Gjykata dënon me 20 vjet burg David Braun
Tiranë- Gjykata e Tiranës ka vendosur sot dënimin me 20 vjet burg për anglezin David Braun, drejtues i qendrës “Fëmijët e tij”.
Në seancën e zhvilluar sot, pasi ka dëgjuar gjithë palët, trupi gjukues ka vendosur shpalljen fajtor të Braunit, për abuzimet me fëmijët në qendrën që e drejtonte vetë.
Sipas vendimit, pas vuajtjes së dënimit ai do të dëbohet nga Shqipëria, si një person i padëshirueshëm, ndërkohë që llogaritë e fondacionit të tij do t;i kalojnë shtetit.
Për abuzime me të mitur janë të akuzuar edhe dy shtetas të tjerë, por procesi në ngarkim të tyre është ende në vijim e sipër.
Seancën para marrjes së vendimit, prokuroria e Tiranës kërkoi dënimin me 20 vjet burg për Braun. Sipas konkluzioneve të prokurorit Kol Hysenaj, i pandehuri 60- vjeçar Braun, gjatë periudhës 2003-2005 ka abuzuar në dy raste, ndaj fëmijëve të mitur dhe endacakë që jetonin në qendrën e tij bamirëse në rrugën “Dervish Hekali”. “Nga hetimi gjyqësor është provuar dhe faktuar me anë të dëshmitarëve të viktimave se i pandehuri David Braun ka konsumuar veprën penale të “marrëdhënieve homoseksuale me të mitur” në bashkëpunim dhe për kryerjen e kësaj vepre të rëndë penale kërkojmë dënimin e tij me 20 vjet burg”,-tha prokurori.
Gjithashtu, prokurori nënvizoi se për vuajtjen e këtij dënimi, i pandehuri duhet të izolohet në një burg të sigurisë së lartë, për shkak të rrezikshmërisë së kryerjes së kësaj vepre penale. Sipas konkluzioneve, i pandehuri ka abuzuar me dy të mitur të moshës 6 dhe 7 vjeç, në kohën kur këta të mitur jetonin dhe banonin në qendrën bamirëse “Fëmijët e tij” që ndodhej në rrugën “Dervish Hekali”, në banesën private me nr. 32, për shkak të kushteve të këqija ekonomike pranë familjeve të tyre.
Gjatë seancave të kaluara, i pandehuri Braun ka pretenduar disa herë se ishte impotent dhe nuk mund të kryente marrëdhënie homoseksuale për shkak të sëmundjes së fimozës, që për ekspertët mjeko-ligjorë kjo nuk është e vërtetë.
Sipas prokurorisë, janë katër fëmijë, ndaj të cilëve është abuzuar nga i pandehuri Braun dhe dy -ish punonjësit e kësaj qendre bamirëse që po gjykohen në një proces tjetër gjyqësor, të pandehurit Dino Christodulu dhe Robin Arnold. Arrestimi i shtetasit anglez David Braun, u bë më 18-maj të vitit 2006, pas kallëzimit të disa të miturve endacakë, të cilët akuzonin ish-administratorin e qendrës së bamirësisë “His Children” se abuzonte seksualisht me ta.