E Diel, 1 Nëntor 2026

OSBE Soares: “Hetim zgjedhjeve sipas Kushtetutës”

Autori i Lajmit: Redaksia
Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Joao Soares, i bën thirrje opozitës shqiptare të rikthehet në Kuvend, ndërsa thekson se duhen marrë me seriozitet dhe dyshimet e paraqitura nga opozita për manipulime. Soares ka shtuar se hetimi i zgjedhjeve duhet të bëhet sipas Kushtetutës. Deklarata e tij publike vjen pas takimeve të zhvilluara në datat 17 dhe 18 shkurt, në Vjenë me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe kreun e PS, Edi Rama, si dhe politikanë të tjerë. Pas këtyre takimeve, Soares rikonfirmoi mbështetjen e tij për vlerësimin që OSBE i bëri procesit zgjedhor të 28 Qershorit 2009 në vendin tonë. Në deklaratën përfundimtare të OSBE, megjithëse vlerësohen përparimet e arritura në procesin zgjedhor, konstatoheshin gjithashtu edhe mjaft shkelje dhe mangësi veçanërisht në procesin e numërimit të votave.
Deklarata
Kreu i Asamblesë së OSBE-së, Soares, pas qëndrimeve të kundërta të marra nga Topalli dhe Rama gjatë takimeve të zhvilluara në Vjenë, ka dalë në një deklaratë publike, edhe pse politikanët shqiptarë i kishin kërkuar të priste. “Por pas bisedimeve që patëm me kolegë të tjerë ne jemi të gatshëm dhe të interesuar ta bëjmë një deklaratë. Ne kemi dëgjuar idetë tuaja mbi këtë çështje dhe mendoj se duhet të kemi një deklaratë të qëndrueshme dhe të formuluar me kujdes, për arsye se disa nga problemet janë të qarta për ne këtu, e para: Ne japim mbështetjen tonë të plotë pa asnjë hezitim raportit të bërë nga misioni ynë vëzhgues zgjedhor. Misioni i OSBE u kryesua nga zv. presidenti i AP, Volfgang Grossruck, i cili ka shumë eksperiencë. Ndërsa vuri re përmirësime, ai dhe ekipi i tij, rreshtuan një sërë çështjesh të rëndësishme që kishin nevojë të adresoheshin. Akuzat për vjedhje elektorale të bëra nga opozita, duhet gjithashtu të shihen”,- tha Soares.
Po ai shtoi se të gjithë të zgjedhurit të hyjnë në Parlament, sepse kjo është sigurisht thelbësore, pavarësisht ndonjë ankese që mund të ketë. “Deputetët e zgjedhur duhet të hyjnë në Parlament, sepse ekziston rreziku që, nëse deputetët e PS nuk hyjnë në Parlament, javën e ardhshme mund të humbin mandatin e tyre. Kjo do të ishte e tmerrshme, duke pasur parasysh atë që ka ndodhur gjatë 20 viteve të fundit në vende si Shqipëria”, - tha ai. Por Soares ka shtuar se është e qartë që mund të ngrihet një Komision Hetimor që sigurisht respekton ligjet në fuqi dhe që mund të jetë mjaft i dobishëm. “Pra nëse kjo do të ndodhë, nesër ose më pas ne nuk mund ta dimë, por ne duhet të dalim me një deklaratë të qartë dhe unë do tju kërkoja të gjithëve të mbështetni dhe të kontribuoni në këtë deklaratë dhe jo duke u bazuar në spekulime, por duke u bazuar në vëzhgimet tona dhe të Alce Hastings dhe Volfgang Grossruck, të cilët kanë qenë në terren. Kjo do të kontribuonte në demokracinë dhe shtetin ligjor në Shqipëri. Pavarësisht nga pikëpamjet tona politike, ne mendojmë se është shumë e rëndësishme të tregojmë mbështetjen tonë dhe të tregojmë një herë e mirë se kemi besim tek ky proces”, - përfundon deklarata e tij.

Ky lajm është publikuar: 19/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›