesë e listës. Këtë pohojnë burime të sigurta nga Ministria e Shëndetësisë. Me anë të kësaj skeme të re pacientit do t'i jepet një mundësi më shumë. Për shembull aktualisht për sëmundjen X janë në listën e rimbursimit 4 lloje barnash që merren 100% falas nga pensionistët, invalidët dhe përfituesit e tjerë. Ajo që ndodh me listën e re alternative është shtimi i një ilaçi tjetër i cili bashkëpaguhet në raportin 50% me 50%, ku gjysmën e jep ISKSH dhe gjysmën e jep pacienti. Burimet nga ministria sqaruan gjithashtu se raporti nuk do të jetë standard për të gjitha medikamentet që përfitohen, por në vartësi të tyre. "Specifikisht për secilin ilaç nuk janë përcaktuar ende shifrat, për këtë po diskutohet ende", sqarojnë burimet. Një tjetër përfitim nga skema e re e rimbursimit është për rastet kur për një sëmundje të caktuar medikamenti kurues nuk është i përfshirë në listën e parë. "Ky medikament mund të futet në listën me bashkëpagesë dhe në këtë formë do t'i mbulohet të sëmurit një pjesë e shpenzimeve", nënvizojnë burimet.Mbulimi financiarPor me gjithë efektivitetin që sjell lista e dytë e rimbursimit të barnave, problem mbetet financimi. Sipas përllogaritjeve paraprake që po bëhen nga grupi i punës i ministrisë dhe ISKSH, nevojiten nga 1 miliard në 2.4 miliardë lekë (në varësi të barnave që do futen). Kësaj here Ministria e Shëndetësisë duhet t'i sigurojë këto fonde nga qeveria pasi fondet aktuale të ISKSH mund të përballojnë vetëm listën ekzistuese të rimbursimit. Në rast se ministria nuk arrin të sigurojë fondet e nevojshme për mbulimin financiar të listës së re të ilaçeve, gjithçka automatikisht mbetet vetëm në letër. "I sigurt është fakti se nuk do të ketë një listë të re pa u siguruar fonde siç ndodhi në vitin 2005, ku u futën shumë barna të reja por nuk u shoqëruan me një fature financiare. Kjo gjë çoi në prag të falimentimit ISKSH, borxhi i akumuluar i së cilit arriti në 16 milionë dollarë", vunë në dukje burimet nga Ministria e Shëndetësisë. Aktualisht në listën e rimbursimit të barnave janë 361 barna. Nga të dhënat e ISKSH, rezulton se lista aktuale e rimbursimit praktikisht mbulon 94% të sëmundjeve kronike. Vitin e kaluar u shtuan në skemë 14 ilaçe mjaft të rëndësishme për shëndetin e pacientëve. Fëmijët ishin përfituesit më të mëdhenj nga këto ndryshime. Ndërkaq ISKSH hoqi kufizimet edhe për 21 medikamente të listës, kryesisht për personat që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare, me prostatë, me diabet apo që kanë probleme neurologjike. Kufizimet u hoqën pas ankesave të pacientëve që përfitonin nga skema.Pensionistët të pakënaqur nga lista  me rimbursimNdonëse për vitin 2007 u hoqën kufizimet për një sërë barnash që përfitonin pensionistët, e pas shumë ankesash u hoq më në fund tarifa 100 lekë për recetë që ata paguanin, sërish kjo kategori mbeti e pakënaqur. Në deklaratat e shumta të dhëna nga Sindikata e Pensionistëve, janë shprehur ankesat për trajtimin me medikamente. Sipas tyre në skemën e rimbursimit vazhdojnë të mungojnë një sërë barnash të shtrenjta, për të cilat të moshuarit kanë nevojë dhe detyrohen t'i blejnë vetë në farmaci. Një tjetër problem i ngritur nga sindikata është edhe ai i sorollatjeve të shumta të pacientëve për të marrë ilaçet e rimbursueshme, madje ka pasur raste që i kanë blerë me paratë e tyre medikamentet. Në pikëpyetje është vënë disa herë edhe cilësia e barnave të listës. "Në disa raste janë hequr alternativat më të shtrenjta, por mjaft të efektshme për ne dhe janë zëvendësuar me ilaçe të lira, po që s'kanë pikë ndikimi tek sëmundja. Edhe pse skema si rregull duhet të ketë në përbërje të saj alternativat më të lira, për ne si pacientë kjo është mjaft e dëmshme", është shprehur kreu i Sindikatës së Pensionistëve Isa Gorica. Sipas tij kategoria që përfiton më shumë nga skema e rimbursimit është ajo e të moshuarve dhe ilaçet që merren prej tyre duhet të shihen me prioritet nga hartuesit e listës. "Për ne do të ishte më mirë të kishim më pak ilaçe dhe cilësore sesa shumë ilaçe dhe pa efekt. Kjo do t'u shkurtonte jetën pensionistëve. Ata nuk kanë kohë të rikuperojnë ndikimet jo pozitive të medikamenteve në shëndetin e tyre", ka deklaruar Gorica. Por për vitin që lamë pas, nga  ndryshimet në skemë për kategorinë e pensionistëve, si dhe futjen e disa barnave të reja në listë kostoja shtesë ka kapërcyer 6 milionë dollarë, të cilat janë përballuar nga ISKSH. Në total e gjithë lista e rimbursimit të ilaçeve i kushtoi këtij instituti plot 39 milionë dollarë. Për këtë vit ISKSH i është akorduar një fond prej 4.2 miliardë lekësh për listën e barnave. Ky fond sipas drejtuesve të tij është i pamjaftueshëm për futjen e medikamenteve të reja. Përkundër kësaj deklarate ministri Ndoka një muaj më parë është shprehur për ndryshime evidente në skemë. Por pa argumentuar asnjë kosto financiare për t'i përballuar ato. Aktualisht e vetmja zgjidhje nga dikasteri që ai drejton mbetet sigurimi i fondeve për listën e re të rimbursimit që në një farë mënyrë do kompensojë nevojat e pacientëve.Shehu: Të ngrihen mekanizma për cilësinë e barnave "Farmakovigjilenca (procesi që identifikon riskun nga produktet medicinale dhe monitoron cilësinë e tyre) është mundësia e vetme për të siguruar barna të efektshme për pacientët". Këtë ka deklaruar disa javë më parë kryetari i komisionit parlamentar të Shëndetësisë, Tritan Shehu. Sipas tij ngritja e strukturave dhe mekanizmave për kontrollin e vërtetë të ilaçeve duhet parë me shumë kujdes dhe seriozitet nga drejtuesit e shëndetësisë. "Farmakovigjilenca mungon pothuajse plotësisht, duke u bërë problematike në përmirësimin e kostos së mjekimit dhe detyrimisht në një politikë farmako-ekonomike sa më racionale", është shprehur Shehu. Ai ka deklaruar gjithashtu se, i mëshohet fort çmimit të medikamentit dhe lihet mënjanë cilësia e tyre dhe në këtë mënyrë nuk bëhet gjë tjetër veçse rritet kostoja e mjekimit. "Konkretisht, nëse të sëmurit i aplikohet një medikament, i cili për një arsye apo tjetrën është me një çmim të ulët në treg, kur nuk ka sasinë e veprimit të vërtetë të medikamentit, atëherë në ciklin e dytë të kurimit ai do të detyrohet të marrë medikamente më të shtrenjta, sepse i pari nuk ka dhënë efektin e duhur. Pra, në këtë mënyrë jo vetëm që dëmtojmë shëndetin e njeriut, por rrisim shumë dhe koston e mjekimit", ka theksuar kreu i komisionit parlamentar i Shëndetësisë. Me këtë logjikë sipas tij, duhet të përmirësohet edhe lista e rimbursimit të ilaçeve, ku çmimi dhe cilësia duhet të jenë në të njëjtën vijë.Shehu: Ja si do të investohen paratë e skemës së pensioneveLetrat me vlerë të qeverisë dhe depozitat në banka, janë dy alternativat më të mirë që kanë sot skemat private të pensioneve për të investuar paratë e tyre. Kështu është shprehur në një prononcim për gazetën “Panorama”, zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu. Sipas tij, një mundësi tjetër ku skemat private mund të investojnë paratë janë edhe aksionet, por për fat të keq sot për sot ne nuk kemi treg aksionesh. “Tregu i pasurive fizike që ata mund të investojnë është një tjetër fushë ku mund të investohen këto para”, ka thënë Shehu. Por që gjithsesi ndërmjet këtyre alternativave depozitimi i parave në banka dhe blerja e letrave me vlerë të qeverisë mbeten dy mundësitë më të mira, për investimin e parave nga skemat private.Skemat privateSkema aktuale e pensioneve nuk është tërheqëse për qytetarët. Pjesëmarrja në skemë është e ulët dhe si pasojë numri i pensionistëve është pothuajse i njëjtë me atë të kontribuuesve. Në një situatë të tillë qeveria ka menduar që të ndryshojë skemën aktuale të pensioneve. Ende nuk është përcaktuar se cila nga tre shtyllat e propozuara do të ndiqet për reformimin e sistemit aktual të pensioneve, por një gjë është e sigurt, se kjo reformë do të prekë vetëm të punësuarit aktual dhe kryesisht moshën e re. Shtylla e parë është ajo aktualja, e dyta është sigurim privat, por i detyrueshëm dhe e treta është sigurimi privat vullnetar. Në shtyllën e parë është shteti që garanton vazhdimësinë e pagesës së një pensioni minimal për gjithë jetën e pensionistit. Në shtyllën e dytë paratë që paguhen për sigurimin do të investohen nga privati dhe do të kthejnë një normë më të lartë fitimi, pra një pension më të madh. Në shtyllën e tretë sigurimi është vullnetar. Pra, të punësuarit, ose jo, mund të derdhin para që t’i marrin më vonë në formën e pensionit, kundrejt një norme fitimi të përcaktuar. Duke përjashtuar shtyllën e tretë, që është fakultative, dy shtyllat e para do të jenë të detyrueshme. Kjo do të thotë që çdo i punësuar do të vazhdojë të paguajë sigurime shoqërore, por paratë që i mbahen atij nga paga do të ndahen në dy pjesë. Pjesa e parë do të vazhdojë të shërbejë për shtyllën e parë. Pra, do të shërbejë për financimin e pensionistëve që aktualisht kanë mbaruar kohën e punës. Me paratë që derdhen në shtyllën e parë shteti do të sigurojë pensionin minimal. Pjesa tjetër e parave që shkojnë për shtyllën e dytë, do të investohen nga privati dhe do të japin një pension shtesë. Pikërisht këto para mund të investohen duke u depozituar në banka, duke blerë letrat me vlerë të qeverisë apo duke investuar në pasuri të paluajtshme. Tri shtyllat ku do të bazohet reforma    Shtylla e parë, përmes së cilës kryesisht garantohet mbrojtja e të moshuarve nga varfëria. Kjo shtyllë duhet të jetë e detyrueshme dhe nën administrim tërësisht shtetëror dhe është pjesë e funksionit rishpërndarës të shtetit;    Shtylla e dytë, e cila mundëson zgjedhjen individuale për një shpërndarje për gjithë jetën të konsumit të tij. Kjo shtyllë mund të jetë private ose publike dhe bazohet mbi kapitalizimin apo rishpërndarjen, por duhet të jetë qartazi e ndarë nga shtylla e parë;    Shtylla e tretë, e cila është tërësisht private dhe bazohet mbi kapitalizimin fakultativ sipas zgjedhjeve të individëve.Inflacioni, pensionistët më të prekuritPensionistët janë shtresa më e ndjeshme e shoqërisë. Sa herë që rriten çmimet e produkteve ushqimore, të parët që preken nga kjo rritje janë pensionistët. Që nga 1 janari i vitit të kaluar, në qytet nuk ka pension nën 10 mijë lekë dhe në fshat nën 5 mijë lekë. Por pavarësisht masave të ndërmarra deri më tani nga qeveria, përsëri pensionistët mbeten shtresa më e prekur. Pikërisht për këtë arsye skema aktuale e pensioneve duhet t’i nënshtrohet reformës, e cila duhet të sigurojë mbrojtjen e personave të moshuar nga varfëria dhe mjerimi, si dhe të mundësojë zgjedhjen individuale për një shpërndarje të shpenzimeve të konsumit për gjatë gjithë jetës, duke i transferuar ato nga vitet kur individi ka produktivitet të lartë drejt viteve me mundësi më të kufizuara.Skema aktuale e pensioneve, e dështuarSkema aktuale e pensioneve është drejt dështimit. Në një nga raportet e saj Banka Botërore ka dhënë “alarmin” për dështimin e skemës. Ndërkohë pak ditë më parë në një intervistë të dhënë për gazetën “Panorama”, përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri, Camille Nuamah, ka shpjeguar defektet e sistemit aktual të pensioneve. Sipas saj, sistemi aktual i pensioneve fokusohet kryesisht në reduktimin e varfërisë dhe ka një strukturë të ngjeshur të përfitimeve të pensionit në krahasim me gamën e gjerë të kontributeve të paguara në sistem. “Si rezultat është e nevojshme të forcohen iniciativat për pjesëmarrje në një sistem të tillë solidariteti”, ka thënë ajo. Një tjetër pikë e dobët është edhe fakti se shumë njerëz gjejnë mënyra për të kontribuar vetëm mbi bazën e pagës minimale, pavarësisht të ardhurave të tyre më të larta. Përveç kësaj, sistemi i pensioneve është gjithashtu shumë kompleks, me shumë privilegje të ndryshme speciale dhe për këtë arsye është i vështirë për t’u administruar. Në intervistën e saj, Nuamah ka theksuar se administrimi i vështirë e bën atë veçanërisht të lehtë për abuzime. Si përfundim, sistemi aktual i pensioneve kërkon nivele kontributi më të larta se shumë vende të Evropës Perëndimore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›