E Diel, 1 Nëntor 2026

Rischiatutto

Ekskluzive e “TemA”-s Javore: Historitë e bujshme të Televizionit: “Lascia o raddoppia?” dhe “Rischiatutto”

I.

Më 5 shkurt 1970 në kanalin e dytë, filloi programi i paracaktuar për t’u bërë quiz-i më i rëndësishëm në historinë e televizionit italian. Një shéj i vërtetë dhe i paluejtshëm i fatit, sepse në të vërtetë do të kisha braktisë gjithçka nëse nuk do të kishte ndodhë përkimi i takimit me Carlo Fuscagni-n në korridoret e RAI-t. Kësisoji, jeta ime është e paracaktuar prej ngjarjesh të këtij lloji, të të papriturave të skenave të jashtëzakonshme në çastet më të paparashikueshme.

“Rischiatutto” ka qenë quz-i im më i pjekur, fryt i shumë viteve përvoje televizive dhe të vetëkuptimit të botës së spektaklit, i ndërtuar duke u përkujdesur deri në imtësi për çdo detaj përmes një periudhe të gjatë kërkimi. Ishte një lloj ndeshjeje që e gjitha zgjaste diçka mbi një orë, e përmbledhur, pa pushime, dhe pa kohë të vdekur.

Fillimisht menduam ta emërtonim “A Repetaglio!”, çka do të na kujtonte një titull origjinal të programit amerikan “Jeopardy”, prej të cilit kisha marrë si të thuash, frymëzimin e parë. Megjithate, me kalimin e muajve dhe me konsolidimin e skuadrës teknike dhe artistike, titulli u ndryshua përfundimisht në “Rischiatutto” (“Rrezikogjithçka)”.

RAI më dha ndërkaq, skenografin më të mirë të asokohe, të cilit do t’i besonim përgjegjësinë e drejtimit të programit, si dhe një zyrë të madhe ku do të bënim provat për konkurentët. Ai ishte Giorgio Carnevali, i cili kur do të fillonim të hynim në valë, do të merrte edhe rolin e kontrolluesit, duke qëndruar te një tryezë mbrapa meje. Sa herë që ndërhynte për vendimet me të cilët nuk ishim në një mendje, i afrohesha atij dhe inskenonim diskutime me gjeste të mëdha që fiksoheshin prej regjizorit Piero Turchetti.

Turchetti, i famshëm edhe për frazën që unë shqiptoja sa herë që fillonte programmi: “Le të nisin trombat, Turchetti!” (në përshtatje me siglën e famshme të një grupi trombash), e kishte përpunuar kur punonte me mua në kohët e “Campanile sera”, duke u përkujdesë për disa lidhje me jashtë. Ishte një personazh i ditur, i përsosur për një program që bazohej mu në kulturën. Kujtoj se në bisedat e tij të gjata me konkurentët rreth argumenteve të tyre, ishte gjithmonë interesant dhe i hapur me të gjithë. Vazhduam më mbas duke bashkëpunuar qëndrueshmërisht së bashku deri më 1982.

Në suksesin e programit ndikoi tejet edhe një zgjidhje e pranueshme përsa i përket “shoqërueses” sime Sabina Ciuffini. Ishim më 1970, disa vite të mira mbas “revolucionit” 1968 dhe efektet e ndryshimit të mendësisë dhe të sjelljes, mbi të gjitha midis të rinjve, ende ndikonin në jetën e përditshme.

Mendoja se të dhënat e përsosura për një shoqëruese televizive moderne do të duhej të ishin aftësia e të shprehurit mirë, dhe një fizik i bukur. Këmbëngulja të gjeja një tip gruaje moderne, me të cilën të mund të njinjisoheshin të gjithë të rinjtë, dhe që të dinte të shprehte tërheqje dhe personalitet.

Shkova së bashku me bashkëpunëtorët i fshehur në një makinë, karshi Universitetit të Romës. Ishim vendosur në pika të ndryshme strategjike, dhe kur shihnim ndonjë vajzë të bukur e cila simbas nesh i përgjigjej kërkesave tona, njeri prej nesh i afrohej asaj dhe e ftonte, mbasi e kishim pyetur nëse ishte e interesuar për të ardhur në studiot e televizionit.

Gjetëm nja njëzet, e, më duhet të them se kur erdhi Sabina Ciuffini e veshur me një fundshkurtër (minigonë) e kuptova se me te ia kishim arritë qëllimit. Bukuria e saj ishte e ëmbël dhe që mishëronte shpirtin e këtyre viteve. Një fizik shumë i bukur, mbante funde tërheqës dhe shumë të shkurtë, çorapë të gjatë të zinj dhe kishte ndërkaq, një buzëqeshje çarmatosëse të një vajze shumë të aftë. E lindur në Argjentinë, por krejtësisht italiane, ajo studionte filozofi, kishte një mendje kërshërie, dhe dinte me folë shumë mirë.

Publiku televiziv u dashurua mbas saj, dhe stili i saj, buzëqeshja e saj së bashku me fundshkurtërin e saj hynë në histori. Popullariteti i saj u shtua javë mbas jave në mënyrë të rrufeshme edhe falë parodive që përqëndroheshin mu te fundshkurtëri i saj, çka paraqiste një diçka krejt të re për televizionin. Nuk duhet harruar se deri asokohe balerinat e para duhet të vishnin geta të trasha, kaq i rreptë ishte kostumi televiziv.

U bë historik skeçi që interpretonte me te Alighiero Noschese, imituesi më i madh, simbas mendimit tim, të cilin e thërrisnim ndonjëherë. Shpesh RAI ende transmeton çastin kur ai më imiton mua dhe Ciuffini-n, ndërsa unë e urdhëroj rreptësisht se si duhej të sillej. Në lidhje me këte, Noschese tërhiqte një lloj litari, dhe fundshkurtëri ulej gjatë-gjatë deri te kaviljet.

Një tjetër skenë e famshme e Noschese-s e frymëzuar falë ”Rischiatutto”-s, ishte ajo e treshes së konkurentëve gjoja të keqtrajtuar prej meje. Dhe përsa i përket mënyrës sime të të trajtuarit të konkurentëve, duhet thënë se imituesit janë marrë sa s’ka ku shkon më. Edhe Fiorello këto vitet e fundit, dëfrehet në programet e tij radiofonike duke marrë mënyrën time të ndërhyrjeve ndaj fëmijëve konkurentë në programin “Genius”.

Me famën e fituar në “Rischiatutto, Ciuffini mori pjesë si shoqëruesja ime edhe në Festivalin e Sanremos më 1975, dhe më mbas u bë edhe drejtuese e disa emisioneve të Mediaset.

Në program, pranë me Giorgio Carnevali-n, qëndronte edhe ai që me vite u bë autori i jetës sime: Ludovico Peregrini. E kisha njohur falë një bashkëpunimi të shkurtë në radio, ku midis të tjerëve, punonte me mua edhe Paolo Limiti. Të dy u bënë autorët e pyetjeve të “Rischiatutto”. Limiti, i cili kujtoj se kishte një gjakim të madh për pyetjet në stilin amerikan, ishte në regji, dhe Peregrini rrinte mbrapa meje pranë Carnevali-t. Mbas suksesit të “Rischiatutto”, Ludovico Peregrini, gjithnjë i pranishëm në studio në të gjithë quiz-et, më vonë ka punuar edhe në Mediaset, dhe përveçse autor, u bë edhe një lloj noteri, një ruajtës i zbatimit të rregullores. Njerëzit nga shtëpia e deshtën fort ate, të mësuar që ta shihnin shpesh duke hedhur poshtë përgjigjet e gabuara në rolin e tij të gjyqtarit të garës. Kështu ai fitoi emrin e famshëm “Zotnia Jo”!

Ne ishim një skuadër shumë e fuqishme, një grup pune që i ka bërë të gjithë me folë me vehte dhe që do të vazhdojë gjatë të sundojë historinë e televizionit tonë.

Eleganca, përsosmëria dhe stili modern i programit mishëroheshin edhe në grafikën origjinale, si dhe në siglën e famshme me çaste multiplikative, të personifikuara prej gërmës “R”, që në fund ia arrinte të ngurtësohej, duke u shndërruar në një bastun të rëndë.

Shumë e bukur ishte edhe muzika e siglës e Georges Moustaki, këngëtari egjiptian i natyralizuar farncez, i cili kishte arritur suksesin e madh me “Lo straniero”, dhe për të cilin tash së fundi mësoj se jeton në një ishull të Pacifikut. Mandej, në dy sezonet e fundit, për ndryshim qe zëvendësuar me këngën “Amare di meno” të Pepino di Capri-t.

Në fund të fundit, “Rischiatutto” ishte e përqëndruar në talente teknike dhe artistike, të gjithë të mbështetur në dy tregues që kanë përbërë suksesin e programit: konkurentët dhe ritmi.

X X X

Ndodhi që ashtu si dhe për “Lascia o raddoppia?”, ku episodi i famshëm i controfagotto-s vetvetiu kishte popullarizuar programin, edhe “Rischiatutto” u pagëzua përmes një gabimi të frikshëm.

“Të kujt janë këto vargje muzikorë?”, pyeta një konkurent.

“Po a nuk janë ato të himnit të Italisë!”, u përgjigj ai.

Mbi skedën time në të vërtetë ishte shkruar qartë se i përksinin një poezie të Giosue Carducci-t. Dhe kështu, unë i thashë se përgjigjja ishte e gabuar.

Fundi i botës ra mbi krejt teatrin, mbi të gjitha për shkak të të gazetarëve të cilët në kundërshtim me puntatën e parë të “Lascia o raddoppia?”, tash ishin jashtëzakonisht shumë. Britma, fishkëllima, madje disa u ngjitën me këmbë mbi poltrona!

Unë, megjithate vazhdova programin pa u tutur asesi. Në një stil të përsosur të famës sime të njeriut të paturbulluar. Një cilësi që e kisha treguar edhe në të kaluarën në situata të vështira kësisoji, për shembull në Sanremo kur pat ndodhur rasti i kalamendjes së Carla Maria Puccini-t.

Regjizori i puntatës së parë, i cili mandej u ndërrua me Turchetti-n, iku nga teatri për të mënjanuar sulmet prej polemikave të publikut. Përsa do të merrnim vesht më mbas, ai qe tronditur i gjithi prej çka ndodhi, ngjarje që do të na shqetësonte jo vetëm ne, por dhe familjen e tij për disa ditë.

Falë zotit programi ishte i regjistruar dhe kështu ne mënanjuam një tjetër keqfigurë si ajo e controfagotto-s. Giorgio Carnevali e mori menjëherë ndër duar situatën, dhe i fortë në detyrën e tij siç ishte, i bindur se duhej të hynim në valë, vendosi me e ndërpre krejt garën, duke lënë vetëm pjesëzën e fillimit në të cilën spjegohej mekanizmi i “Rischiatutto” -s.

Gazetat folën jo pak natyrisht, por spektatorët në shtëpi, nuk mësuan për gabimin e madh, për të cilin kësaj rradhe unë nuk isha aspak përgjegjës.

X X X

Sapo u vu në vend makina e lojës, u kuptua se “Rischiatutto” do të shndërrohej në një sukses të madh. Qysh në batutat e para dhe deri në puntatat e mëmbasme ne i kaluam njëzet milionët e dëgjuesve.

Ishin të dhëna mrekulluese. Mesatarja e kanalit të dytë ishte rreth shtatë milionë. RAI po e shihte tashmâ se ndodhej përballë një ngjarjeje televizive si në kohët e “Lascia o raddoppia?” dhe madje edhe më fort se kaq. Treguesi i ndjekjes arriti një rekord sot e kësaj dite të pakalueshëm për një quiz. Morëm më shumë se njëzetepesëmijë kërkesa pjesëmarrjeje për katër muaj, e në zyrën time të sekretarisë ishin një mal me pako letrash dhe kartolinash që vinin prej të gjithë rajoneve të Italisë.

Midis spektatorëve thuhej se mund të ishte vetë Papa Pavli VI dhe presidenti i Republikës Giovanni Leone, i cili, i ftuar një të enjte në mbrëmbje për një darkë në rrethin e “Granatieri di Sardegna”, kërkoi ta afronte një orë darkën për të mos humbur programin tonë.

Stina e parë, ajo e tetarit “Delle Vittorie” në Romë u zgjat deri më 30 korrik, pa munguar asnjë të enjte, madje as në ditët e Kampionatit Botëror të futbollit në Meksikë.

Nga vjeshta 1970 do ta rifillonim spektaklin në teatrin e Panairit të Milanos. Dhe mu ky ishte sezoni i dytë në të cilin do të fillonte seria e pandërprerë e triumfeve dhe e çmimeve të fituara, me të vërtetëtë bujshëm. Kjo sepse në garë do të hynin një ushtri e tanë personazhesh të cilët do të bëheshin edhe më popullorë se sa ata të kohës së “Lascia o raddoppia?”.

Në fillim menduam që ta përfundonim programin në mbarim të sezonit të tretë, mbas asaj që mund ta quajmë “supersfida e qershorit 1972”. Mirëpo, këmbëngulja e publikut dhe kërkesat për t’u regjistruar vazhdonin të ishin të tilla sa që na detyruan për një zgjatje të mëtejshme të programit.

Midis letrave të pafund që merrnim, e cila përfaqësonte universin po aq të pafund njerëzor, ishte dhe kjo: “I dashur Zotni Mike, unë dua të vi në “Rischiatutto” për t’u përgjigjur për të vdekurit dhe varret, për të çvarrosurit, për skeletet, dhe për nëndhénë e njerëzve të shquar. Kam qenë varrmihës për më shumë se gjysmë shekulli dhe kam futur nëntokë njerëz të panumërt. Jam shtatëdhjetë e një vjeç dhe shpresoj se kam për të qenë i nevojshëm edhe për ju”.

Ky nuk është një trillim! Bëhej fjalë për zotni Paolo Tiognon, i cili ishte nga provinca e Gorizia-s. Por në ato rrethana nuk dinim nëse ai mund të vinte vërtet. Po në çka mund të më ishte i nevojshëm?...

Dhe kështu do të vazhdonim edhe për dy vjet të tjera, pa rënë asesi interesi, deri më 25 maj 1974 kur në përfundim do të regjistronim një ndjekje prej afër tridhjetë milion spektatorësh, më shumë se sa ç’kishte tërhequr transmetimi i mbërrijtjes në hënë më 1969.

X X X

Mbas disa viteve që ishim në valë, në të gjithë Evropën u përhap lajmi i një suksesi të jashtëzakonshëm të programit dhe të mesatares së ndjekjes rekord që po merrnim.

Dhe kishte shumë kërkesa për të marrë formulën e “Rischiatutto”, duke qenë se unë zotëroja të drejtat e autorit.

Shkova kështu në Gjermani, në Austri, në Holandë, në Zvicër, me rastin e puntatave të para në këto shtete, për t’i spjeguar paraqitësve të atjeshëm mekanizmin e programit. Dhe vetëm për të drejtat, televizionet që më kishin thirrë, paguan dyfishin e asaj çka unë fitoja çdo të enjte kur isha në valë. Ua them këte, për të dhënë një ide të kushteve në të cilat paraqitësit punonim në Itali nën regjimin e një monopoli.

Hap mbas hapi, duke pa suksesin, kërkova një shtesë prej njëzetepesë-pesëdhjetëmijë lireta. Ia plasën me një qeshje të bukur dhe duke më treguar me dorë derën, më thanë: “Rri urtë, dhe shih se nga mbrapa është një rradhë e gjatë e njerëzve të cilët presin me padurim për të të zënë vendin”.

Kur ndodhte ndonjëherë që të tërhiqnim diçka më pak se njëzet milionë shikues në ditë, ata më thërrisnin në drejtori për të më thënë: “Kujdes, sepse po biem. Po të vazhdosh kështu, do ta mbyllim!”.

Ne paraqitësit mernim në fund të vitit një shtesë vjetore qesharake po ta krahasonim këte me popullaritetin tonë edhe në përmasa me atë të aktorëve të kinemasë, të cilët rrëmbenin miliona për çdo rast paraqitjeje. Për fat shtoj se popullariteti im ishte i tillë saqë po të doja, çdo mbrëmbje unë mirëpritesha në lokale të natës apo në raste festash në sheshe të qyteteve.

Sidoqoftë, ishte edhe kompensimi prej publicitetit për atë i cili kishte fatin të ndodhej nën një sponsor, si dhe pjesëmarrjet e vogla në filmimet kinematografike ose ndërhyrjet në veprimtaritë e industrive të mëdha.

Të gjitha këto kompensime së bashku, në fund të fundit më bënin që të mos ankohesha prej jetës sime. Midis shumë kënaqësive materiale që unë përfitoja, falë regjimit të gjithë kësaj mbipune, ato që më tërhiqnin ishin sidomos barkat dhe veturat e markave të mëdha të shquara.

Natyrisht, ngado që ta vështrosh, ishte shumë i padrejtë qëndrimi i RAI-t përsa i përket pagesave, por ndodheshim nën regjimin e monopolit dhe – përderisa ende nuk kishte mbërritur Silvio Berlusconi i cili do t’i shumfishonte pagesat – për të mos humbur postin, ne ishim të detyruar ta pranonim këte gjendje.

(Fundi i Ekskluzives sonë - të dielën e ardhshme.).

E përktheu: BESNIK DIZDARI

* Për Pjesën I dhe II shih “TemA”, 31 gusht, 7 shtator 2008.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›