NE USHTARET! Kërkojmë misionet e vështira, të jemi si ushtaret amerikane
Autori i Lajmit: Denisa Kona
Ato pëlqejnë filmat aksion, filmat policorë dhe me veprime ushtarake. Që të vogla e kanë përfytyruar veten si heroina apo protagoniste të skenave aksion, disa prej tyre kanë luajtur me ato që quhen lodra djemsh, si pistoleta, tanke e ushtarë të fabrikuar. Por kur kanë marrë armën e vertetë në duart e tyre dhe kanë ndjerë peshën e saj, shumë prej tyre e pohojnë se kanë ndjerë njëlloj frike. Mirëpo më pas, gjithçka ka kaluar; një pjesë e tyre u bënë shumë shpejt qitëse shumë të mira si Ermelinda Dhami…
Kështu, i zhveshën fustanet dhe takat për të mbathur kapotat dhe këpucët ushtarake këto vajza që sot janë ushtaret e para profesioniste të Shqipërisë. Ne i takuam ato në dy nga repartet më të lakmuara prej tyre; Në repartin e Policisë Ushtarake në Sauk dhe në Repartet e Këmbësorisë dhe të Ndërlidhjes në Zall-Herr, ndërsa kandidatet e reja i takuam pas testimit në Qendrën e Rekrutimit pranë Universitetit Ushtarak.
Në nisje të këtij reportazhi, një ndjenjë e pritshme na thoshte se vajza ushtare do të gjenim shumë pak, për të mos thënë aspak. A do të kishte zgjuar interes tek ato, lajmi se tani e tutje edhe vajzat mund të bëhen ushtare me pagesë? Pastaj, edhe nëse do të gjenim prej tyre, mendonim se ato do të ishin nevojtare për një punë të sigurt për të paktën tri vjet. Thënë shkurt, prisnim të gjenim vajza të papuna e të paprofesion …POR, “U ZHGËNJYEM”…
Nga auditoret e fakulteteve, drejt reparteve ushatarake
Elona Cenolli sot mund të ishte përkthyese në një kompani apo në administratën civile, fare mirë edhe një mësuese e gjuhës angleze. Mirëpo ajo i bëri një “devijm” të papritur jetës së saj. Ushtarake. Prej një viti ka veshur uniformën e ushtares profesioniste që sapo doli nga bankat e auditorit. “Ideja për të qenë pjesë e forcave të armatosura më ka ngacmuar, më ka pëlqtyer shumë kohë më përpara, sepse edhe unë rrjedh nga një familje ushtarakësh,- na tregon ajo- Më pëlqen protagonizmi ushtarak dhe sidomos imazhi im prej gruaje police, pra e një gruaje pak më ndryshe se të tjerat. Që fëmijë më kanë tërhequr filmat dhe romanet policorë dhe kur shihja personazhe femra, mendoja: Përse të mos jem edhe unë si ajo?”. E pyesim se çfarë përshtypjesh i ka lënë stërvitja e parë, qitja e parë. Zbavitëse, një eksperiencë e panjohur dhe interesante”, thotë Elona.-Edhe një palestër e mirë për trupin. Megjithëse në fillim kisha një gjendje ankthi nga arma, por pastaj bëhet e natyrshme të ushtruarit me të dhe mbajtja e saj”.
Beqare dhe të fejuara
Nuk janë vetëm vajza beqare, por janë edhe të fejuara e në prag të martesës. Ato kanë hyrë në radhët e ushtrisë me një mendim për perspektivë afatgjatë, jo për disa ditë rinie. Dikush bëhet gati që së shpejti të vërë vellon e nusërisë. Të tjera para tyre tashmë janë bërë nëna. Por megjithëse jeta e gruas ushtarake zhvillohet njësoj si e grave të tjera, së paku në fillimet e pranimit, nuk preferohen me obligime familjare. Komandanti i Qendrës së Personel Rekrutimit të Forcave të Armatosura, Zihni Koxha thotë se ka aq shumë kërkesa, saqë janë në stadin e përzgjedhjes së rekrutëve dhe familjarët nuk janë të parapëlqyer, pasi është e vështirë ti përgjigjen detyrave në çdo kohë. Për më tepër, që në të ardhmen, ato do të integrohen gjithnjë e më tepër e do të marrin detyra baras me meshkujt në ushtri.
Vajzat, jo vetëm në zyrat e administratës ushtarake
Vajzat që takuam tek Policia Ushtarake dhe tek Brigada e Reagimit të Shpejtë, na thonë se e presim me dëshirë pjesëmarrjen në operacione paqeruatjëse, luftarake. Deri tani, vajzat kanë qenë “të llastruarat” e ushtrisë, por kësaj kohe po i vjen fundi. Zihni Koxha, komandanti i rekrutimit por edhe titullarët e reparteve ku ne shkuam, na thonë se është e afërt dita, kur vajzat ushtare do të përfshihen në operacione të vështira humanitare dhe paqeruajtëse, njësoj si në ushtritë e vendeve të tjera të NATO-s. Ato nuk do të jenë vetëm në prapavijat dhe në strukturat mbështetëse, por do të jenë në misione të vështira jashtë vendit. Vetëm kështu do ti lejojnë vetes karrierën në Forcat e Armatosura. Shumë prej tyre e kanë shprehur dëshirën për të qenë protagoniste në operacione të vështira. Edhe për “Ballkan”, disa nga vajzat që intervistuam pohuan se kjo ishte një ëndërr e tyre; të gjenden aty ku është sfida. “Do të më pëlqentë që të isha pjesë e operacioneve humanitare. Nuk do të më pëlqente të rrija vetëm në zyrë. Do të ishte mirë të isha e angazhuar, të isha pjesë e organizimeve të ndryshme”, thotë Elona Cenolli. Marsela Keli thotë: Do të doja të merrja pjesë në një mision jashtë vendit, atje ku është vështirësia më e madhe. Prindërit nuk më pengojnë, më kanë thënë që kur është fjala për nderin e vendit, ata janë gjithnjë në një mendje me mua.”
Intervista
Rovena Karosmani 25 vjeçe: Dashuria ime nuk është ndikuar nga uniforma
-Sa vjeçe je dhe prej sa kohësh je veshur ushtare ti Rovena?
Jam 25 vjeçe, tashmë ushtare profesoniste e dytë, prej 2 vjet e gjysmë në Forcat e Armatosura. Kam mbaruar një kurs 5-javor për nënoficere, për të marrë gradën nëntetare.
-Për çfarë ke studiuar dhe pse e ndryshove kursin e profesionit?
Unë kam mbaruar Fakultetin për Bio-Kimi, ka qenë një zgjedhje me dëshirën time dhe brenda prirjeve të mia për kiminë. Unë e kam adhuruar atë degë. Por kisha edhe simpati për uniformën ushtarake, për disiplinën. Kur mbarova shkollën e lartë, mendova se ishte një mundësi shumë e mirë për mua të punësohesha si ushtare, kjo edhe për motive të forta familjare. Për dy vjet e gjysmë në repartin e policisë ushtarake unë fitova një eksperiencë të dobishme profesionale dhe tani jam e përfshirë pas këtij pasioni.
-E shikon figurën e gruas në ushtri rivale me figurën e burrit, apo e mendon atë në prapavijë?
Unë e shoh femrën ushtarake me të gjitha cilësitë; një grua të fortë, me karakter, një grua që di të përballojë vështirësitë.
-Megjithatë, karriera ushtarake, edhe pse ka shembuj pozitivë femërorë, ka mbetur në thelb mashkullore. Ti mendon se është jeta familjare një pengesë për gruan për të bërë karrierë në ushtri?
Mendoj se është edhe me tip. Ka raste që familja ndikon, por është më shumë personale mënyra se si ajo krijon shanset e veta për të ecur.
-Ti vetë ke krijuar familje?
Jam në prag. Unë jam e fejuar dhe ne prag të martesës
-I fejuari ku e jep kontributin e tij?
Ai nuk ka lidhje fare me Forcat e Armatosura.
-Ai rri gatitu para teje apo ti para atij?
(Qesh) Absolutisht asnjë nga këto, ne jemi një çift shumë i harmonizuar. Të qenit ushtarake nuk ka asbsolutisht ndikim në marrëdhëniet në çift. Dashuria ime nuk ndikohet nga uniforma.
-Kur u veshe police ushtarake dhe për herë të parë takove në rrugë një shoqen tënde të vjetër, që nuk dinte për zgjedhjen, cili ishte reagimi i saj?
Është çuditur, pastaj ka shprehur kënaqësi që më shikonte të veshur me këtë uniformë. Në shoqërinë time ka pasur që kanë shprehur kënaqësi të kenë një shoqe të veshur. Të tjerë nuk kanë shprehur asgjë. Megjithatë, unë nuk kam dashur të influencohem nga opinionet e shoqërisë. Kam bërë një zgjedhje e pandikuar.
Marsela Keli: Dua të jem aty ku është vështirësia më e madhe
-Marsela, një vajze të bukur të veshur ushtare, si ju, nëse një ditë një rregjisor do të vinte në repart të realizonte disa skena filmike, do ti pëlqente të ishte protagoniste?
Them se jo. Unë vazhdoj studimet në Universitetin “Iliria” në degën e Drejtësisë në vitin e dytë Nuk studioj për aktore. Po të ishte për dokumentar, ndoshta, por jo për film artistik, pasi pasioni për uniformën kërkon një protagonizëm tjetër, real, jo një rol të sajuar.
-Përse e zgjodhe këtë profesion, ishte pagesa nxitëse?
Jo, nuk ishte pagesa. Por uniforma ka qenë një nga ëndrrat e mia. Që kur isha e vogël kam pasur pasion që të drejtoja vetë gjithçka, unë doja të udhëhiqja, të isha në krye.
-Prindërit e tu kanë ndonjë karrierë ushtarake?
Pastaj, babi ka punar në uzinën e Poliçanit në montimin armëve dhe mbushjen e predhave. Kështu që kishte diçka që më frymëzonte. Ndërsa nëna ka qenë ekonomiste.
-Ke pasur një formë të mirë fizike në orën e fizkulturës në shkollë?
Po, gjithmonë. Shquhesha sidomos në futboll se kam edhe vëllanë futbollist.
-Ka qenë për ty e vështirë, të përballoje stërvitjen këtu? A ka patur ndonjë moment që je penduar?
Në disa momente ka pasur vështirësi, por asnjëherë nuk jam penduar. Qëkur u futa, i kisha marrë parasysh vështirësitë dhe them se ato kanë anën e tyre të bukur.
-Kur ka qenë momenti më i vështirë që ke kaluar në detyrat e ushtares?
Ka qenë në tragjedinë e Gërdecit. Në atë mision e kisha të pamundur të përballoja atë dhimbje që kalonin ata njerëz. Unë isha në këtë mision police për rendin ushtarak dhe për sigurimin e vendit të ngjarjes.
-Cila është ëndrra jote si ushtare?
Do të doja të merrja pjesë në një mision jashtë vendit, atje ku është vështirësia më e madhe.
-Nuk ke frikë ta mendosh këtë? Dhe a mendon se prindërit nuk do të mërziteshin?
Jo. Absolutisht. Nëse unë e marr përsipër këtë mision, prindërit më kanë thënë që kur është fjala për nderin e vendit, ata janë gjithnjë me mua.
-E ke piketuar shokun e jetës, nga afër apo larg?
Po…
-Dhe? Ai është në mbështetje të ëndrrës tënde?
Normale, përderisa më ka zgjedhur mua.
INTERVISTA
Elona Cenolli: Kam hyrë në ushtri për të qëndruar përgjithmonë
-Elona, je fejuar, e martuar apo beqare?
Jam beqare
-Ku mendon se do të gjendet bashkëshorti yt; do të jetë person civil apo ushtarak?
Në forcat e armatosura nuk do të jetë. Mendoj që duhet ta gjej në jetën civile. Këtu dua të insistoj.
-Je ti një përdoruese e mirë e armës, si ke dalë në qitje?
Shumë mirë nuk jam, por mjaftushëm.
-Çfarë thonë të afërmit e tu? Tezja, halla, gjyshi, gjyshja?Të shohin tani me një sy tjetër nga ai syri me të cilin shihnin një vit më parë studenten e anglishtes?
Edhe ata e pëlqejnë shumë këtë punë këtë që unë kam zgjedhur. Po, e kam vërë re që më shohin pak më ndryshe, ndoshta nga vetë uniforma. Kam më hije.
-Ke rast ta veshësh uniformën civile? Ku e vesh?
Uniformën civile e vesh në fundjavë, Por nuk është se më bezdis uniforma që mbajë, dua të them që nuk më duket aspak e sikletshme.
-Ju shikojmë që uniformat ju rrinë mirë, bukur. Ju i rregulloni apo ju vijnë me këto masa?
Ne i rregullojmë, sepse vijnë numra të mëdhenj dhe duhet ti përshtasim.
-Kur fitove testimin, mendove se fitove një vend pune apo edhe një fushë ku të shprehësh aftësitë e tua?
Unë zgjodha këtë vend pune sepse me sa di unë, anglishtja është kriter për marrjen e gradave të mëtejshme dhe për vazhdimin e karrierës ushtarake. Pasi unë kam hyrë këtu për të qëndruar. Mendoj se do të përshtatesha shumë mirë.
-Elona deri ku synon që të arrish? Cila është grada që ke synimin final?
Synoj të klalifikohem në kurset e ndryshme dhe të arrij deri në kryekapter që na lejohet ne ushtareve profesioniste. Më pas, nëse do të më jepet mundësia, mund të bëhem një oficere.
Flet Komandanti i Qendrës së Personel Rekrutimit të Forcave të Armatosura, Zihni Goxha
Gradat e larta, autoritet i mashkullit, femrat duhet ti fitojnë
“Jemi befasuar nga numri i madh i femrave. Shumica janë me arsim të lartë. Kapërcyem pragun e lejuar 12%”
Jeta e garnizonit ka marrë fund. Shqipëria nuk ka më ushtarë 24-orësh në detyrë. Të qenit ushtar është një punë 8-orarëshe si punët e tjera. Ndoshta duke e parë si komode, disa kanë menduar të veshin uniformën e ushtarit profesionist. Mirëpo, jo gjithnjë shkon vaj. Detyrat me misione të rëndësishme do të kërkojnë gatishmëri në çdo kohë nga ushtari. Deri më tani, në këto misione janë përfshirë vetëm meshkuj, por në një të ardhme të afërt do të mobilizohen edhe femrat. Gatishmëria që ato do të tregojnë dhe rezistenca në përballimin e operacioneve të vështira, do të jetë vendimtare në shtimin e radhëve të femrave në ushtri. Komandanti i Qendrës së Personel Rekrutimit Zihni Goxha thotë se karriera në ushtri do tu përkasë vetëm femrave të zonja. Më tej në intervistën tonë ai tregon për fluksin e paparashikuar të kërkesave nga vajzat për tu veshur ushtare dhe kriteret e pranimit të tyre.
-Komandant, na tregoni pak për kushtet e pranimit të vajzave ushtare profesioniste nga qendra juaj e testimit?
Në Qendrën e Rekrutimit bëhet aplikimi dhe testimi i të gjithë kandidatëve që duan të shërbejnë në forcat e armatosura. Në zërin që ne e quajmë “ushtarë profesionistë” futen si femra dhe meshkuj që kanë mbaruar së paku shkollën e mesme dhe që kanë moshën 19-30 vjeç. Kjo është gjykuar si periudha më e mirë e moshës, për hir të së ardhmes së tyre, por edhe të cilësive fizike dhe intelektuale. Sepse për këto cilësi dhe energji të tyre ka nevojë ushtria. Ky është viti i parë me ngarkesë të plotë, kur ne kemi hequr shërbimin e detyrueshëm që kishte të bënte vetëm me rekrutimin e meshkujve dhe tani kemi edhe meshkuj, edhe femra.
-Sa përqind e radhëve të ushtrisë duhet të përfaqësohet nga forca femërore? Ka ndonjë limit?
Ka një llogaritje që nuk lejon të jetë mbi 12%, por ne jemi para një sfide dhe po e kalojmë këtë përqindje. Edhe pse në organizimin tonë nuk mund ta tejkalojmë shumë këtë kufi. Duke qenë se ka kërkesa të mëdha për më shumë femra në ushtri, jemi në një pozitë për ta rritur këtë prag.
-Jeni befasuar nga kjo kërkesë e lartë femërore?
Ne së pari jemi befasuar dhe jemi vënë edhe në pozitë të vështirë për ti pranuar sepse kemi kaluar pragun. Ndërsa befasia e dytë është se shumica nuk janë me arsim të mesëm, por me arsim të lartë. Këtu ka vajza të diplomuara për ekonomik, gjuhë të huaja, në Institutin e Fizkulturës, Mjekësi etj. Shpërndaarja është gjthashtu shumë interesante. Janë vajza nga e gjithë Shqipëria, janë nga Jugu dhe Veriu, që nga Saranda e deri në Shkodër, nga kryeqyteti dhe nga fshatrat pa asnjë dallim.
-Pra, për herë të parë Shqipëria ka ushtarë profesionistë dhe të civilizuar?
Po, madje të mirëarsimuar. Dhe në pikëpamje të raportit meshkuj-femra kemi një cilësi të re të ushtrisë sonë.
-Ato nënshkruajnë kontrata pune. Sa herë kanë të drejtë ta ripërsërisin kontratën dhe në çfare afati?
Kontrata për ushtar me pagesë është dy herë nga tri vjet, pastaj përsëritet edhe një herë. Por kjo nuk do të thotë se kemi largim të tyre nga Forcat e Armatosura.
-Nëse një vajzë sot është 30 vjeçe dhe pranohet ushtare, ajo mund ta përsërisë kontratën kur të jetë 33 vjeçe, pasi ka kaluar kriteri moshë?
Natyrisht, që mund ta përsërisë, por jo për gradën e ushtarit të parë. Nëse ajo do të bëjë disa kurse, do ti përballojë ato, si në përgatitjen fizike edhe në përgatitjen intelektuale, ajo është në gjendje që të ripërsërisë edhe një kontratë tjetër. Ajo do të testohet për ushtare të kategorisë së dytë. Në rast se vajza është ushtare e kategorisë së dytë dhe në rast se ka një arsim të lartë dhe i nënshtrohet disa kurseve që kanë të bëjnë me kalimin në skemën e nënoficerit, (kursin e nëtetarit), ajo do të futet tashmë jo ushtare, por nënoficere.
-A ka midis këtyre vajzave të veshura ushtare, jo thjesht nga ato që duan të gjejnë një punë të përkohshme, por edhe të bëjnë karrierë në ushtri?
Patjetër, ekziston shumë mundësia, që nëse vajza futet në kursin për nënoficer, do të rrijë 30 vjet në ushtri dhe kështu që do të bëjë karrierë deri sa të bëhet kryekapter, që është grada e nënoficerit.
-Komandant, vajzat që vijnë këtu, vijnë nga një traditë familjare e lidhur me ushtrinë?
Jo gjithnjë dhe jo të gjitha. Ka edhe nga këto raste, por pjesa më e madhe nuk kanë pasur askënd në familje. Shumica e kanë marrë vetë këtë iniciativë, pasi kanë dëgjuar komunikimet tona mediatike, propagadën e kalimit të ushtrisë sonë në NATO. E veçanta që dua të theksoj, është se ne e kemi bërë ushtrinë të hapur, kemi hequr dorë nga ajo ushtri e izoluar. Ne nuk e kemi për “shoë”, por femrat janë pjesë e ushtrisë dhe janë një fizionomi e re e saj.
-A dini që vajzat të kenë pasur presion nga familjet për të ardhur në ushtri?
Vajzat nuk kanë pasur, e kundërta, familjet kanë pasur presion nga vajzat për të shkuar ushtare.
-Deri tani, sa vajza janë të veshura ushtare?
Janë mbi 12%, mund të themi disa qindra
-Janë të realizuara kushtet për vajzat në repartet ku ato janë vendosur?
Në disa vende janë. Nuk mund të them që janë absolute. Çështja është se sa do ta angazhojnë veten vajzat për të rezistuar dhe për të konkurruar në shumë poste, që sot për sot mbahen si autoritet i mashkullit. Sa do të jenë në gjendje ato ti kërkojnë. Përqindja e përfaqësimit të tyre në ushtri do të varet shumë edhe nga fakti se sa ato do të jenë konkurruese. Nëse unë do tu them vajzave: “Shkoni ushtare në Afganistan!”, sikundër shkon një mashkull, a është në gjendje një vajzë ti rezistojë vetë një operacioni, të iki larg familjes me detyra operative luftarake siç bën një mashkull? Kjo është aftësia profesionale dhe dëshira për tu futur në profesion të plotë.
-Deri tani, ka vajza që janë nisur me misione të tilla?
Në shërbime operacionale jo, por në shërbime të mbështetjes edhe ka patur.
-Si kanë dalë në testim vajzat në krahasim me djemtë?
Në provimin intelektual vajzat dalin më mirë, sepse ka kontigjent më të madh me shkollë të lartë, ndërsa në testet fizike nuk kanë dalë plotësisht. Por përgjithësisht, vajzat që duan të futen këtu, kanë parë edhe aftësitë e tyre fizike.
-Ne hasëm një kandidate që ishte edhe nënë njëkohësisht, brenda kriterit moshë të vendosur nga ju. A janë të jashtëzakonshme këto raste?
Janë shumë të rralla, dhe ato përgjithësisht nuk rekomandohen, pasi edhe ne nuk kemi mundësi që ti angazhojmë shumë në çdo llo detyre, sepse do të bëhet pengesë familja. Në momentin pas rekrutimit, ata kuptohet që do të kenë ndryshime, do të martohen, do të bëhen edhe me fëmijë, sepse ky është ligj i jetës, por në momentin që ata testohen, ne nuk jemi të interesuar dhe nuk i marrim. Nuk i marrim edhe për një arsye tjetër se kemi shumë kontigjent. Po të jemi në rrezik, do të marrim edhe nga këta që janë bërë familjarë. Por sot për sot, ne kemi fluks goxha të madh dhe ne do bëjmë lojën tonë. Bile, për shkak të këtij fluksi, sot jo kushdo mund të vishet ushtar. Ne jemi sot në raportet 2-3 vetë për 1 që do të zgjedhim.
-Që kur ka nisur testimi?
Ka nisur gjatë gjithë vitit 2008, por e plotë ka nisur në vitin 2009. Bile, 2009 është viti i rekrutimit vetëm të këtyre që quhen rrogëtarë apo ushtri profesioniste.
-Sa reparte janë me vajza në Shqipëri apo ku ka më shumë vajza?
Gjithë repartet krijohen me djem dhe vajza. Sot për sot nuk kemi futur tek repartet speciale, regjimenti komando. Vajzat përgjthësisht mund të futen në të tëra repartet. Detyra të mbështetjes logjistike, operacionale, ndërlidhje, kompjuter, sekretar mund të jenë kudo në çdo repart. Vajza ka më shumë në repartet e mbështetjes që ka Shtabi i Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, garnizoni i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes ku janë studentet e akademisë, ka edhe në spitalin ushtarak dhe ndërlidhje. Këto kanë edhe kërkesa më shumë.
Edhe nëna të reja duan të vishen ushtare
Athinela nga Korça: Më pëlqen, ka pagesë të kënaqshme”
Ornela Vasili: “Mjekësinë do ta ushtroj brenda Ushtrisë”
Ditën që ne u nisëm në Qendrën e Testimit dhe Rekrutimit, ishim me fat: Po atë ditë zhvillohej testi i inteligjencës së të rinjve që kishin ardhur për tu veshur ushtarë. Një klasë e gjatë me rreth 40 konkurrentë kishte jo pak vajza. Ngjante gati si një klasë e zakonshme gjimnazi. Natyrisht, ato e dinë se pranimi ka një limit kufizues për to: vetëm 12% e fituesve mund të jenë të seksit femër. Edhe pse në përgatitjen intelektuale, shpesh ato dalin edhe më mirë se meshkujt, sikurse do të na tregonte më pas komandanti Zihni Koxha, në përgatitjen fizike djemtë ishin kryesues. Por megjithatë, secila vjen të provojë aty fatin: Nëse do ti ndrijë, shumë shpejt do ta shohë veten me kamuflazhin e ushtrisë shqiptare. E papritura jonë në këtë ballafaqim ishte jo vetëm numri i madh i vajzave, por përkatësia e tyre gjeografike me prejardhje nga qytete e fshatra të të gjithë vendit. Madje, nuk mungonte edhe ndonjë kandidate nënë.Athinela Haxhiaj, e ardhur nga Korça shpresonte të fitonte, edhe pse kishte një djalë të vogël. Nëna e saj e kishte shoqëruar. Athinela na tregon se është brenda limitit moshë të caktuar, është 28 vjeçe dhe se më parë ka punuar në shërbime publike në Korçë. Ajo pohon se pagesa e kënaqshme e ka nxitur që të kërkojë një punë si ushtare profesioniste. “Kam qenë me kohë e interesuar për këtë punë, pasi mamaja ime ka punuar në ushtri, edhe pse civile. Por unë kisha një lloj njohurie për jetën në ushtri dhe po prisja që të ndodhte dicka e tillë” Ajo thotë se nuk është e vetmja kandidate nga Korça dhe se ka patur edhe më parë të tilla. “Për vajzat korçare, puna si ushtare është e pëlqyeshme”, thotë ajo. Edhe pse thotë se do ti pëlqente të punonte në Korçë, nuk përjashton gatishmërinë e punës në cilindo qytet të vendit. Madje, shton se: “Do të më pëlqente të merrja pjesë në operacione sidomos jashtë vendit. Do të ishte në rast i paharruar.” Ndërsa për të birin e ka gjetur një zgjidhje: “Do ta çoj në çerdhe,- thotë.- Nëse do të na nevojtet pas këtij orari, do ta mbajë nëna ime”.
Ornela Vasili, është një tjetër kandidate. E sapodiplomuar për Mjekësi, ajo na tregon se në pamundësi për të gjetur veten diku tjetër, zgjodhi një drejtim ushtarak për jetën e saj. “Kur e shikon që në rrugë të tjera në jetën civile nuk arrin të bësh dot gjë, mendova se ushtria do të ishte një obsion i mirë për mua. Pastaj, jeta ushtarake për mua është e pëlqyer, janë më striktë, më të rregullt. Për aq sa e kam parë nga jashtë si civile, më ka pëlqyer ky stil jete. Pastaj, se si do të më duhet nga brenda nuk e di”, thotë çlirët ajo. Ornela, ashtu si edhe shoqë të saj tashmë të veshura, thotë se dëshiron të futet në ushtri për të qëndruar aty dhe për të vazhduar po aty shkollën pasuniversitare.
Flasin vajzat e Brigadës së Reagimit të Shpejtë Zall-Herr
Rovena Velika
“Quhem Rovena Velika. Jam 26 vjeçe dhe jam veshur ushtare prej 11 muajsh. Por më duket shumë pak dhe do të më vinte shumë keq kur të mbaronte afati i kontratës. Tani nuk dua më të largohem prej këtej. Mendoj se e përballoj mirë këtë punë. Dhe nëse do të më jepet mundësia, do ta ripërsërisja kontratën. Une mendoj se diplomimi im për gjuhë të huaja do të më shërbejë në këtë detyrë, pasi Ushtria Shqiptare si pjesë e Aleancës Ushtarake të NATO-s, ka shumë kontakte në të cilat hyn në përdorim njohja e gjuhës së huaj”.
Ermelinda Dhami
“Kam tri vjet që punoj këtu në Brigadën e Reagimit të Shpejtë dhe jam kandidate për nënoficere. Më pëlqen puna që bëj në ndërlidhje dhe dëshiroj ta vazhdoj karrierën ushtarake. Kjo është edhe dëshira e prindërve të mi. Ne kemi shumë njerëz në farefis ushtarakë dhe ata thanë fjalën e tyre në mbështetje të dëshirës sime. Unë vazhdoj studimet e larta për menaxhim biznesi. Më parë kam bërë punë të ndryshme të thjeshta në Tiranë, por kënaqësine e kësaj pune nuk ma ka dhënë asgjë e mëparshme. Ëndrra ime është të marr pjesë në operacione ushtarake, sidomos për një mision paqeruajtës.”
Nertila Zyfi
“Tani kam hyrë në vitin e pestë me uniformë dhe kam gradën nënoficere. Babai im, që është këtu në këtë brigadë shef i operacioneve, ishte ai që ma propozoi këtë punë. Ai më pyeti nëse më pëlqente të vishesha si ai, pasi ishte një punë e bukur. Të them të drejtën, në fillim nuk e kisha me shumë qejf, mirëpo më pas, e mendova dhe tani më pëlqen. Mbaj mend që kur fliste babi për ushtrinë, unë nuk tërhiqesha nga këto biseda. Tani jam ambientuar dhe reparti më duket si shtëpia ime e dytë, sa më duket sikur kam qenë gjithmonë këtu”.
Flet shefi i Operacioneve në Brigadën e Reagimit të Shpejtë, nënkolonel Kujtim Zyfi
Vajzat do ti përfshijmë në operacione luftarake
“Kemi thyer mentalitetin e ushtrisë për burra. Femrat i kemi në të gjitha strukturat deri në gradën kolonele”
“Kam 30 vjet që e mbaj në kokë kapelen e ushtarakut dhe më kujtohet se ky ambient ka qenë tërësisht mashkullor.- Kështu e nis rrëfimin e tij, nënkoloneli Kujtim Zyfi në Brigadën e Reagimit të Shpejtë.- Unë jam dëshmitar i disa epokave të transformimit të forcës së armatosur dhe do të thosha që para futjes së sistemit demokratik, prezenca e elementit femër në strukturat e Forcave të Armatosura ka qenë shumë e reduktuar, shihej me mosbesim, deri edhe me përçmim. Ndërsa pas vendosjes së demokracisë, prezenca e elementit femër, jo vetëm që është e domosdoshme, por kërkesa për tu bërë pjesë e Ushtrisë nga femrat është e jashtëzakonshme. Sot kemi një kërkesë gjithnjë në rritje dhe kjo ka bazën e saj logjike. Strukturat e tona janë të ngjashme me strukturat partnere në NATO”.
-Nënkolonel, na shpjegoni diçka për strukturën e Brigadës së Reagimit të Shpejtë dhe shpërndarjen e forcës femër në strukturat e saj?
Brigada e Reagimit të shpejtë ka një strukturë me 6 reparte bazë dhe katër kompani autonome, të cilat emërtohen tri batalione të këmbësorisë, një batalion i artilerisë tokësore, një batalion i xhenios, një batalion i logjistikës dhe katër kompani autonome. Prezenca e femrave është në të gjithë strukturën, nis nga skuadra, grupi, toga, kompania, batalioni si dhe në shtabet respektive të 6 batalioneve. Femrat si dhe meshkujt, pa asnjë dallim, përgjigjen sipas funksioneve.
-Çfarë detyrash kryejnë femrat në batalionet tuaja? Deri këtu kanë arritur femrat të bëjnë karrierë në ushtri?
Brigada e Reagimit të Shpejtë është njësia prioritare e Forcës së Armatosur. Femrat ne i kemi me gradën duke nisur nga ushtare profeisoniste e parë, ushtare profesiniste e nivelit të dytë, pastaj fillojnë gradat e nënoficereve. Kemi 5 grada këtu ku femrat kanë gjetur veten që nga grada nëntetar, tetar, reshter, kapter dhe kryekapter. Ne kemi shumë femra me gradën Oficer i Parë. Femra shqiptare ka arritur deri në gradën kolonel dhe kemi një të tillë: Kolonele Jahollari, drejtorja e inspektimit e Ministrit të Mbrojtjes.
-Të qëndrojmë tek femrat ushtare që janë risi në ushtrinë tonë. Sa ushtare ka në brigadën tuaj? Dhe në cilën kompani ka më shumë?
Brigada e Reagimit të Shpejtë ka një numër relativisht të madh femrash, nuk po ua them me numër, pasi këto të dhëna përbëjnë sekret. Por do të thosha që për një femër që kryen detyra në Brigadën e Reagimit të Shpejtë apo në Regjimentin Komando, është nderim për të. Brigada e Reagimit të Shpejtë është e barabartë me të gjitha simotrat e saj në strukturat e vendeve partnere të NATO-s. Ne ndeshemi me një fenomen të tillë që kandidaturat, qoftë femra, qoftë meshkuj, kanë kërkesë të vazhdueshme për tu bërë pjesë e Brigadës së Reagimit të Shpejtë dhe Regjimentit Komando si njësi elitare e forcës së armatosur.
-Vajzat kanë shprehur ndonjëherë dëshirën, që të bëhen pjesë e operacioneve ushtarake, të jenë njësoj protagoniste si djemtë?
Forca e armatosur dhe njësia jonë si pjesë forcës së armatosur, ka edhe operacione luftarake edhe jo luftarake- operacione në ndihmë të popullsisë. Nuk ka asnjë lloj përjashtimi, cilido element mashkull apo femër, kur bëhet pjesë e kësaj njësie, do të plotësojë misionin që i ngarkohet.
-Por deri tani ato nuk janë përfshirë në operacione ushtarake
Përsa i përket një aspekti të veçantë që është pjesë e misionit Kushtetues, operacionet në mbështetje të paqes, Brigada e Reagimit të Shpejtë realizon një sërë operacionesh. Ka përfunduar operacioni në mbështetje të Paqes në Bosnjë-Hercegovinë, aktualisht me një kompani këmbësorie plotëson misionin paqeruajtës në Rajonin e Afganistanit me 112 veta, po kështu kemi në Kabul një nënrepart të vogël. Në Kabul njësia jonë ka realizuar 8 operacione me kontigjent mjekësor, ku këtu kemi patur edhe një femër majore, që ka mbështetur operacionin si mjeke.
-E shikoni që në të ardhmen të shtohet prania e elementit femër në këto lloj operacionesh, qofshin edhe luftarake?
Po. Ju informoj se, ne që nga 4 prilli 2009 jemi vend anëtar i NATO-s dhe si i tillë, vendi ynë ka detyrimet e veta në mbështetje të operacioneve të drejtuara nga NATO për rritjen e sigurisë jo vetëm në Rajonin tonë, por edhe më gjerë, atje ku përfshihen interesat e aleancës politike-ushtarake siç është NATO. Edhe elementi femër, duke qenë pjesë e strukturave të deklaruara në NATO do të marrë pjesë gjithnjë e më tepër njësoj si në ushtritë simotra të vendeve të tjera të NATO-s, që nuk kanë dallim ndërmjet meshkujve dhe femrave në ushtri. Dhe kjo do të jetë vetëm çështje kohe, një kohë fare e vogël, dhe nesër do të jetë plotësisht e natyrshme, që në të gjithë spektrin e operacioneve humanitare dhe ushtarake, femrat do të jenë pjesë përbërëse. Nëse do ti referohemi operacionit të fundit të emergjencave civile në Qarkun e Shkodrës, atje ka pasur pjesëmarrje të madhe të elementit femër, por edhe nga Brigada e Reagimit të Shpejtë ka pasur prezencë të elementit femër. Unë kam qenë shef i qendrës operacionale të Forcës së Armatosur në përballimin e Emergjencave Civile në Qarkun e Shkodrës, e di fare mirë për ngarkesën e madhe që pati ky lloj operacioni i veçantë, së pari me ngarkesat e madhe psikologjike, e që u përballua me sukses nga gjithë strukturat tona, nga djemtë dhe vajzat.
-Kanë ngarkesë të njëjtë vajzat sikurse djemtë?
Trajtimi dhe stërvitja është njësoj, si për djemtë edhe për vajzat. Të gjithë trajnohen, studiojnë, stërviten natën dhe ditën, në shi e në diell. Sot ne kemi thyer mentalitetin se ushtria është për burra. Por, natyrisht, që sa më shumë ecën koha, më e fuqishme është kërkesa e saj për pjesëmarrje, bile kanë nisur kërkesat për të marrë pjesë në operacione të mbështetjes së paqes, ku sot janë vetëm meshkujt. Dhe kjo do të konkretizohet.
Rëfimi i reshteres Enkelejda Jahaj
Kur erdha në kërë repart, isha një femër mes 300 meshkujve
“Nese femrat duan karrierë, duhet të përballojnë stërvitjet e vështira”
Enkelejda ështe reshtere prej 12 vjetësh në Policinë Ushtarake. Atëherë isha 27 vjeçe. Prindërit e saj, babai oficer dhe nëna nënoficere nuk e deshën në fillim veshjen e saj, por ajo e kishte vendosur. Më poshtë tregon për “Ballkan” momentet më të veçanta të qenies grua me uniformë.
-Është e vështirë të jesh një grua e veshur me uniformë ushtarake?
Shumë. Kam kaluar shumë vështirësi sepse mbi të gjitha nuk kanë qenë kushtet që janë sot në policinë ushtarake. Unë kam hyrë vajzë, këtu jam fejuar, jam martuar, jam bërë nënë. Ne kemi kaluar në periudha shumë të vështira, kemi kaluar operacione humanitare në periudhën e ndihmës ndaj kosovarëve. Kanë qenë momente të vështira.
-Enkelejda, për një grua të veshur me uniformë ushtarake mendohet në dy mënyra; ose mendohet si një grua e fortë, ose mendohet si një grua-burrë. E para ka ngjyresë pozitive, ndërsa e dyta ngjyresë negative. Ju kë keni ndjerë mbi veten tuaj?
Unë nga natyra jam një grua e fortë, kështu e kam ndier nga brenda qenies sime, por edhe nga opinioni. Ndoshta është edhe prejardhja ime ajo që më bën të ndihem kështu. Unë vertet jam lindur dhe rritur në Tiranë, por kam origjinë labe.
-Ju merr malli të vishni fustane dhe veshje të tjera femërore?
Të them të drejtën, ka momente që kur shoh jo vetëm vajzat, por dhe grate të mbajtura sipas modës, me veshje të bukura, mendoj: “Pse të mos rrija edhe unë kështu?”. Megjithatë, edhe pas këtij mendimi të shpejtë, kthehem prapë tek vetja ime. Mendoj se jam mirë kështu, ndihem mirë brenda kësaj uniforme.
-Enkelejda, ju nuk keni kaluar nëpër këtë përvojë të të qenit ushtare profesioniste. Çfarë shkolle keni mbaruar?
Unë kam mbaruar shkollë e mesme, pastaj shkollën e ndërtimit, kam qenë në vende të tjera pune. Në vitin 98 jam futur në Policinë Ushtarake, por jam futur si nëntetare. Kam bërë kurset e kualifikimit dhe për pak kohë marr gradën e kapterit. Por nuk e kam jetuar përvojën e të qenit ushtare profesioniste.
-Cili është momenti më i bukur dhe më emocionant i punës tënde si nënoficere?
Momente të vështira ka pasur shumë, por më i bukuri ka qenë kur mora gradën reshtere, që erdhi si rezultat i shumë sforcimeve.
-Si janë në syrin tënd si reshtere, vajzat ushtare?
Mua më pëlqejnë që vijnë vajza ushtare, sepse vetë kam marrë pjesë në shumë stërvitje të përbashkëta dhe kam pasur admirim për femrat e ushtrive partnere, sidomos femrat e ushtrisë amerikane. Më kanë lënë shumë përshtypje. Pastaj, futja e vajzave në reparte ushtarake i jep një klimë tjetër mjedisit. Kur unë erdha këtu, gjeta vetëm një grua dhe 300 meshkuj. Ky raport i sotëm është shumë më i pëlqyeshëm.
-Është e vështirë stërvitja ushtarake për vajzat?
E vështirë është, por përballohet. Nëse kërkon të bësh karrierë në ushtri, duhet përgatitje e lartë fizike. Personalisht i kam provuar këto vështirësi nëpër kualifikime ku më është dashur të provoj edhe mbijetesën.
-Na tregoni një episod të vështirë, të fortë, që ju dhe shoqet tuaja e keni përballuar duke shtrënguar dhëmbët?
I veçantë ka qenë një nga kurset që kemi bërë në Malin e Dajtit me çadra në dëborë, ku flinim jashtë. Një rast tjetër ka qenë kur kemi shkuar në Feken. Zbritja nga Fekeni pas Malit të Dajtit, diku në Martanesh, me automatik dhe me gjithë pajisjet ka qenë shumë e vështirë, edhe e bukur. Mbaj mend në atë kohë kam qenë nënë e re, kisha djalin të vogël….Së fundi, ju uroj të rejave që të ngrihen sa më shumë. E ardhmja e ushtrisë do të jetë më e mirë.
Ky lajm është publikuar: 18/02/2010