Rindërtimi, nis pastrimi i sheshit për ndërtimin e banesave të reja në Kombinat

TIRANË, 26 shtator/ATSH/ Në rrugën “Shaban Bardhoshi” në Kombinat ka nisur pastrimi i sheshit nga Bashkia e Tiranës, duke i hapur rrugë ndërtimit të banesave të reja për familjet që janë ende në pritje.
Kryeministri Edi Rama ndau sot momente nga puna që po kryhet për pastrimin e sheshit, ndërsa bëri të ditur se “paralelisht, puna do të vijojë edhe me përmirësimin e infrastrukturës përreth pallateve të ndërtuara tashmë, për një mjedis më të sistemuar dhe funksional për banorët”.
“Pas takimit me familjet, jemi në terren për të ndjekur nga afër çdo hap dhe për të koordinuar punën mes institucioneve”, u shpreh Rama.
Përshpejtimi i procedurave për përfundimin e procesit të rindërtimit në Kombinat ishte një nga kërkesat e zëvendëskryeministres Albana Koçiu dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Ervin Demo, të cilët vizituan pak ditë më parë Njësinë 6, në kryeqytet.
Deri tani në Kombinat janë shpërndarë mbi 340 apartamente për familjet e prekura nga tërmeti, ndërsa rreth 650 familje vijojnë të trajtohen me bonus qiraje dhe presin të marrin banesat e tyre.
/m.m/j.p/r.e/