E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ristani: Nëse nuk i kthejnë, do të penalizohen

10/08/2009  Financimet për fushatën zgjedhore rrezikojnë të ardhmen e disa partive politike

Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, sqaron procesin e auditimit të fondeve

Krerët më të lartë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkojnë nga partitë politike të kthejnë paratë që morën nga Buxheti i Shtetit dhe nuk fituan asnjë mandat për deputet në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, sqaron masat ndëshkuese të parashikuara në Kodin Zgjedhor, nëse forcat politike nuk kthejnë paratë. Kështu, përveç penalizimit financiar për fushatat e ardhshme partitë në borxh me KQZ-në, do të përjashtohen nga të gjitha garat elektorale për pesë vjet, nëse refuzojnë të kthejnë brenda muajit lekët e fushatës. Kryekomisioneri Ristani nënvizon se ky është dënimi që parashikon ligji zgjedhor për subjektet që morën fondet nga KQZ-ja dhe nuk arritën të siguronin asnjë mandat për në parlamentin e ri. “Në rast se nuk i kthejnë këto fonde, atëherë nuk do të marrin financim më nga Buxheti i Shtetit për pesë vjetët e ardhshëm, por dhe nuk do të lejohen të garojnë në zgjedhjet e ardhshme, në rast se sipas ligjit nuk do të kthejnë këto fonde, të cilat janë marrë dhe janë të detyruara t’i kthejnë”, - thotë kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani. Kështu, deri më 31 gusht Partia Aleanca Demokratike, Partia Agraro Ambientaliste, Partia Demokristiane, Partia Demokracia Sociale dhe Partia Socialdemokrate duhet të kthejnë pranë KQZ-së një shumë prej 12.7 milionë lekë, të cilat i përfituan nga Buxheti i Shtetit për të zhvilluar fushatën elektorale në funksion të zgjedhjeve të 28 qershorit.

Të njëjtin mendim për kthimin e parave nga ana e këtyre forcave politike ka edhe nënkryetarja e Komisionit, Dëshira Subashi. Ajo sqaron edhe procedurën për hetimin e financave të partive politike të shpenzuara gjatë zgjedhjeve. Nënkryetarja Subashi bën me dije se gjatë muajit tetor të këtij viti pritet të bëhet zbardhja e financimeve të fushatave të të gjitha subjekteve, çka do të përbëjë edhe përfundimin në të gjitha aspektet e të gjithë procesit zgjedhor. “Për nga procedurat që jep Kodi shpresoj se deri në muajin tetor ne të kemi një përmbyllje dhe të këtij aktiviteti, çka përbën dhe tërësisht përmbylljen e gjitha problematikave zgjedhore të vitit 2009”, - shprehet nënkryetarja Subashi. Këto ditë, në një mbledhje të posaçme, KQZ-ja do të hedhë shortin për ekspertët kontabël që do të hetojnë financat e partive politike gjatë, para dhe pas 28 qershorit.

Partitë debitore

Forcat politike që duhet të kthejnë paratë te KQZ-ja deri më datën 31 gusht, afati i fundit i përcaktuar nga ligji, janë Partia Aleanca Demokratike, Partia Agraro Ambientaliste, Partia Demokristiane, Partia Demokracia Sociale dhe Partia Socialdemokrate. Shuma që këto parti duhet të kthejnë në Komisionin Qendror arrin deri në 12.7 milionë lekë, të cilat i përfituan nga Buxheti i Shtetit për të zhvilluar fushatën elektorale në funksion të zgjedhjeve të 28 qershorit. Kodi Zgjedhor saktëson se fondet e kthyera u rishpërndahen partive politike që kanë marrë vende në Kuvend. Pra, shuma prej 12.7 milionë lekëve ndahet midis partive fituese. Por pjesa më e madhe, afërsisht nga 5.5 milionë lekë, kalojnë në llogaritë e PD-së dhe PS-së.

Financimi i subjekteve zgjedhore

Neni 87

Shpërndarja dhe rishpërndarja e fondeve

Subjektet zgjedhore përfitojnë financime nga fondet publike sipas rregullave të përcaktuara në këtë kod. Sasia e fondeve publike që do t’u shpërndahen subjekteve zgjedhore caktohet me vendim të Kuvendit së bashku me buxhetin e zgjedhjeve, sipas nenit 86 të këtij kodi.

Partia që ka përfituar fonde publike sipas shkronjës “b” të pikës 1 të këtij neni dhe që nuk fiton asnjë mandat nga zgjedhjet e radhës, duhet të kthejë shumën e përfituar. Depozitimi i këtyre shumave bëhet në llogarinë bankare të KQZ-së. Kthimi i fondeve bëhet jo më vonë se 30 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Në rast të mospërmbushjes së këtij detyrimi pa shkaqe të përligjura, KQZ-ja i kërkon Ministrit të Financave që të urdhërojë Zyrën e Thesarit që këto shuma t’i mbajë nga fondet e tjera buxhetore që përfitojnë këto parti dhe t’i kalojë ato në buxhetin e KQZ-së.

Partia që nuk i kthen fondet sipas pikës 3 të këtij neni, humbet të drejtën e financimeve të tjera nga fondet publike për një periudhë kohe jo më pak se 5 vjet, si dhe nuk regjistrohet si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e radhës, pavarësisht llojit të tyre, as vetëm dhe as si pjesë e ndonjë koalicioni.

Fondet e kthyera, sipas pikës 3 të këtij neni, me vendim të KQZ-së u rishpërndahen partive politike që kanë marrë vende në Kuvend. Shpërndarja bëhet në përqindje të njëjtë me përqindjen e vendeve të fituara në zgjedhjet e radhës. Vendimi merret nga KQZ-ja jo më vonë se 30 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.

Neni 91

Auditimi i fondeve dhe shpenzimeve

Jo më vonë se 45 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për çdo subjekt zgjedhor KQZ-ja emëron me short një apo më shumë ekspertë kontabël të licencuar, të përzgjedhur sipas nenit 92 të këtij Kodi, për të kryer auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara për fushatën zgjedhore. Raporti i auditimit paraqitet në KQZ brenda afatit të përcaktuar në vendimin e emërimit. Raporti nuk mund të përfshijë të dhëna personale të dhuruesve nën vlerën e parashikuar në pikën 1 të nenit 90 të këtij kodi.

Subjektet zgjedhore duhet të vënë në dispozicion të ekspertit të emëruar nga KQZ-ja çdo informacion, dokumente apo të dhëna që kanë të bëjnë me financimin dhe shpenzimet e fushatës zgjedhore sipas këtij kodi.

KQZ-ja mund të bëjë verifikime të të dhënave të raportit. Verifikimi mund të përshijë edhe pyetjen e personave dhe subjekteve të ndryshme, këqyrjen e dokumenteve që lidhen me këtë çështje pranë zyrave përkatëse të subjektit zgjedhor që ka paraqitur raportin, si dhe marrjen e çdo informacioni nga bankat apo persona të tretë, të cilët mund të tregojnë mbi të dhënat e paraqitura në raport.

KQZ-ja publikon raportet e auditimit për subjektet zgjedhore jo më vonë se 30 ditë nga data e paraqitjes së raportit ose, sipas rastit, nga data e mbylljes së verifikimeve përkatëse.

Partitë politike që nuk fituan në zgjedhje duhet të kthejnë të gjitha paratë

Kodi: Kthimi jo më vonë se 30 ditë pas shpalljes së rezultatit

Buxheti i Shtetit vuri në dispozicion 65 milionë lekë për subjektet

Partitë politike duhet bëjnë deklarimin e të gjitha fondeve që kanë përdorur gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Në Kodin Zgjedhor, në nenin 87, ku flitet për financimin e subjekteve zgjedhore, thuhet qartë se partia që ka përfituar fonde publike dhe që nuk fiton asnjë mandat nga zgjedhjet e radhës duhet të kthejë shumën e përfituar. “Depozitimi i këtyre shumave bëhet në llogarinë bankare të KQZ-së. Kthimi i fondeve bëhet jo më vonë se 30 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Në rast të mospërmbushjes së këtij detyrimi pa shkaqe të përligjura, KQZ-ja i kërkon ministrit të Financave të urdhërojë Zyrën e Thesarit që këto shuma t’i mbajë nga fondet e tjera buxhetore që përfitojnë këto parti dhe t’i kalojë ato në buxhetin e KQZ-së”, - theksohet në Kod. Në zgjedhjet e fundit parlamentare buxheti i shtetit vuri në dispozicion të partive 65 milionë lekë, pjesa më e madhe e ndarë midis PD-së e PS-së. Në Kod bëhet e qartë se forca politike që nuk kthen fondet përkatëse humbet të drejtën e financimeve të tjera nga fondet publike për një periudhë kohe jo më pak se 5 vjet, si dhe nuk regjistrohet si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e radhës, pavarësisht llojit të tyre, as vetëm dhe as si pjesë e ndonjë koalicioni. Ndërkohë deri tani asnjë nga partitë politike që nuk fituan asnjë mandat për deputet në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit nuk kanë kthyer paratë e marra nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të bërë fushatë. Ligji saktëson se fondet e kthyera u rishpërndahen partive politike që kanë marrë vende në Kuvend. Kjo shpërndarje bëhet në përqindje të njëjtë me përqindjen e vendeve të fituara në zgjedhjet e radhës. Vendimi merret nga KQZ-ja jo më vonë se 30 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Në Kodin Zgjedhor KQZ-së i jepet e drejta për të kryer auditimin e fondeve dhe shpenzimeve të fushatës zgjedhore nga subjektet politike. Kështu, në nenin 91 të ligjit zgjedhor thuhet se “jo më vonë se 45 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për çdo subjekt zgjedhor KQZ-ja emëron me short një apo më shumë ekspertë kontabël të licencuar, të përzgjedhur sipas nenit 92 të këtij Kodi, për të kryer auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara për fushatën zgjedhore”. Ndërkohë raporti i auditimit paraqitet në KQZ brenda afatit të përcaktuar në vendimin e emërimi dhe se raporti nuk mund të përfshijë të dhëna personale të dhuruesve nën vlerën e parashikuar në pikën 1 të nenit 90 të këtij kodi. Ligji detyron subjektet zgjedhore që të vënë në dispozicion të ekspertit të emëruar nga KQZ-ja çdo informacion, dokumente apo të dhëna që kanë të bëjnë me financimin dhe shpenzimet e fushatës zgjedhore. Nga ana e saj KQZ-ja mund të bëjë verifikime të të dhënave të raportit, që mund të përshijë edhe pyetjen e personave dhe subjekteve të ndryshme, këqyrjen e dokumenteve që lidhen me këtë çështje pranë zyrave përkatëse të subjektit zgjedhor që ka paraqitur raportin, si dhe marrjen e çdo informacioni nga bankat apo persona të tretë, të cilët mund të tregojnë mbi të dhënat e paraqitura në raport.

Kodi për kthimin e parave

Ligji zgjedhor parashikon se subjektet zgjedhore duhet të kthejnë paratë, nëse nuk kanë fituar në zgjedhje asnjë një deputet. “Partia që ka përfituar fonde publike dhe që nuk fiton asnjë mandat nga zgjedhjet e radhës duhet të kthejë shumën e përfituar. Depozitimi i këtyre shumave bëhet në llogarinë bankare të KQZ-së. Kthimi i fondeve bëhet jo më vonë se 30 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve”, - thuhet në Kod.

Kodi për auditimin

“Jo më vonë se 45 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për çdo subjekt zgjedhor KQZ-ja emëron me short një apo më shumë ekspertë kontabël të licencuar, të përzgjedhur sipas nenit 92 të këtij Kodi, për të kryer auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara për fushatën zgjedhore. Raporti i auditimit paraqitet në KQZ brenda afatit të përcaktuar në vendimin e emërimit”, - saktësohet në Kodin Zgjedhor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›