E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Gjatë tre mandateve të PS, investimet më të rëndësishme janë bërë në veri

TIRANË, 20 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në platformat sociale, iu përgjigj sot një qytetari që i kujtoi faktin që sipas tij, veriu është lënë në harresë sa i takon investimeve dhe zhvillimit.

Kryeministri u përgjigj me një përmbledhje të disa prej investimeve më të rëndësishme që janë bërë gjatë tre mandateve të qeverisjes socialiste, të përqendruara në veri të Shqipërisë.

“O Klod, po të bëj një rezyme dhe është me gjatë se kaq. Unë mendoj që Rruga e Arbrit është në veri, nuk është në jug, më rezulton në verilindje të Shqipërisë, mua më rezulton që Rruga e Kombit është në veri dhe rruga nuk ka qenë e përfunduar. Kemi bërë punime të jashtëzakonshme atje për t’i dhënë trajtë përfundimtare dhe punimet vazhdojnë për sistemuar ato gjëra që nuk janë të plota.

Mua më rezulton që rruga për në Theth është për në veri; rruga e Valbonës në Tropojë është në veri; rruga e Lurës, e cila është në proces dhe së shpejti do të jetë në dispozicion të turistëve për të hapur një tjetër akses për turistët drejt mrekullive shqiptare është në veri jo në jug; rruga e Alpeve është në veri, në Malësinë e Madhe; rruga Shëngjin-Velipojë është në veri; rruga Shkodër-Velipojë një rrugë shumë e kërkuar, e dëshiruar dhe e premtuar është në veri”, u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit Rama, këto janë vetëm një pjesë e akseve më të rëndësishme ku është investuar në infrastrukturë për të sjellë zhvillim në zonat e veriut të vendit.

“Të përmenda disa akse me rëndësi, por mund të të përmend dhe plot akse të tjera më të vogla që janë në veri. Kështu që këtë teorinë “e veriut të lënë pas dore” duhet t’ia lini kohës së shkuar, kur ata që flisnin në emër të veriut nisën të bëjnë Rrugën e Kombit, por nuk bënë asgjë për këto që sapo fola”, theksoi Rama.

“Të gjitha këto janë rrugë janë infrastrukturë zhvillimore turistike e ndërtuar nga qeveria e partisë socialiste gjatë këtyre tre mandateve”, u shpreh Kryeministri Rama.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›