“Rindërtim i skemës në funksion të rritjes së pensioneve”, Rama: Bonuset, pjesë e rrugëtimit tonë në mandatin e katërt

TIRANË, 20 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama në rubrikën “Sy m’sy” iu është përgjigjur sot qytetarëve në rrjetet sociale në lidhje me shqetësime të ndryshme të ngritura prej tyre.
Nja nga komentuesit e pyeti kreun e qeverisë në lidhje me pensionet dhe se çfarë do të bëjë qeveria për t’i ngritur.
Rama tha bonuset për pensionistët do të jenë pjesë e rrugëtimit të qeverisjes në mandatin e katërt.
“Jam shumë dakord, do të bëjmë më shumë për pensionet. Kemi filluar me bonuset, bonuset do të jenë pjesë e rrugëtimit tonë, që do të thotë që koncepti i pjesëmarrjes së pensionistëve në të ardhurat në rritjen ekonomike do të stabilizohet gjatë mandatit të katërt. Unë jam besimplotë se me dy bonuse dhe pastaj me një rindërtim të skemës, në funksion të rritjes tërësore të pensioneve, Shqipëria 2030 do të jetë një vend ku pensionistët do të ndihen shumë më të përfshirë në tryezën e përbashkët të familjes së Shqipërisë, në tryezën e rishpërndarjes së të ardhurave nga ekonomia”, tha Rama.
/r.e/a.f/