E Diel, 1 Nëntor 2026

Fatos Beja: BE kërkon respektimin e institucioneve - vendimet e gjykatave mbi interesat politike

17-06-2011 / Gazeta 55

Deputeti i Partisë Demokratike dhe njëherazi anëtari i delegacionit ndërparlamentar Shqipëri-BE, Fatos Beja, deklaroi dje se opozita e ka marrë mesazhin e komunitetit ndërkombëtar lidhur me sjelljen e saj të papërshtatshme. Gjatë një deklarate për mediat, Beja tha se ajo që politika duhet të respektojë është vendimi i institucioneve, ligjet dhe Kushtetuta e vendit. “Duhet të vëmë theksin në funksionin e institucioneve dhe respektimin e tyre. Në të gjitha raportet e tyre, komuniteti ndërkombëtar këmbëngul në respektimin e institucioneve dhe ligjeve të tyre. Kërkon respektimin e Kushtetutës”- u shpreh deputeti demokrat, Beja. Duke iu referuar takimit të fundit të grupit ndërparlamentar të komitetit të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, Fatos Beja tha se është diskutuar për situatën post-zgjedhore në Shqipëri dhe rezultatin e padalë të bashkisë së Tiranës. “Në qendër kanë qenë edhe zgjedhjet e 8 majit. Mund të them se, ato kanë qenë një test për Shqipërinë. Ka patur disa vlerësime nga anëtarë të delegacionit të Parlamentit Evropian që ndoqën nga afër procesin. Është vlerësuar pjesëmarrja e madhe e qytetarëve në votime, transparenca e zgjedhjeve. Ka patur pyetje për periudhën pas zgjedhore, ku delegacioni shqiptar ka informuar se një pjesë e eurodeputetëve kanë qenë të pranishëm në Shqipëri dhe se aktualisht përfundimi i procesit është në dorë të institucioneve Kushtetuese, si KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor”- tha më tej Beja.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›