Rinumërimi i Durrësit, kandidati i PD-së kërkon hapjen e të gjitha kutive të qarkut

Aulon Kalaja, nga Pallati i Sportit “Farie Hoti”, ku po bëhet rinumërimi i votave të qarkut Fier, kërkoi të mërkurën rinumërim të plotë të votave për Durrësin me pretendimin se ka devijim të votave të tij.
Kërkesa erdhi në nisje të rinumërimit për qytetin bregdetar, ku Partia Demokratike ka dyshime për trafikim të votave gjatë zgjedhjeve të 11 majit.
“Po na shpallin vota të pavlefshme në një mënyrë totalisht të çuditshme. Është një vendimmarrje e KAS-it, e cila është e pakuptueshme. Me sa duket u kemi prishur pushimet dhe janë të shqetësuar. Për këtë arsye, për t’u hakmarrë ndaj nesh, kanë zgjedhur të na i quajnë votat të pavlefshme, kur vullneti i qytetarëve ka qenë totalisht i qartë. Pra, KAS-i ka vendosur për Fierin që të hapen të gjitha kutitë. KAS-i ka vendosur për Tiranën që të hapen të gjitha kutitë. Për Durrësin, meqë iu prishën pushimet, se duan të mbyllin për dy ditë, këta po i hapin në mënyrë të pjesshme. Unë do të kërkoj që të hapet Durrësi, i gjithi. Do të bëj kallëzim, se nuk kam rrugë tjetër. Po përdor të gjitha mjetet ligjore. KAS-i sot është PAS, për mendimin tim, një institucion kuazigjyqësor,” tha kandidati për deputet i PD-së.
Gazetare: Jonida Omeri
/rtsh.al/