Morali i përçudnuar i një Qeverie
• Sokol AxhemiNgjarjet publike të ditëve të fundit lidhur ngushtë me situatën tragjike të ndodhur ne Gërdec, pranë Tiranës kuptohet nga të gjithë se në një shoqëri demokratike me standarde, norma e parime morale që i përkasin një demokracie normale, të cilën po përpiqemi të gjithë ta ndërtojmë bashkërisht, patjetër që do të shoqërohej me "rrokopujën" politike të atyre që janë përgjegjës. Rastet e ngjashme politike të shumë vendeve të ndryshme të botës për të tilla situata nuk kanë nevojë për koment. Madje duhet të theksojmë se ato njihen e dihen mirë nga të gjithë, aq më shumë nga politikanët tanë, që kanë vite që harrojnë "zanatet" e tyre e po punojnë si politikanë.E tashmë, padashur të futem në detaje e të rijap apo të evidentoj në këtë shkrim shkaktarët, dihet se qeveria aktuale dhe kryeministri i saj shënjohen nga të gjithë si njerëzit kryesorë përgjegjës për tragjedinë e madhe që ndodhi në Gërdec. E nëse të gjithë po kërkojmë largimin e tyre, fatkeqësisht realiteti po njeh vetëm ngritje duarsh përpjetë, shfajësime e moralitete pa vlerë, sikur jemi në një film me ngjyra, e në një situatë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Prandaj nuk mund të thuash gjë tjetër veçse një reagim i tillë nuk tregon gjë tjetër, por fatkeqësisht një moral të përçudnuar të kësaj qeverie, e cila vetëm e fortë nuk mund të quhet, sepse kështu si po vazhdon të zgjasë jetën e saj, etiketimi për të mund të jetë një "qeveri me paterica".Realisht duke menduar se kemi kaluar vite të tëra që nga fillimet e periudhës së tranzicionit të fillimviteve 90', me mjaft kolegë të tjerë universitarë e të fushave të tjera, politikanë të parlamentit e jashtë saj, fatmirësisht të kaheve të ndryshëm të politikës, në bisedë e sipër menduam se do të ndodheshim para një situate të përgjegjshme politike për mazhorancën. E një situatë e tillë nuk lidhej vetëm me kuptimin politik të momentit ku ndodhemi pas ndodhjes së kësaj tragjedie, e cila si mund ta shprehim i vuri vulën një kaosi mediatik për reformat e "suksesshme" në të gjitha fushat, e përkthyer realisht në një mungesë shpresash për ne e vendin tonë për t'u afruar me Evropën ku tentojmë të shkojmë.Pra, pritnim një reflektim serioz që duhet të na tregohej ne të gjithëve se kemi në krye të vendit njerëz të përgjegjshëm, që mendojnë se ka ardhur koha jo e demagogjisë së përjetshme me ne, shqiptarët e ideve e përkatësive të ndryshme politike, që gjithsesi kemi zgjedhur për të qëndruar e jetuar bashkë me fëmijët tanë këtu e jo gjetkë. Prandaj duam që të kemi për vete e për të gjithë, njerëz të aftë që të na drejtojnë drejt së mirës e jo drejt këtyre ngjarjeve që na kanë shokuar e stresuar të gjithëve. Dhe kjo arrihet kur përfaqësimi politik shkon në sinkron me përgjegjësinë politike. Përndryshe, gjithçka ikën e bëhen pluhur në kuadrin e një politike që meritojnë tashmë ta kenë shqiptarët. Mbi të gjitha lidershipi politik i gjithsecilit spektër duhet ta ketë parasysh këtë mësim e normë morale të demokracisë.Por me sa duket përgjegjësia tentohet të kalohet diku tjetër. Qeveria duket se është e suksesshme vetëm për të moralizuar, për ta larguar veten nga telashet që ndodhin prej saj në vend, për të dëmshpërblyer të vdekurit e radhës e kushedi për çfarë tjetër, por që të jemi të sigurt nuk ka lidhje me jetën, dëshirat e interesat e shtetasve të saj. Mbase nuk duhet të çuditemi që përgjegjësia mund të zhvendoset tek ndonjë ushtar roje në Gërdecin e dikurshëm që sot është kthyer në gërmadhë, apo tek familjet e familjarët që për bukën e gojës rropateshin tek një objekt që prodhoi tragjedinë e radhës në Shqipëri. Mbase më keq akoma përgjegjësia mund të dalë edhe tek ndonjë fëmijë i vogël që punonte për të çuar ndonjë lek të shkretë në shtëpi.Gjithçka mund të harrohej nëse standardi që po përdor sot lidershipi i mazhorancës që qeveris vendin do ishte koherent në tërësinë e sjelljes së saj politike gjatë këtyre 17-18 viteve të politikës pluraliste në Shqipëri. Fatmirësisht politika në vendin tonë është një sport, teatër, shfaqje a gjithçka mund të themi për të, që është shumë e ndjekur nga ne, shqiptarët. Një gjë e tillë ka bërë që të gjithë që merren me politikë, të ndiqen e vëzhgohen për sjelljen e tyre politike nga mijëra shqiptarë kudo në vend. E pra retrospektiva që i bëhet lidershipit që qeveris sot vendin nuk duket aspak premtuese për të të lënë një shije të mirë. E këtë nuk e themi vetëm ne të politikës, por të gjithë, rozët e blutë, të gjelbrit apo… E kush nuk e mban mend lidershipin e kësaj mazhorance, kryeministrin aktual të saj, apo Saliun e djeshëm në opozitë. Nuk mund të kalonte një ngjarje sado e vogël apo shqetësuese në vend, në çfarëdo lloj fushe a drejtimi nuk përbënte problem, veçse podiumi i parlamentit oshtinte nga mallkimet e shumta, zemëratat nga më inkandeshentet, sharjet e ofendimet nga më obskurantistet, ku përmendeshin deri edhe familjaret e pozitës së djeshme. Ndërsa sot fatkeqësisht ai dhe qeveria e tij, ndonëse e gjendur përpara një zemërimi të gjerë jo vetëm politik, por edhe popullor, për shkak të mungesës së reformave, keqqeverisjes e mosrealizimit të objektivave politik, vazhdon në stilin e vjetër të mosmbajtjes jo vetëm të përgjegjësive, por aq më keq akoma të një standardi tjetër okult, atij të ikjes nga kjo përgjegjësi.Realisht ky nuk është një fat i mirë për ne të gjithë, përkundrazi fatkeq që edhe pse mendojmë ndryshe nga ai politikisht, përsëri synojmë vendosjen e një standardi të ri në politikë. Një gjë e tillë përkthehet si një moral i ri në politikë. Ndërsa presim të ecim para, shpeshherë po na ndodh që të kthehemi mbrapa në kohë. E faji nuk është i yni. Fatkeqësisht këto vitet e fundit rëndon po na dëgjojnë veshët e po na buçasin nëpër shtëpitë tona fjalët dhe terminologjitë folklorike me emërtimin reforma. Por papritur tërë krerët kryesorë që drejtojnë institucionet kryesore të shtetit në unison, theksojnë në këtë moment se ka pasur probleme me reformat. As më pak e as më shumë konfirmojnë atë çfarë ne themi përditë me njëri-tjetrin, në punët tona, në familjet tona, në shoqëritë tona, në partitë tona, se nuk po shohim ndryshimet e shumëpërfolura apo të premtuara.E kështu ky lum çoroditjeje politike që na vjen nga kjo mazhorancë, nganjëherë apo shpeshherë na binjakëzohet me ndonjë në opozitë për të na prodhuar nga fekondimi i tyre ndonjë term që emërtohet përsëri reformë. Ndonjë radhë me atë që është shtylla e demokracisë, zgjedhjet. Kjo është një hile tjetër për ne të tjerët që mendojmë drejt e pa paragjykime në të ardhmen. Sepse ato fjalët e urta të popullit nganjëherë si për dreq edhe dalin "se mundohesh t'ia bësh gropën tjetrit e bie vetë brenda". E kjo nuk përbën moral që duhet të ekzistojë në politikë, prandaj kjo qeveri bart në vetvete pikërisht përçudnimin e moralit të saj.