E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ristani: “Fletët dhe kundërfletët e votimit do të digjen”



Eljona Ballhysa
Me gjithë kërkesën e Partisë Socialiste që të mos ketë djegie të fletëve të votimit, kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Arben Ristani, duket mëse i vendosur të respektojë Kodin Zgjedhor. Ai shprehet se në rast se do të hapen kutitë e materialeve zgjedhore, do të digjen jo vetëm fletët e votimit, por edhe kundërfletët. Ristani shprehet se pavarësisht marrëveshjeve politike, KQZ-ja do të respektojë Kodin Zgjedhor dhe se nuk mund të dalë mbi ligjin. Madje, kreu i KQZ-së ka bërë të ditur se shumë shpejt do të mblidhet Komisioni Qendror Zgjedhor dhe do të marrë një vendim në lidhje me këtë çështje. Sipas Ristanit, menjëherë pasi KQZ-ja të vendosë për pastrimin e kutive, fletët do të digjen dhe materialet zgjedhore do të shkojnë në Arkivin e Shtetit, pikërisht ashtu siç parashikon neni 178-të i Kodit Zgjedhor.
Deklarata
“Në rast se do të nisë puna për pastrimin e kutive, rrjedhja e punës do të jetë ajo që parashikon Kodi Zgjedhor. Në rast se do të vendoset për t’u hapur dhe ripërdorur, do të digjen fletët dhe kundërfletët e votimit, dhe do të shkojnë në Arkivin e Shtetit dokumentacionet që janë për të shkuar në Arkivin e Shtetit. Rastet hipotetike në rast se një komision i mundshëm hetimor do të fillojë punën do të vendoset sipas përcaktimeve ligjore dhe sipas vendimmarrjes në KQZ. Nuk mund të ketë marrëveshje politike që vjen në kundërshtim me ligjin”, - është shprehur kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Arben Ristani. Ndërsa në kuadër të përgatitjeve për 8 majin, KQZ-ja ka vendosur të trajnojë së bashku me komisionarët, edhe një grup studentësh. Këta të fundit do të hyjnë në detyrë nëse partitë politike ndryshojnë në minutë të fundit komisionerët ose i zëvendësojnë ata me persona të patrajnuar.
Kërkesa e PS-së
Partia Socialiste depozitoi pak ditë më parë në Kuvend një draft të ri për objektin e punës së komisionit hetimor. Megjithëse ka vendosur të heqë dorë nga hetimi dhe numërimi i fletëve të votimit, Partia Socialiste duket se nuk ka hequr dorë nga kërkesa për mosdjegien e këtyre fletëve. Në këtë draft PS-ja nuk i referohet nenit 178 të Kodit Zgjedhor, që parashikon djegien e fletëve të votimit sapo hapen kutitë e materialeve zgjedhore. Në kërkesën e tyre socialistët i referohen nenit 119, i cili bën fjalë për futjen në zarf të fletëve të votimit. Por, neni 119 bën fjalë për nxjerrjen e rezultatit nga grupi i numërimit të votave, atëherë kur në fakt procesi i ankimimeve në KQZ ende nuk ka filluar. Në rastin e parë, te neni 178, paragrafi 6, parashikohet se pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, materialet zgjedhore shkojnë në Arkivin e Shtetit dhe fletët e votimit digjen. Socialistët, në kërkesën e tyre të re vijojnë ta përjashtojnë këtë nen dhe aty flasin për fletët e votimit, në kuptim të nenit 119, pika 3, i cili parashikon futjen e tyre në zarf. Një procedurë normale kjo para përfundimit të procesit zgjedhor nga të gjitha shkallët, deri te Kolegji Zgjedhor i Apelit, por jo normale, pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. “Hetimi i shkeljeve, objekt i veprimtarisë së këtij komisioni, do të bazohet në materialet, dokumentet ose provat që kërkohen të administrohen për qëllime hetimore, përjashto fletët e votimit që gjenden në kutitë e fletëve të votimit në kuptim të nenit 119, pika 3, të Kodit Zgjedhor. Procesi i hetimit do të përfshijë administrimin e të gjithë dokumentacionit zgjedhor që përfshihet në kutitë e materialeve zgjedhore, të cilat ngarkohet KQZ-ja t’i ruajë dhe t’i vendosë në dispozicion të komisionit hetimor të Kuvendit në kohën, vendin dhe mënyrën e përcaktuar prej komisionit”, - shkruhet në draftin e PS-së.

Topi pret në takim një përfaqësi të grave të përndjekura gjatë periudhës së diktaturës

Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi, në kuadër të 20-vjetorit të ndryshimit të sistemeve në Shqipëri, pritën dje paradite një përfaqësi të grave të burgosura dhe të internuara gjatë periudhës së komunizmit. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe kryetari i Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, Adem Allçi, sekretari i Përgjithshëm i kësaj Shoqate, Besim Ndregjoni, kryetari i Qendrës Shqiptare për Rehabilitimin e Traumës dhe Torturës, Adrian Kati, si dhe ish-të persekutuar të tjerë. Gjatë fjalës së tij Topi tha se ndryshimi i epokave mbetet gjithmonë një moment i rëndësishëm historik. Ai vlerësoi veprimin kurajoz të këtyre grave, baballarëve dhe të afërmve të tyre. “Është kënaqësi e veçantë që takohemi së bashku në vigjilje të një përvjetori shumë të rëndësishëm, sikurse është përvjetori i vitit ’90-të, që pa dyshim lidhet si një moment i rëndësishëm i ndryshimit të epokave, ku familjet që ju përfaqësoni janë ato që kanë qenë në bazament të aksionit civil, të aksionit qytetar, të aksionit politik, edhe atëherë kur ishte herezi të shpreheshe. Kanë qenë baballarët tuaj, kanë qenë bashkëshortët, kanë qenë vëllezërit ata që luftuan edhe në ato kohë shumë të vështira për demokraci, luftuan për lirinë e fjalës. Shumë prej tyre këto i kanë bërë jo në mënyrë të fshehur, i kanë bërë drejtpërdrejt, i kanë bërë nëpërmjet një veprimi shumë kurajoz, intelektual, një pjesë e tyre kanë qenë dhe mbeten në altarin e kombit si elita intelektuale e kombit”, - është shprehur Topi, ndërsa shtoi se shoqëria shqiptare ka ende nevojë për reformim dhe emancipim.

Haxhinasto kërkon ndihmë nga ambasadorët e vendeve arabe

Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, në kuadër të situatës së rënduar në Veri të Shqipërisë, si rezultat i reshjeve të ditëve të fundit, thirri dje në një takim ambasadorët e vendeve arabe dhe të Lindjes së Mesme të akredituara në vendin tonë. Ministri Haxhinasto i njohu më nga afër ambasadorët respektivë në lidhje me situatën e emergjencës civile të krijuar, ku si pasojë e përmbytjeve në Shqipëri, mijëra familje janë detyruar të evakuohen dhe për pasojë kanë shkaktuar dhe dëme në materiale të një sasie të konsiderueshme. “Qeveria shqiptare është totalisht e angazhuar për ta përballuar sa më mirë këtë gjendje, në mënyrë që të sigurohet jeta e banorëve të zonave të përmbytura dhe të kthehet sa më parë normaliteti në këto rajone”, - është shprehur ministri. Në këtë kontekst, Haxhinasto parashtroi kërkesën për asistencë dhe solidaritet në këto momente të vështira që po kalon Shqipëria.

7 Dhjetor 2010

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›