Rishikimi i buxhetit pas bilancit te qershorit
Ministria e Financave do të presë bilancin e muajit qershor për të bërë rishikimin e buxhetit të shtetit për pjesën e dytë të 2012-ës. Burime nga dikasteri i Financave bëjnë me dije se ecuria pozitive në mbledhjen e të ardhurave në dy muajt e fundit i ka bërë optimistë për të mos llogaritur shifra shkurtimesh duke e shtyrë këtë procedurë për një tjetër afat ende të papërcaktuar. Sipas burimeve nga Ministria e Financave pritet që të mos ketë ndërhyrje kryesisht në zërin e investimeve publike për pjesën e dytë të vitit. Sipas tyre ka disa skenarë por ai përfundimtar do të vendoset nga ecuria e të ardhurave të muajit qershor. Pak ditë më parë ministri i Financave Ridvan Bode deklaroi se qeveria do të rishikojë buxhetin e viti 2012. Sipas ministrit Bode do të rishihen zhvillimet e gjashtë mujorit të parë si dhe perspektiva për pjesën e mbetur të vitit në një kontekst konkret faktik. Do të rishikohet kuadri makro-ekonomik i vendit si dhe mundësitë për përmbushjen e objektivave të 2012-ës në përputhje me zhvillimet globale rajonale dhe për më tepër zhvillimet konkrete në ekonominë shqiptare. Të ardhurat konkrete kanë rezultuar në rritje pozitive ndryshe nga vendet e tjera të rajonit tonë. Sipas ministrit të financave, 2012 është një vit i vështirë për shkak të zhvillimeve në Eurozonë dhe impaktit që ka kriza e euros në ekonomitë e rajonit. Zhvillimet në ekonomine greke dhe italiane nuk mund të kalojnë pa lënë gjurmë në vendet e rajonit dhe në atë tonën. Në periudhën katër mujorë të këtij viti ka pasur një rritje të të ardhurave të buxhetit të shtetit, gjithsesi jo në nivelin e objektivave të parashikuar dhe për këtë Financa ka deklaruar se do të tregohet e kujdeshme në programimin e gjashtëmujorit të dytë të vitit.